SAM, 30 vite sfida dhe sukses. Jetëgjatësia e marrëdhënieve me klientë, furnitorë dhe punonjës, bazë për rritje të shëndetshme - Business Magazine Albania

SAM, 30 vite sfida dhe sukses. Jetëgjatësia e marrëdhënieve me klientë, furnitorë dhe punonjës, bazë për rritje të shëndetshme

Në vitin 1993 Shqipëria sapo kishte dalë nga regjimi komunist. Gjendja ekonomike e vendit ishte e mjeruar. Ky ishte viti i dytë i fillimit të biznesit privat, përmes privatizimit të ndërmarrjeve të mëparshme, pasi deri në vitin ’91 nuk lejohej aktivitet privat. Mimoza Vojka, një inxhiniere e re, e kuptoi shumë herët se mund të ndërmerrte nisma sipërmarrëse në industrinë e veshjeve, ku kishte filluar punë si inxhiniere. Kompanitë shtëtërore nuk u përgjigjeshin siç duhej kërkesave të sipërmarrjeve të huaja private, ndaj një kompani italiane u propozon 3 inxhinierëve të krijonin një kompani private për të bashkëpunuar me ta.

Vojka tregon se, “Ideja e krijimit të kompanisë SAM erdhi si propozim i kompanisë italiane që punonte në ndërmarrjen e prodhimit të veshjeve në Tiranë. Propozimi për mua ishte i mirëpritur, pasi nuk gjendesha mjaftueshëm me punën që bëja, e njëjta gjë me dy ortakët e mi. Në korrik ‘93 bëjmë regjistrimin e  kompanisë, ndërsa në shkurt ‘94, mbërrijnë makineritë. Më 14 shkurt 1994 SAM fillon aktivitetin prodhues me 49 punonjës”. 

Këtu nis një përvojë tërësisht e re. Përgatitja e punonjësve, marrëdhënia me furnitorët dhe institucionet e administratës. “Kompanitë e mëdha, me të cilat mund të bashkëpunonim ishin të pakëta. Asistenca e kompanive të huaja ishte kryesisht në makineri”, kujton Mimoza, ndërsa thekson se, marrëdhënia me organet shtetërore në atë kohë ishte miqësore.

Por, që në vitet e para, shfaqen sfidat e bashkëdrejtimit të kompanisë. Ortaket tërhiqen, ndërsa përfaqësuesi teknik i kompanisë italiane sfidon drejtuesen e SAM dhe kompaninë me sjelljet e tij jo profesionale. Ai fillon të çojë punët (porositë) te kompani të tjera dhe të rekrutojë punonjës me kriter miqësie. Mimoza, në këtë moment vendos ndërprerjen e aktivitetit, “Kam kërkuar të vijë titullari i kompanisë italiane. Duhej të merrja një vendim, duhet të ndiqja vizionin tim të sipërmarrjes në cilësinë e mirëfilltë të biznesit, në të kundërt, degradimi ishte i pashmangshëm”.

U kërkon punonjësve që për 2 ditë të mos paraqiten në kompani derisa të merrte një vendim. Sipërmarrësi italian vjen në Shqipëri dhe bie dakord të vazhdojë bashkëpunimin pa praninë e teknikut.

Mund të duket e pabesueshme sot, por kjo kompani, respektoi kodin e punës që në fillimet e saj, me dy ditë pushim në javë, festa të parashikuara, madje edhe ofrimi i një vakti ushqimi për 5 vitet e para të kompanisë. 

Në ditët kur vizitojmë kompaninë, mes 50 punonjësve, gjejmë 3 gra shtatzëna, flasim sot kur niveli i lindshmërisë në vend është i ulët dhe shqetësues. Ndërkohë, ndërsa kthehemi në retrospektivë, një nga vitet e para të kompanisë, 20% e punonjëseve ishin me leje lindje. Një mjedis miqësor për gratë, ka bërë që shumica e punonjëseve aktualisht në kompani të kenë 10-25 vite punë aty. “Kishte edhe gra që nuk kishin fëmijë për 17 vjet dhe pasi vijnë këtu shumë shpejt mësonim lajmin e mirë. U bë fenomen shumë normal”, tregon Mimoza.

Kompania po rritej e konsolidohej, duke prodhur veshje pune për kompaninë italiane. Por, një tjetër periudhë e veshtirë do të vinte për sipërmarrjet.

Në vitin 1997, skema piramidale e financimeve çoi vendin në luftë civile. 

“E kujtoj shumë mirë, ishte ditë e premte kur filluan trazitrat e para në Tiranë. Duhej të bënim një dërgesë dhe nuk kemi lëvizur nga puna. Ditën e shtunë dhe të dielë ishim pushim, ndërsa të hënën u rikthyem sërish në punë. Ne kishim në dispozicion një furnizim që na mundësoi të punonim për një muaj.

Ky nuk ishte vit aspak i lehtë për kompanitë, por edhe për sipërmarrësit, të cilët ishin në fokus të kriminelëve. Moza tregon se pranë ambienteve të kompanisë afrohet një person, i cili i bën presion, duke i thënë se do ta marrë peng. Ajo mori masat për të qenë e mbrojtur për një periudhë me ndihmën e familjarëve dhe të afërmve.

Artikulli u publikua më parë në faqen 28 të numrit 32 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund Abonoheni dhe të Shfletoni Këtu nr. 32 të saj.

Objektivi i administratores ishte të realizonte prodhimin e gatshëm, ndaj angazhohet të prodhojë një linjë kostumesh për gra gjatë vitit 1997. Ngre një ekip me stilist, modelist, dhe blen pëlhurat e duhura. Për të prezantuar punimet zhvillon një sfilatë. Kompania hap një dyqan në Tiranë në nëntor ’97 deri në qershor ’98. Kjo përvojë e rrit profesionalisht drejtuesen e kompanisë, por e orienton më shumë drejt prodhimit për tregun e huaj. 

Sfida me administratën, e cila nuk mund të besonte tek rregullsia e dokumentave dhe trajtimit të punonjësve, vazhdonte. “Sipas tyre nuk kishte kompani që të kishte një marrëdhënie të rregullt me ta (tatimet), duke e kthyer këtë në një sfidë që ka shoqëruar kompaninë deri para 6-7 vitesh. Deri në atë kohë, kur vinin kontrolle tatimore, nuk pranonin të firmosej një akt kontrolli i pastër, pasi sipas shefave të tyre, nuk mund të ekzistonte asnje kompani në Shqipëri që të mund të ishte e rregullt. Përgjigjij ime ka qenë që nuk e kam të vështirë për të manipuluar. Sfida ime është për të punuar në formë korrekte. Këtu e ndjej veten të realizuar, sfidën e kam me veten time”.

Pas një pune që siguroi qëndrueshmërinë e biznesit, 5 vjeçari i dytë u jep hapësirë objektivave familjarë të Mimoza Vojkës. Në kompani mbërrin Steven, inxhinier në fushën e tekstileve dhe me njohuri shumë të mira teknike. Më parë ai punonte si konsulent për kompani ndërkombëtare dhe ndodh të vijë edhe në Shqipëri. Mimoza dhe Steven, u bënë shokë në punë dhe në jetë për t’u bërë më vonë me një vajzë.

Ideja e realizimit të prodhimit të gatshëm ishte brumosur në SAM dhe përpjekjet konkrete nisin me pjesëmarrjen ne panaire në vitin 2004.

Steven Emanuels tregon se “rreth vitit 2004 nisëm të marrim pjesë në panairë, pikërisht për të kuptuar kërkesat e tregut dhe për të gjetur mundësinë e zhvillimit. Produkti final konkretizohet në mars 2005 dhe është produkti  që aktualisht bën kompania: veshje sportive me printimin digjital sublimativ”. 

Mimoza tregon se, nga të gjitha emailet nga panairi na vjen një email nga një kompani franceze për veshjet sportive sublimative. Na tërhoqi vëmendjen dhe na nxiti të shohim çfarë është ky prodhim, çfarë na duhet të organizohemi. Iu futëm thellë idesë. Ky lloj prodhimi nuk ishte thjesht të bëje qepje. Të kaloje në prodhimin me printim sublimativ ishte të ndryshoje modelin e biznesit, t’i afroheshe tregut me një model të ri biznesi. 

E mira ishte që klienti që na kontaktoi, që është aktualisht klienti ynë më i rëndësishëm, nga Franca ishte në fillimet e veta. Po rriteshim ne dhe klienti, bashkëpunimi ishte një partnership. Ishte një marrëdhënie partneriteti. Ata jepnin çfarë kërkonim ne jepnim si duhet ta bënim për të finalizuar bashkëpunimin në nivelin që kërkon kjo teknologji. Kështu klienti punonte me designer, me njerëzit e shitjes. Po gjenim atë që kishim kërkuar edhe unë edhe Steven, sepse ai në formimin inxhinierik kishte këtë profilin shumë teknik, dhe unë në vizionin tim kisha shumë dëshirën e realizimit të prodhimit ndryshe nga çfarë ofronte aktualisht tregu

Produkti i gatshëm vjen përkrah punës me material porositësi për klientin italian. Drejtuesit e SAM i kishin propozuar më parë kompanisë italiane për bashkëpunime të mëtejshme, por duket se dy kompanitë nuk kishin të njëjtin vizion në këtë drejtim. 

Kishim organizuar skuadra të veçanta për çdo tip veshje pune dhe kishim organizuar edhe grupin për prodhimin e veshjeve sportive të sublimuara. 

Me kalimin e viteve, bashkëpunimet ndërkombëtare të SAM forcohen dhe shtohen. Jo pa pengesa, për një biznes, ambasador i vendit të tij. “Shqipëria nuk kishte atë emër aq të mirë tek bashkëpunëtorët. Një prej makinerive më të rëndësishme e blejmë në Greqi. Përfaqësuesit e kompanisë greke nuk erdhën as për të bërë montimin. Ky ishte ankthi që ata kishin për të bashkëpunuar me Shqipërinë”. Ndaj, në vitin 2005, Steven bën vetë montimin e printerit. 

Furnitorët e ndryshëm europianë nuk e kishin të preferuar tregun shqiptar. Ndaj, drejtuesit e SAM, ishin të detyruar të bënin parapagesë të lëndës së parë dhe organizimin për të gjithë transportin e lëndës së parë. 

Ndërkohë nisin të kontaktojnë klientë të tjerë, duke nisur kështu edhe bashkëpunimin në 2007 me një kompani hollandeze. 

Futja e një linje të re prodhimi, sillte dhe sfidën e formimit të duhur. Puna, përkushtimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me punonjësit bëri që punonjësit dhe drejtuesit, madje shpesh edhe klientë e furnitorë të SAM të rriten së bashku.

Në vitin 2008 tatimet bëjnë një fushatë kontrolli tek kompanitë me material porositësi (fabrikat fason) për deklarimin ose jo të pagave reale të punonjesve. Inspektori që bëri kontrollin nxori akt-kontroll që kompania ishte korrekte, por më vonë, kompanisë i mbërrin një akt-kontroll tjetër, që nxirrte parregullsi. Ndaj, SAM hap një proces gjyqësor ndaj Drejtorisë së Tatimeve Tiranë dhe e fiton atë. 

Pas vitit 2008, nisin të ndihen efektet e krizës financiare ndërkombëtare, më së shumti në marrëdhënie me kompanitë italiane. 

Mimoza tregon se, “kjo marrëdhënie nuk po shkonte siç duhet. Reflektova nëse gjërat do të funksionojnë, përndryshe duhej ndërmarrë një vendim. Vendim që preku 80 punonjës, të cilët kishin mbi 10 vite përvojë te SAM, ndaj emocioni për t’i larguar ishte shumë i fortë”

Por, ndërsa mbyllet puna fason, rritet prodhimi i veshjeve sportive. Aq sa për të kaluar në një bilanc pozitiv, edhe në një vit të vështirë. Në shtator 2009 SAM rimerr në punë një pjesë të mirë të këtyre punonjësve, të cilët ishin trajtuar ndërkohë me asistencë.

Sam vijon të zgjerojë partneritetet me jashtë, të studiojë tregun, klientin dhe të tentojë tregun e brendshëm. “Klientët që kemi bashkëpunuar kanë qenë dinjitozë, që kërkonin tregun dhe ishin fleksibël. Vazhdimisht kompania ka punuar për të çuar personalizimin e veshjeve deri në detaje, edhe tek grupi i gjakut”, thotë Mimoza, ajo tregon se, “në fillim të vitit 2012 improvizuam personalizimin e veshjeve në një maratonë në Hollandë. Ky ishte një lloj testimi që po i bënim tregut. Radha ishte nga kati i parë, kur ne ishim në katin e dytë”.

Ky testim orienton drejtuesit per të ndërmarrë hapjen e dyqanit online, po në vitin 2012, për veshje te personalizuara, kryesisht për maratona dhe targetohet tregu anglez, e që suksesi vazhdon edhe në ditët e sotme.

Po në këtë vit, SAM ishte furnizues me veshje i maratonës se 100 vjetorit në Shqipëri. Steven ishte shumë entuziast për këtë, por drejtuesit nuk u ndjenë të respektuar, pasi edhe sot pas 10 vitesh, kompania nuk është paguar për punën e bërë. Ndaj pjesën e prodhimit e orientojnë drejt tregut të huaj, kryesisht në Evropën e Veriut.

Një çelës suksesi për SAM është marrëdhënia e ngushtë me klientët, furnitorët dhe punonjësit.

Steven na tregon se, “si për klientët, ashtu edhe për furnitorët, ne jemi në të njëjtën gjatësi vale dhe qëllimi. Nëse shikoni se ku blejmë dhe kujt i shesim, këto janë marrëdhënie shumë të gjata. Klienti ynë kryesor është nga dita e parë këtu. Furnizuesi ynë kryesor, gjithashtu, është që në fillim. Kjo është e shëndetshme. Këto janë pikat kryesore të suksesit”

Në vitin 2013 marrëdhëniet e mira kurorëzohen me një partneritet më të fortë. Klienti dhe partneri i parë i SAM, propozon një ortakëri në biznes. 

Ky hap shtron rrugën për më shumë fokus në eficiencë, në prodhim dhe futjen e produkteve me vlerë më të lartë:

Të gjitha këto zhvillime kërkonin një mjedis më të madh dhe të mirëorganizuar, ndaj drejtuesit e SAM vendosin të ndërtojnë stabilimentin e ri, ku mbledhin në një të gjitha repartet. Gjejnë vendin, kompaninë ndërtuese dhe në kohë rekord, vetëm 3 muaj, ata u zhvendosën në Kashar. Fryma e SAM reflektohet të bashkëpunëtorët e rinj për ndërtimin e mjediseve, por edhe tek banorët e zonës. Gratë e kësaj zone, gjejnë një mundësi ideale punësimi, shpesh edhe për herë të parë në jetën e tyre.

Në periudha të ndryshme SAM ka vëretetuar cilësitë e saj. Tërmeti dhe pandemia, do të reflektonin ndjeshmërinë e një kompanie model ndaj punonjësve dhe komunitetit dhe fleksibilitetin si prodhues, për të shkëlqyer edhe kur shumë kompani u mbyllën. Covid 19 mbylli tregjet, por solli nevojën e përdorimit të maskave dhe pajisjeve mjekësore. Administratorja angazhohet të prodhojë maska me materialin në dispozicion. U propozon klientëve dhe merr shpejt porositë e para, aq të mëdha sa për të angazhuar me punë edhe 7 fabrika të tjera.

“Klienti i parë, bëri porosinë pas 1 ore propozim për 2000 maska. Më pas, klienti më i rëndësishëm, ai francez, pas autorizimit porosit një sasi të konsiderueshme. Premtuam se mund të furnizojmë dhe na u desh të bashkëpunojmë me furnitorë për një sasi prodhimi prej më shumë se 50 mijë maska në ditë, për 2.5 muaj (mars-qershor). SAM bashkëpunon me 7 furnitorë të tjerë, duke i shërbyer tregut evropian dhe duke testuar fleksibilitetin e saj si kompani.

Por, Covid mbërrin në kompani. Me konfirmimin e punonjësit të parë të prekur, SAM mbyll aktivitetin për 3 ditë dhe teston punonjësit, duke angazhuar një spital privat dhe identifikon rreth 50% të punonjësve të infektuar. Për dy javë nis trajtimi dhe monitorimi i tyre. Covid kalon pa dëme në njerëz.

SAM, biznes ambasador për Shqipërinë 

Mimoza tregon shumë raste kur klientët apo furnitorët nuk besonin në tregun tonë, nuk e njihnin Shqipërinë, ose kishin informacion të gabuar. Në një panair në Gjermani, ajo tregon se takoi një furnitor të rëndësishëm që shiste makina qepëse. “Duke komunikuar, ai thotë: punoj në të gjitha vendet në rajonet e Balkanit. Nëse më thonë: shko në Siri, shkoj, por në Shqipëri jo”, tregon Mimoza, duke iu referuar sipërmarrësit të huaj. Më vonë ai vjen dhe krijon një tjetër ide për vendin tonë. 

Ardhja e drejtuesit të kompanisë franceze, sot ortake në biznes me SAM, ishte po ashtu e vështirë. Duke mos e njohur Shqipërinë, ai druhej për sigurinë e tij dhe kërkon të prenotojë në një hotel pranë institucioneve shtetërore. SAM prenoton në hotelin pas Presidencës. Më vonë ai erdhi disa herë dhe madje dilte në mbrëmje. Më vonë u thotë drejtuesve të SAM, se do të dëshironte ta rristë vajzën e tij këtu.

Lexo:

Vizioni i kompanisë për të ardhmen

Për Steven, e ardhmja është shumë emocionuese. SAM është 3 në gjuhën kineze. Ata po nxjerrin numrin 3, inxhinieren e tretë, vajzën e tyre Felice. Meqenëse Felice është arsimuar si inxhiniere e dizajnit industrial, jo posaçërisht për tekstile dhe veshje, e ardhmja është e hapur. 

“A do të qëndrojmë vetëm në prodhimin e veshjeve të personalizuara? Apo do të fillojmë të prodhojmë edhe produkte të tjera? Kjo është diçka emocionuese dhe as unë dhe as Moza nuk e dimë. Këtë e di vetëm Felice”, thotë Steven.

Për sa u përket veshjeve dhe tekstileve, ata kanë shumë karta në dorë. “Një nga këto që do të dëshironim të luanim tashmë është moda; jo vetëm me veshje poliester, por edhe me teknologji të re printimi. Dhe kur shikojmë trendin më të fundit, printimin me pigmente. Nëse do të mund të aplikonim të njëjtën rrjedhë pune siç kemi me poliestër, ky do të ishte një avantazh i madh”, thotë Steven. Ai thekson se, “tashmë jemi të shpejtë, por do të donim të ishim edhe më të shpejtë, kështu që siç shohim në të ardhmen, nëse automatizojmë më tej dhe shkurtojmë kohën tonë të drejtimit, ne mundemi që në të ardhmen të bëjmë diçka që e bëjmë aktualisht në masë të vogël: të shesim artikuj virtualë, që në momentin e porositjes ekzistojnë vetëm në hapësirën virtuale. Duke pasur një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, t’ia dërgojmë publikut blerës, le të themi kudo në Evropë brenda 1 jave”.

Pra, kështu SAM mund të konkurrojë me veshje virtuale me lojtarët e tjerë në treg që mbajnë shumë stok/gjendje si Amazon, por në një mënyrë shumë më të qëndrueshme, sepse derisa veshja të shitet, nuk ka stok. “Nëse e automatizojmë më tej këtë proces, këtë rrjedhë pune, ne mund të bëjmë 30% për qind të xhiros tonë në këtë mënyrë. Pastaj, siç thashë më parë, nëse ne do kufizohemi vetëm në veshje, kjo varet nga Felice dhe ekipi i saj që ajo do të ndërtojë në të ardhmen”, thotë Steven.

Mimoza tregon se, vizioni afatshkurtër është sitemimi dhe kompletimi me teknologjinë e nevojshme. Në terma afatmesëm, drejtuesit po punojnë për të deleguar më shumë punë punonjësve, ndërsa në terma afatgjatë, të tre inxhinierët bashkohen në vizionin e krijimit të një ekonomie qarkulluese. Sipas Felice Emanuels, “për të gjitha materialet që fusim në treg në përdorim të konsumatorit, do të punojmë që të jenë sa më pak ndotës për ambientin”.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0