Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në workshopin “Rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në SEPA, përfshirjes dhe edukimit financiar” se Banka e Shqipërisë vëren me kënaqësi një rritje të ndjeshme të përfshirjes financiare.
Bazuar në të dhënat zyrtare të regjistrit kombëtar të llogarive, rezulton se në vitin 2023 rreth 78% e popullsisë adulte zotëron një llogari bankare. Kjo shifër mund të arrijë deri në 85% nëse përfshihen dhe llogaritë e pagesave të ofruara nga institucionet e parasë elektronike.
Rritja e përfshirjes financiare është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të pagesave elektronike. Konkretisht, në vitin 2023 numri i pagesave elektronike për frymë arriti në 21, nga rreth 4 pagesa për frymë në vitin 2017.
Rritje të konsiderueshme kanë paraqitur pagesat me kartë, duke arritur në 11 pagesa për frymë në vitin 2023, nga 5 pagesa për frymë që ishte ky tregues në vitin 2020.
Puna e përbashkët mund ta kthejë strategjinë e BSH-së për përfshirje dhe edukim financiar në një strategji kombëtare, e cila do të bashkërendonte në nivel kombëtar iniciativat e të gjithë aktorëve, duke dhënë rezultate më të prekshme, tha Sejko.
Guvernatori komentoi edhe anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA, që, sipas tij, është transformuar tashmë në një nga prioritetet kombëtare në kuadër të përmbushjes së Planit të Ri të rritjes së Bashkimit Evropian.
Ai tha se, nga pikëpamja integruese e vendit, anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA garanton trajtimin e shtetasve shqiptarë në mënyrë të njëtrajtshme me ata evropianë në fushën e pagesave. Gjithashtu, ai garanton përputhshmërinë e tregut shqiptar të pagesave me legjislacionin dhe praktikat e Bashkimit Evropian për sa i përket Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, duke kurorëzuar me sukses përpjekjet e vazhdueshme disavjeçare të Bankës së Shqipërisë si institucion përgjegjës për këtë kapitull.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.