Meta do të përdorë teknologjinë me burim të hapur nga X për Community Notes - Business Magazine Albania

Meta do të përdorë teknologjinë me burim të hapur nga X për Community Notes

Meta ka njoftuar se funksioni i saj i ri, Community Notes, i cili synon të monitorojë dezinformimin përmes crowdsourcing, do të përdorë disa nga teknologjitë e zhvilluara nga X e Elon Musk për shërbimin e saj të ngjashëm.

Në një postim në blog të enjten, Meta dha më shumë detaje mbi këtë mjet të ri të moderimit të përmbajtjes dhe konfirmoi se ai do të përfshijë të njëjtin algoritëm me burim të hapur që fuqizon Community Notes të X. Megjithatë, kompania synon ta modifikojë atë me kalimin e kohës për t’iu përshtatur më mirë platformave të saj si Facebook, Instagram dhe Threads.

“Duke qenë se algoritmi dhe informacionet mbi programin e X janë me burim të hapur – pra, të lirë dhe të disponueshme për këdo – ne mund të ndërtojmë mbi atë që X ka bërë, të mësojmë nga studiuesit që e kanë analizuar atë dhe ta përmirësojmë sistemin për platformat tona,” u shpreh Meta në postim. “Ndërsa versioni ynë zhvillohet, mund të eksplorojmë algoritme të ndryshme ose të përshtatura për të mbështetur mënyrën se si vlerësohen dhe renditen Community Notes.”

CEO i Meta, Mark Zuckerberg, e prezantoi këtë funksion në janar si zëvendësimin e preferuar të kompanisë për verifikimin e fakteve nga palë të treta, të cilin ai e mbylli si pjesë e një ndryshimi të gjerë të politikave, që përfshinte edhe lehtësimin e disa rregullave të moderimit të përmbajtjes. Testimi i parë i Community Notes do të nisë javën e ardhshme në SHBA. Muajin e kaluar, Meta njoftoi se përdoruesit mund të aplikojnë për t’u bërë kontribues të këtij programi, me disa kritere për përzgjedhje, si mosha mbi 18 vjeç dhe një numër telefoni i verifikuar. Kontribuesit nuk do të mund të vendosin Community Notes mbi reklamat, por do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë për pothuajse çdo lloj tjetër përmbajtjeje, duke përfshirë postimet e Meta-s, drejtuesve të saj, politikanëve dhe figurave publike, sipas postimit në blog. Përmbajtjet që marrin Community Notes nuk mund të apelohen, por gjithashtu nuk do të ketë ndonjë ndëshkim shtesë për to.

Lexo edheEkosistemi shqiptar i start-up-eve në rrugën e duhur, firmosen marrëveshje bashkëpunimi me rrjete ndërkombëtare investitorësh

“Notes do të ofrojnë kontekst shtesë, por nuk do të ndikojnë në atë se kush mund ta shohë përmbajtjen apo sa gjerësisht mund të shpërndahet,” u tha në postim. Edhe pse Meta nuk planifikon të bëjë me burim të hapur apo të publikojë detaje teknike shtesë mbi sistemin e saj Community Notes, drejtuesja e menaxhimit të produktit në Meta, Rachel Lambert, tha gjatë një konference për shtyp se kompania po shqyrton këtë opsion për të ardhmen.

Deri tani, rreth 200,000 persona janë regjistruar për t’u bërë kontribues të Community Notes, dhe lista e pritjes mbetet e hapur për ata që dëshirojnë të marrin pjesë në program.

Megjithatë, sipas Neil Johnson, profesor i fizikës në George Washington University dhe ekspert mbi përhapjen e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes online, Community Notes mund të ndihmojë në ofrimin e kontekstit për përmbajtjet e publikuara në internet, por nuk mund të zëvendësojë plotësisht verifikimin formal të fakteve. Ai e cilësoi këtë model si një “sistem të papërsosur”, i cili mund të manipulohet nga grupe apo organizata të mëdha me agjendat e tyre. Meta tha në blog se ka parashikuar masa mbrojtëse kundër manipulimeve: “Publikimi i një shënimi kërkon dakordësinë mes njerëzve të ndryshëm,” një politikë që ndihmon të parandalohen fushatat e organizuara që përpiqen të manipulojnë se cilat shënime publikohen dhe çfarë përmbajtjeje përfshijnë.

Kompania planifikon të shtrijë programin në të gjithë vendin, sapo të jetë e bindur nga testimi fillestar se sistemi po funksionon në mënyrën e parashikuar, megjithëse do të vazhdojë të mësojë dhe ta përmirësojë më tej.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0