Sa kohë ju duhet për të parë rezultate nga regjimi juaj i ri? - Business Magazine Albania

Sa kohë ju duhet për të parë rezultate nga regjimi juaj i ri?

Sa kohë ju duhet për të parë rezultate nga regjimi juaj i ri?

Pasi ke nisur një regjim të ri ushtrimesh, shumica e njerëzve shpresojnë të shohin rezultate pothuajse menjëherë. Por, qoftë nëse dëshiron të humbasësh disa kilogramë, të fitosh masë muskulore apo të të bëjnë sërish xhinset e preferuara, mund të duket sikur këto  rezultate vonojnë pafundësisht. Kjo është edhe më e vështirë nëse ke filluar këtë rrugëtim me partnerin apo ndonjë mik, i cili mund të shohë rezultate më shpejt.

“Sa shpejt do të shihen ndryshimet varet shumë nga individi, lloji i aktivitetit fizik që bën dhe sa rregullisht e praktikon atë,” thotë Angie Asche, dietologe në Nebraska dhe themeluese e “Eleat Sports Nutrition”, një kompani që ndihmon atletët të përmirësojnë performancën përmes ushqimit të shëndetshëm. “Varet gjithashtu nga regjimi ushqimor. Por në përgjithësi, jepi të paktën dy deri në katër javë.” Për shumë persona, ndryshimet mund të marrin 6 deri në 12 javë, shton Tina Fennelly, trajnere personale në Aviv Clinics, Florida. Kjo sepse ndikojnë shumë faktorë: mosha, gjinia dhe metabolizmi. Meshkujt, për shembull, kanë tendencë të kenë një ritëm metabolik më të lartë se femrat, sepse janë zakonisht më të mëdhenj dhe me më shumë masë muskulore – dhe muskujt apo organet më të mëdha kërkojnë më shumë energji (kalori).

Ndryshimet e padukshme ndodhin më herët

Ndërsa mund të duket sikur një apo dy muaj është shumë për të parë rezultatet vizuale, vlen mundimi sepse aktiviteti fizik sjell rezultate të menjëhershme, edhe pse jo gjithmonë të dukshme me sy. Aktiviteti i rregullt fizik ul rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, diabet të tipit 2, sëmundje infektive, madje edhe disa lloje kanceri, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC). Ai gjithashtu forcon kockat dhe muskujt, përmirëson aftësitë njohëse dhe cilësinë e gjumit. Reduktimi i tensionit të gjakut është një tjetër përfitim i rëndësishëm që ndodh shpejt, sidomos nga ushtrime si vrapimi apo ushtrimet e murit (wall squats), sipas një meta-analize të publikuar në vitin 2023 në British Journal of Sports Medicine. “Këto ndryshime në tensionin e gjakut mund të ndodhin që ditën e parë, për shkak të përmirësimit të qarkullimit të gjakut,” thotë Asche. “Dhe kjo ndodh pavarësisht nëse bën palestër, kardio apo një kombinim të të dyjave.”

Lexo edhe:Si i përzgjedh Meghan Markle talentet për ekipin e saj?

Si ta përshpejtosh progresin

Nëse dëshiron të shohësh ndryshime më shpejt, është e mundur, por duhet më shumë përkushtim. “Nëse vërtet kërkon të ndryshosh përbërjen trupore, fokuso më shumë te ushtrimet me intensitet të lartë, si vrapimi, sesa joga,” thotë Asche. Kjo e fundit ndihmon më shumë për përmirësimin e gjumit dhe humorit, por jo për ndryshime të shpejta fizike. Do të ndihmojë shumë edhe lëvizja e shtuar gjatë gjithë ditës – jo vetëm gjatë stërvitjes. Merr pushime të vogla për të ecur çdo orë, qëndro në këmbë gjatë punës në kompjuter ose ec gjatë telefonatave. “Edhe pse duket pak, gjithë kjo lëvizje shtesë grumbullohet dhe ndikon,” thekson Asche.

Reduktimi i konsumit kalorik, qoftë edhe me 250 deri në 500 kalori në javë, mund të ndihmojë të humbasësh gjysmë deri në një kilogram në javë, shton Fennelly. Dhe kur trupi fillon të ndërtojë masë muskulore të pastër, sidomos përmes ushtrimeve me pesha, rritet edhe metabolizmi bazë – që do të thotë se trupi djeg më shumë kalori edhe në pushim.

Ushqimi ka rëndësi thelbësore

Zgjedhja e ushqimeve të duhura mund të ndihmojë ndjeshëm në këtë rrugëtim. “Fokuso sa më shumë te ushqimet natyrale,” sugjeron Asche. Ushqimet e plota janë ato të papërpunuara ose të përpunuara minimalisht, si frutat dhe perimet e freskëta, vezët, bishtajoret, arrat dhe farat. “Këto ushqime janë të pasura me fibra, hekur dhe lëndë të tjera ushqyese,” shton ajo. “Ushqimet e përpunuara zakonisht mungojnë në vlera ushqyese, dhe për këtë arsye nuk na ngopin, çka na shtyn të hamë më shumë.” Një tjetër këshillë është të kombinosh rutinën e palestrës me një aktivitet që të pëlqen. “U them klientëve të mi që të gjejnë një aktivitet tjetër që i bën të ndihen mirë, siç është biçikleta apo loja e pickleball,” thotë Fennelly. Mos u dorëzo menjëherë nëse pantallonat ende janë të ngushta. “Përfitimi më i madh nga ushtrimet është përmirësimi i humorit,” thotë ajo, “sidomos për ata që përjetojnë stres të lartë. Është gjithashtu gjëja numër një që mund të bësh për të rritur jetëgjatësinë.” “Dhe në fund të fundit, kjo është më e rëndësishmja,” përfundon Asche. “Rritja e jetëgjatësisë është arsyeja më e mirë për të ushtruar – më shumë sesa humbja e disa gramëve dhjam.”

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0