Pagesat po ndryshojnë me shpejtësi, teksa bankat kërkojnë të përmirësojnë përvojën e klientit dhe teknologjia po transformon mënyrën se si njerëzit blejnë. Pagesat me telefon dhe pajisje të tjera inteligjente po rriten në të gjithë Europën, megjithëse ritmi i adoptimit ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.
Sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE), në vitin 2024 rreth 6% e të gjitha pagesave në pika shitjeje (POS) në zonën euro u kryen përmes aplikacioneve mobile, duke përfaqësuar 7% të vlerës totale të transaksioneve. Në vitin 2019, të dyja shifrat ishin vetëm 1%. Kategoria e pagesave mobile përfshin përdorimin e telefonave, orëve inteligjente, byzylykëve sportivë ose çdo pajisjeje tjetër të pajisur me portofol digjital.
Megjithë rritjen e përgjithshme, panorama e pagesave mbetet e pabarabartë. Në zonën euro gjatë vitit 2024, 75% e pagesave të përditshme u kryen në pika fizike shitjeje, 21% në internet dhe 4% ishin pagesa person-më-person (P2P). Sa i takon vlerës së transaksioneve, 58% u regjistruan në POS, 36% online dhe 6% si pagesa P2P.
Edhe pse paraja e gatshme mbetet instrumenti më i përdorur (52% e transaksioneve), ajo përfaqëson vetëm 39% të vlerës së përgjithshme. Kartat zënë 39% të transaksioneve, por 45% të vlerës, duke reflektuar përdorimin e tyre për blerje me shumë më të larta. Pagesat mobile mbajnë një peshë ende të vogël: 6% e transaksioneve dhe 7% e vlerës totale.
Holanda, kampionia e pagesave mobile
Ndër 20 vendet e eurozonës, Holanda shfaqet si rasti më i avancuar në transformimin digjital të pagesave. “Në Holandë ka një nivel shumë të lartë të adoptimit të metodave digjitale, si pagesat pa kontakt me kartë apo me telefon,” tha për Euronews Business një zëdhënës i Bankës Qendrore Holandeze. Konsumatorët holandezë i perceptojnë pagesat pa kontakt si më të shpejta dhe më të përshtatshme se pagesat tradicionale me para në dorë apo me kartë.
Lexo edhe: Apple njofton drejtuesin e ri të Inteligjencës Artificiale
Në pikat e shitjes, rreth 19% e të gjitha transaksioneve kryhen me pajisje inteligjente. Irlanda dhe Finlanda ndiqen me nga 10%. Në anën tjetër, Sllovenia, Kroacia dhe Belgjika regjistrojnë shkallën më të ulët të përdorimit, me vetëm 3% të transaksioneve që realizohen përmes pajisjeve mobile.
Mes ekonomive të mëdha të BE-së, vetëm Spanja (7%) arrin një peshë mbi mesataren e eurozonës. Gjermania është në nivelin e përgjithshëm prej 6%, ndërsa Franca dhe Italia mbeten nën këtë prag. Për nga vlera e pagesave, Holanda kryeson me 17%, e ndjekur nga Spanja me 12%, ndërsa Kroacia, Belgjika, Portugalia dhe Austria shënojnë përqindjet më të ulëta.
Lehtësia vs shqetësimet për sigurinë
Adoptimi i pagesave mobile lidhet ngushtë me aftësitë digjitale dhe perceptimin e konsumatorëve për shpejtësinë dhe komoditetin. Për ata që i përdorin, mbajtja e kartës apo parasë së gatshme është gjithnjë e më pak e nevojshme.
Megjithatë, raporti thekson se pasiguria mbetet pengesë për një numër të madh qytetarësh. Ndër përdoruesit që nuk i preferojnë pagesat mobile, 28% shprehin frikë nga sulmet kibernetike, ndërsa 27% i druhen mashtrimeve. Këto shqetësime vazhdojnë të ngadalësojnë ritmin e adoptimit, pavarësisht përvojës gjithnjë e më të përhapur të pagesave me pajisje inteligjente.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto