Rrugëtimi i Serena Lekës për të mentoruar inovatorët e ardhshëm - Business Magazine Albania

Rrugëtimi i Serena Lekës për të mentoruar inovatorët e ardhshëm

Serena Leka është një vajzë me origjinë shqiptare e lindur në qytetin e Pukës. Ajo jetoi dhe studioi në Tiranë derisa u diplomua nga Universiteti i Tiranës me Bachelor në Financë, në Fakultetin e Ekonomisë. 

Gjatë studimeve të saj, pasioni për të praktikuar atë çfarë ishte duke mësuar e bëri pjesë të shumë organizatave jo fitimprurëse, në veçanti një projekt i financuar nga Ambasada Amerikane dhe i drejtuar nga Lëvizja Mjaft. Ky projekt evidentoi nivelin e korrupsionit në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.

Shpirti i saj rebel në kërkim të drejtësisë u dëshmua herët, teksa ajo së bashku me shokë aktivistë, drejtuan dy protesta: një prej tyre për të shmangur disa ndërtime pranë Fakultetit të Ekonomisë në rrugën e Elbasanit dhe e dyta në lidhje me disa ndërtime pa leje në anë të Liqenit Artificial të Tiranës. 

Në vijim gjeni një intervistë ekskluzive ku ajo zbulon karrierën dhe qëllimet e saj:

Prishila Gjoka: Serena, ke qenë shumë aktive, sidomos në çështje sociale, gjatë qëndrimit tënd në Shqipëri. Si haseshit me këto nisma? 

Serena Leka: Njeriu duhet të jetë kërkues: Kërko dhe do të gjesh! Për mua nuk ishte asnjëherë mjaftueshëm të isha vetëm një studente e mirë. Nuk mund t’i kuptoja plotësisht librat shkollorë nëse nuk i implementoja, prandaj akivitete të tilla ishin shtigje për të aplikuar njohuri specifike dhe pëshkallëzim i asaj që po merrja nga studimet e mia, për të parë sesi mund të fitoja më shumë përvojë praktike. Unë kam një ndjesi të lartë përgjegjshmërie, nëse i përkas një komuniteti dhe shoh se diçka bëhet gabim, nuk mund të qëndrojë duarkryq. Gjithmonë bëj pyetje, sfidoj skuadrën dhe këdo që drejton eventin/aktivitetin/qytetin/shtetin, dhe më gjerë. Unë bëj pyetje dhe në të njëjtën kohë, pres pjesëmarrje të lartë nga grupet e interesit. Kjo mund të jetë për shkak të mënyrës sesi jam rritur nga prindërit e mi, të pasurit përgjegjësi dhe të mbajturit e përgjegjësisë, që në fëmijëri. Gjithashtu “fajësoj” faktin se lexoja shumë libra teksa rritesha dhe u bëra e dhënë pas mendimit kritik që herët. Mendoj se kjo ishte ajo çfarë më dha atë shtysën dhe vetëbesimin.

Lexo: Një neuroshkencëtare zbulon ushtrimin e trurit për një kujtesë më të fortë dhe gabimin që mund ta ‘dëmtojë’ atë

Një shtysë tjetër për mua ishte teksa mësoja sesi vajzat dhe gratë trajtohen në disa raste, sidomos në vende në zhvillim si ky i yni. Për këtë arsye aspiroja që të arrija rezultate dhe të vlerësohesha bazuar vetëm në veprimet dhe ndikimin tim. Kam bërë përpjekje që jo vetëm të flisja, por edhe të veproja, duke kaluar në zbatim, implemetim dhe hapa konkretë. Gjithmonë e predikoj këtë te vajzat që takoj gjatë udhëtimit tim. Mundësitë shfaqin veten sepse ti je gati për to dhe po përgatitesh për to! Ti mund të kontribuosh me diçka dhe nëse shpesh nuk i ke përgjigjet për atë që duhet të bësh. Thuaj po dhe kërkoji përgjigjet gjatë rrugës. Të gjitha këto më bënë të ndërprisja studimet e masterit në Tiranë dhe aplikova për të gjitha bursat që mund të gjeja jashtë vendit. Mora një bursë nga qeveria Daneze dhe punova deri ditën e fundit përpara se të fluturoja në Aarhus në korrik të 2015-ës. 

Prishila Gjoka: Përse vendose ta lësh Shqipërinë? Ishe disi e zhgënjyer në një farë mënyre? 

Serena Leka: Të jem e sinqertë, e njoh veten shumë mirë dhe që herët mësova se kishte dy mënyra se si mund të shkonin gjërat për mua në Shqipëri: ose do të përfundoja duke mos e pëlqyer veten sepse do më duhej të bëja kompromis me parimet e mia për mënyrën sesi gjërat funksiononin, ose do të “luftoja sistemin,” gjë që do të më konsumonte shpejt. Isha e re dhe duhej të bëhesha më e fortë. Mora disa oferta për t’ju bashkuar partive politike dhe të drejtoja disa forume rinore të këtyre partive përpara se të lija vendin. U intrigova, por vura re rezistencë për të ndryshuar mënyrën sesi bëhen gjërat në ditët e sotme. Mënyra e vetme për t’u dëgjuar ishte të forcoja njohjet e mia, aftësitë dhe njohuritë ndërkombëtarisht. Të ndërtoja një karrierë dhe ta vlerësoja atë në një mjedis të drejtë dhe konkurues. Duhej të ndiqja atë lloj sfide, prandaj u largova!  

Ndërkohë, anjëherë nuk e ktheva shpinën kam dhënë leksione dhe seminare dhe i përgjigjem çdo javë të gjithë email-eve dhe mesazheve që marr në rrjete sociale nga studentë që duan të studiojnë jashtë, studentë që dëshirojnë të ndjekin karriera të ndryshme, mësues dhe profesorë që kanë nevojë për burime, që po aplikojnë për projekte dhe grante. Megjithatë, jam akoma duke kërkuar mënyrën më të mirë për të kontribuar pa bërë kompromis me parime të caktuara, të cilat mendoj se duhet t’i përforcojmë në atdhe. 

Prishila Gjoka: Nëse në të gjithë ato mesazhe një ditë do të gjeje dikë që pyet: ”Si mund t’ia dal, por në Shqipëri, pa patur nevojë të jetoj diku tjetër?”, cila do të ishte përgjigjia jote?

Serena Leka: Marr mesazhe të tilla shumë shpesh. Sugjerimi im numër një është se është e padrejtë të largohesh pa punuar së pari në vendin tënd. Unë u bëra kjo që jam sot dhe arrita me sukses qëllimet e mia falë asaj që mësova nga mjedisi shoqëror në Shqipëri. Punova me komunitetin e studentëve, profesionistë të rinj, aktivistë dhe qytetarë, duke mos harruar institucionet. E testova tokën time për shumë vite. Duhet të gjeni një punë ose disa, duhet t’i kërkosh gjërat në vendlindje përpara se të shkosh diku tjetër. Vështirësitë janë kudo! Nuk bëhet më e menaxhueshme nëse shkon jashtë shtetit, por kur provon disa gjëra në vendin tënd, je më i përgatitur për një shtet tjetër. Përveç kësaj, të ndihmon të kuptosh në çfarë je vërtetë i aftë, ku ke nevojë për përmirësim dhe cili është misioni yt. 

Ndërkohë që isha duke bërë bachelor-in, zbulova se Banka e Shqipërisë po pranonte praktika profesionale. Unë isha një studente në vitin e dytë. Aplikova për praktikën dhe më refuzuan, nuk e kuptoja arsyen pasi gjithçka ishte në rregull në prespektivën time. Më pas duke pyetur zbulova se ata nuk pranonin praktikantë të bachelor-it, por vetëm studentët e masterit. Kështu, gjatë vitit të tretë si studente bachelor-i, aplikova përsëri dhe këmbëngula të flisja me këdo që do të më mbështetste për ta ndryshuar këtë. Ata bën një përjashtim dhe më pranuan. Bëra praktikën për tre muaj dhe mora inspirimin dhe të dhënat nga banka për të bërë temën e diplomës, të cilën e publikova më pas bashkë me supervizorin tim. Pra, e gjitha kjo është një shembull për studentë në Shqipëri që gjërat mund të funksionojnë sipas kushteve tuaja.

Lexo: Ndryshimet kryesore teknologjike që priten të ndodhin në 2022-shin

Prishila Gjoka: Cila është shtysa jote? Çfarë të nxiti për të bërë më shumë? Shumë studentë mendojnë se po ndjekin universitetin ose shkollën e mesme dhe duhet ta përfundojnë përpara se të fillojnë diçka të re, ata nuk provojnë gjëra të reja. Çfarë të bëri ty ndryshe? A ishte ky pasion, ose si do ta quaje? 

Serena Leka: Disa ditë më përpara, fola me disa kolegë të rinj dhe më pyetën: ”Kush të mentoroi për të arritur qëllimet e tua?”. Mbështetësit e mi të parë ishin prindërit e mi. Ata përdornin teknika të ndryshme prindërimi. Babai im më siguronte gjërat e nevojshme për të studiuar brenda mundësive dhe priste rezultate të mira, ndërsa mamaja ime nuk pranonte asnjë rezultat që nuk ishte mjaftueshëm i mirë. Nëse merrja 9/10, më pyeste: “çfarë ndodhi, çfarë shkoi keq”, por gjithashtu më këshillonte sesi të mos i lija gjërat për minutën e fundit dhe të mos kisha zakonin e të fajësuarit dikë tjetër për veprimet e mia apo për ato gjëra në të cilat mund të ndikoja. Më vonë, zbulova se nëse do të jesh konkurues, duhet të gjesh disa avantazhe që të bëjnë ty të veçantë, nëse lexon vetëm librat, do të mësosh të njëjtën përmbajtje me mijëra studentë në të njëtjtën kohë. 

Pra, si të bëhesh sfidues? Unë gjithmonë lexoja tepër dhe nuk hezitoja ta ndaja dijen që merrja. Ngrija dorën dhe e thosha me zë të lartë dhe mbase dikush do të kishte ndonjë koment shtesë që do të niste një diskutim, një mendim, një ide, një projekt, një kompani. Gjeni avantazhin tuaj konkurues.  

Një histori tjetër që mund ta ndaj ka ndodhur teksa po bëja kërkimet për projektin e doktoraturës gjatë semestrit të parë të studimeve në Universitetin e Karolinës së Veriut Chapel Hill, në SHBA, i themeluar nga NGI Explorers, u mundova të përballesha me këtë sfidë pak më herët duke besuar se sa më shpejt t’i mësoja këto leksione, aq më shpejtë do të ishte kurba e rritjes time. 

Në tetorin e vonë të 2021, takova Shefin e Inxhinierisë së Perseverance Rover, i lëshuar në Mars të 2020-ës. Të kesh atë person 3 metra larg teje dhe të bisedosh me të, të dëgjosh historinë e tij, është thjesht drithëruese. 

Sidomos ditët e sotme me Inteligjencën Artificiale, gjërat po ecin shumë shpejt. Ti mund të zgjohesh të nesërmen dhe ekziston një startup krejt i ri që ndryshon komplet paradigmën e të bërit biznes, mënyrën sesi teknologjia po influencon shumë lloje të operacioneve të biznesit, sesi roli yt mund të jetë vjetëruar dhe duhet të përshtatesh shpejt.

Gjëja më e mirë që mund të bëni është ti bëni gjërat me besim dhe të keni kurajo që herët.

Unë jap mësim lëndën e inovaciont të aplikuar dhe inxhinierinë prej pesë vitesh tashmë dhe gjërat e para që ndajmë me studentët tanë janë tri koncepte:

Teoria e Kaosit – ka gjithmonë një mënyrë për të drejtuar kaosin. Nëse jeni tepër rehat, diçka nuk po shkon mirë, ose jeni duke shpërfillur diçka. Pakëz vështirësi të bën gjithmonë mirë që ti të bëhesh pjesë e një ideje të mirë. Prandaj ne i mësojmë studentët ta pranojnë kaosin dhe të punojnë me të. 

Kontruktivizmi – Ne mundohemi ti lëmë të kuptojnë që mënyra se si ata sjellin në jetë ide ose marrin vendime bazohet në eksperienca apo ngjarje të mëparshme ose njohuri, çfarëdo që kanë nga e kaluara, ato përcaktojnë idenë tjetër apo vendimin tjetër. Prandaj njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm përsa i përket mënyrës se si është ndërtuar, të kërkojë për një model dhe mënyrën se si mund ta prishi atë model, që ideja e rradhës të mos jetë ajo çka pritet por diçka më depërtuese. Një mënyrë për të vlerësuar “sesi mendimet e tua janë të ndërtuara” është rishikimi i fletoreve të shënimeve nga e shkuara apo krijimi i zakonit të mbajtjes së shënimeve për të ardhmen. Për referencë, përdorni fjalimin tim në TEDx AUBG

Kibernetika – Nëse doni të arrini d’içka, nëse doni të zgjidhni një problem, duhet të zgjidhni mjetet e duhura. Për të zgjedhur mjetet e duhura, duhet të njihni sa më shumë mjete. Studentët duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur përsa i përket mjetit të duhur për secilin problem. Le të marrim për shembull krizën e ngrohjes globale, çdo person mund të ketë propozime për zgjidhjen, në varësi të njohurive të tyre  (konstruktivizmi) dhe mjetet që posedojnë dhe zgjidhja më e mirë vjen nëse eksploroni mjete të tjera dhe rindërtoni njohuri specifike në trurin tuaj. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është të jeni të hapur ndaj eksperiencave të reja dhe njohurive në industri të ndryshme. 

Prishila Gjoka: Nuk e di nëse mund ta ndash me ne, sepse njerëzit mundohen ti fshehin këto gjëra përpara se ti realizojnë, por do të pyes gjithsesi. Cili është qëllimi yt më i madh në jetë në aspektin profesional? 

Serena Leka: Patjetër që do ta ndaj me ju: planifikoj të kem kompaninë time. Nuk mund të them me siguri nëse do të jetë një kompani e bazuar në teknologji apo konsulencë, mbase do të vijë paralelisht me një fondacion, sepse është diçka që e kam përzemër që kur isha adoleshente. Një ëndërr tjetër e imja është të kem një restorant, por le ta lemë me kaq për momentin. 

Prishila Gjoka: Duke qenë se jemi tek ëndrrat, ti gjithashtu ke trajnuar startup-e për të përmbushur ëndrrat dhe vizionin e tyre, mund të na tregosh pak përsa i përket kësaj eksperiencë? 

Lexo: 10 njerëzit më të pasur në botë i shtuan 402 miliardë dollarë pasurive të tyre! Ja kush u pasurua më shpejt gjatë 2021-shit!

Serena Leka: Po, puna ime me startup-et filloi në Shqipëri, me Unique Junior Enterprise dhe më pas kur u shpërngula në Danimarkë, kisha rolin e menaxheres rajonale në organizatën që mbështet spinouts për studentët e bachelor-it dhe master-it të quajtur Venture Cup.

Si pjesë e asaj organizate detyrat e mia ishin të mbaja leksione dhe seminare, trajnim të drejtpërdrejt për startup-et në kampus dhe t’i përgatisja ata për konkurse, grante dhe prezantime që do të zhvillonin idenë e tyre. Ndërkohë, unë ofroja trajnime për institucione si Innovation Network of Advanced Materials in Germany, The European Space Agency in Austria, EIT Food in Belgium, dhe startup-e të tjerë si konsulente personale. Tanimë, unë konsultoj një startup, fitues të një çmimi global, të quajtur Cellugy. Kam ndihmuar themeluesit të bëheshin pjesë e ekosistemit të sipërmarrjes në fazë të hershme, i prezantoja ata me subjektet, inkubatorë, akseleratorë, institucione si dhe kryeja detyra të tjera të rëndësishme, duke përfshirë menaxhimin e palëve të interesit dhe strategjitë e komunikimit. 

Prishila Gjoka: Bazuar në eksperiencën tënde si dhe informacionet që ke, cili është mendimi yt përsa i përket fazës në të cilën gjendet ekosistemi i startup-eve në Shqipëri, disa nga problemet dhe zgjidhjet e mundshme në këndvështrimin tënd?

Serena Leka: Ekosistemi i startup-eve është zhvilluar shumë shpejt në vitet e fundit. Kam parë ndryshime të jashtëzakonshme dhe një punë të shkëlqyer nga aktorët e ekosistemit. Unë besoj se shumë burime nuk janë shfrytëzuar ende. Disa prej tyre kanë të bëjnë me financimin, trajnimin, aksesin në ekspertizë ndërkombëtare. Çdokush brenda vendit që punon në trekëndëshin mes akademisë, industrisë dhe qeverisë ka diçka për të dhënë. Disa nga këto role nuk janë shfrytëzuar mirë, nuk u është dhënë fuqi e plotë, shumë subjekte po e bëjnë këtë, por duhet më shumë nxitje. 

Ka shumë probleme, disa bëhen më të mëdha vetëm duke i pranuar, disa probleme bëjnë hije mbi të tjerat, nuk do të vendos gishtin në një apo dy pika, por do të them se nevojitet ndërgjegjësimi i publikut të gjerë dhe më shumë stimuj për këdo, për të hyrë në botën e startup-eve në momentin që e duan këtë gjë. 

Në 8 tetor të 2021, ne lançuam zyrat shqiptare të Forumit Botëror të Investimeve të Engjëjve të Biznesit, një partner zyrtar i G20 Global Partnership for Financial Inclusion (GPFI), i përkushtuar në bashkëpunim global për të fuqizuar zhvillimin ekonomik të botës, në këtë rast, për të mobilizuar financat dhe për të forcuar ekosistemin e startup-eve në Shqipëri dhe rajon. 

Prishila Gjoka: Megjithatë ka një fije shprese se jemi në hapat e duhur. Mendon në ndonjë moment të kthehesh në Shqipëri për të jetuar? 

Serena Leka: Është në varësi të ndodhive të jetës sime, prandaj nuk mund ta them me siguri, por premtoj se do të gjej mënyra për të kontribuar. Jam e hapur për të gjitha llojet e bashkëpunimeve dhe siç mund ta shohësh, jam e gatshme të ndaj të gjitha ato që di që të tjerët të mund ta përdorin për të arritur në një pozicion më të mirë në karrierën e tyre. Njeriu mund të dhurojë para, kohë dhe njohuri për një kauzë të mirë dhe unë e ofroj këtë të fundit tani. 

Prishila Gjoka: Duhet ta pranojmë se gratë janë paksa të paragjykuara këtu në Shqipëri, siç e përmende dhe ti pak më parë. Çfarë këshille do të kishe për vajzat dhe gratë të cilat duan të ndërtojnë kompanitë e tyre, bizneset e tyre, apo të rriten profesionalisht? 

Serena Leka: Fillimisht, po ju ofroj një burim tjetër, unë kam nisur një podcast të quajtur “Her Frequency” bashkë me një nga kolegët e mi në universitetin e Aarhus. Ne diskutojmë tema dhe çështje me rëndësi për vajzat dhe gratë në STEM. Ne mundohemi të ndajmë praktika të ndryshme nga akademia dhe industria dhe ofrojmë burime shtesë si artikuj, libra, evente dhe video me të cilat dëgjuesit mund të punojnë më pas. 

Pra për gratë dhe vajzat në STEM apo sipërmarrëse apo gratë dhe vajzat në përgjithësi, jini të vetëdijshme se aty jashtë është një lojë burrash dhe duhet të hyni në lojë duke njohur rregullat dhe në të njëjtën kohë të propozoni rregulla të reja që janë të pandikuara nga gjnia. Fillimisht ti duhet të kuptosh lojën, që do të thotë të njohësh lojtarët, të njohësh strategjitë e tyre dhe të hysh me strategjinë tënde. 

Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se duhet të bëjmë disa punë shtesë, prandaj mos ngurroni të jepni 10%-20% shtesë mbi 100% tuaj. Shiheni si një dhuratë për të përgatitur terrenin për brezat e ardhshëm të grave dhe vajzave, për të krijuar një mjedis pa paragjykime për to. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0