Samsung ka paralajmëruar mundësinë e rritjes së çmimeve të smartfonëve, duke pranuar se kompania po përballet me një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit në aspektin e kostove të prodhimit.
Deklarata u bë nga TM Roh, CEO i divizionit mobil të Samsung, gjatë panairit CES 2026, ku ai theksoi se presionet financiare po ndikojnë jo vetëm te telefonët inteligjentë, por edhe te televizorët dhe pajisje të tjera smart.
Sipas Samsung, kompania po punon ngushtë me partnerët e zinxhirit të furnizimit për të përballuar rritjen e kostove, por shtrenjtimi i produkteve mbetet një skenar i pashmangshëm. Kreu global i marketingut, Wonjin Lee, i tha Bloomberg se Samsung po shqyrton një “ripozicionim të çmimeve” për t’u përshtatur me realitetin e ri ekonomik.
Situata është komplikuar edhe nga zhvillimet në sektorin e çipeve. Megjithëse Samsung ishte prodhuesi më i madh i çipave në vitin 2024, kompania humbi kryesimin në tregun e memorieve në vitin 2025 ndaj SK Hynix, duke ndikuar drejtpërdrejt furnizimin për divizionin e smartfonëve.
Në këtë kontekst, Galaxy S26 shihet si një test vendimtar për kompaninë, veçanërisht pas suksesit të fortë tregtar të iPhone 17. Për të ruajtur konkurrueshmërinë, Samsung po konsideron ngrirjen e çmimeve të S26 në disa tregje, pavarësisht presionit financiar.
Ndërkohë, kompania ka ambicie të mëdha në fushën e Inteligjencës Artificiale. Samsung synon të dërgojë në treg 400 milionë pajisje me AI brenda këtij viti, duke dyfishuar ekosistemin Galaxy AI dhe duke e pozicionuar atë si një nga shtyllat kryesore të rritjes.
Mes kostove në rritje dhe garës së fortë me Apple, Samsung duket se po përgatit terrenin për një epokë më të shtrenjtë të smartfonëve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.