Mundësia e rivlerësimit të banesave përkundrejt një kostoje më të ulët se normalisht ishte parashikuar deri në fund të këtij muaji. Por, Këshilli i Ministrave ka vendosur që ta shtyjë afatin, nga 31 dhjetor 2020 në 30 shtator 2021.
Për shërbimin e rivlerësimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës thekson se mund të aplikohet online tek portali e-Albania (tek shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës) duke ndjekur hapat e njëpasnjëshme sipas udhëzimeve në sistem.
Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.
Lexo: Rivlerësimi i pasurisë sërish me kosto 3%, në vend të 15%, deri në gusht
Sipas AKSH, “nëse vlerësimin e pasurisë keni zgjedhur ta bëni me një ekspert të licencuar paralelisht me aplikimin online duhet të dërgoni raportin e rivlerësimit origjinal pranë adresës së drejtorisë përkatëse ASHK ku administrohet prona juaj. Kthimin e përgjigjes për përllogaritjen e tatimit, si dhe pagesen e aplikimit i gjeni tek mandatpagesa tek “Dokumentat e mia”. Më pas vijoni me pagesën online, me postë ose nëpërmjet bankës Credins dhe një kopje të mandatit të arketimit e ngarkoni në vijim të aplikimit ekzistues.”
Bashkë me shtyrjen e mëparshme, afati i shtyrë shkon rreth 1 vit. Gjatë kësaj periudhe rivlerësimi mund të bëhet me 3% të vlerës se shtuar të pronës, ndërsa jashtë kësaj përiudhe rivlerësimi kushton 15% e vlerës shtesë të pronës.