Run for DSA në Maratonën e Tiranës - Business Magazine Albania

Run for DSA në Maratonën e Tiranës

Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) organizon për të 3-tin vit rradhazi fushatën “Garo/Mbështet si Maratonomak DSA-në”, në kuadër të Maratonës së Tiranës që këtë vit mbahet më 22 Tetor.
Kjo fushatë ndërgjegjësuese dhe për ngritje fondesh u ideua në vitin 2021 nga Daniel Nikolla, një profesionist i marketingut dhe i komunikimit që jeton dhe punon në Angli në bashkëpunim me Emanuela Zaimi, themeluesen e DSA.

Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA), është një organizatë jo-fitimprurëse që ofron shërbime terapeutike (si logopedi, terapi ABA, terapi e zhvillimit, terapi fizike, etj.) për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Aktualisht në qendrën e Shërbimeve PRO PAK të DSA marrin shërbime të specializuara 42 fëmijë (0-13 vjeç), prej të cilëve 15 janë me sindromën Down, 24 në spektrin e autizmit dhe 3 fëmijë me diagnoza të tjera mjekësore (si p.sh. humbje në dëgjim, fëmijë me implant koklear që kanë të nevojshme terapinë e gjuhës dhe të të folurit).
Këto shërbime nuk gjejnë mbështetje nga shteti dhe shumë prindër e kanë të pamundur të përballojnë vlerën e shërbimit pasi dhe mbështetja ekonomike për aftësinë e kufizuar është minimale, karshi nevojës). Vetëm 5 prej këtyre familjeve kanë mundësi të paguajnë tarifën e plotë të shërbimit prej 2000 leke / per 1 orë terapi, dhe mesatarisht 1 fëmijë i duhen të paktën 15 orë terapeutike në muaj. 37 familjet e tjera kanë nevojë për mbështetje për shërbim pa pagesë apo me tarifa të reduktuara.
Për këto arsye, DSA organizon fushata të ndryshme për ngritje fondesh nga komuniteti i biznesit apo dhurimet e qytetarëve.
Këtë vit, fondacioni ka synim që mbi 250 maratonomakë të garojnë për kauzën, si dhe mbledhjen e 30.000 euro fondesh, përmes dhurimeve të komunitetit të biznesit dhe individëve nga Shqipëria e Diaspora. Deri më tani, fushata ka ngritur rreth 26.000 euro fonde dhe mes 270 vrapuesve të regjistruar deri më tani gjenden qytetarë të thjeshtë, vetë prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, njerëz të medias apo botës së artit si dhe atletë profesionistë që rrëmbejnë trofe nëpër maratona. Maratonomakët e kauzës janë jo vetëm nga Shqipëria. Ata vijnë dhe nga Kosova e diaspora, këta të fundit të angazhuar dhe vetë për ngritje fondesh nga miqtë apo klientët e tyre në shtetet ku jetojnë.
Vitin e shkuar ekipi #VrapoPërDSA #RunForDSA rrëmbeu dhe çmimin “Grupi më i Madh” dhe synon ta fitojë sërish këtë çmim më 22 Tetor.
Ju ftojmë të bëheni pjesë e një kauze, që jo vetëm ndihmon drejtpërdrejt familje në nevojë duke i mbështetur në sigurimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët e tyre, por edhe frymëzon solidaritet mes qytetarësh.
Për të ndihmuar që fushata të arrijë, dhe pse jo të kalojë targetin e synuar të fondeve, ju mund të dhuroni në faqen e Go Fund Me të Daniel Nikolla, ideatorit të fushatës: https://www.gofundme.com/f/help-raise-30000-euros-for-down-syndrome-albania
Në rast se dëshironi të dhuroni si biznes mund të shkruani në adresën e e-mail: info@dsalbania.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0