Risi në tregun e titujve/ AMF licencon fondin që investon në instrumente ETF - Business Magazine Albania

Risi në tregun e titujve/ AMF licencon fondin që investon në instrumente ETF

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) licencoi në fund të muajit mars fondin e parë që do të investojë vetëm në instrumente të llojit ETF (Exhchange Traded Fund). Fondi “Albsig Selective Equity ETF-s” do të jetë fondi i dytë shoqërisë së administrimit të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, Albsig Invest. ETF-të janë në vetvete fonde investimi që ndjekin një indeks të caktuar, një sektor të caktuar, një stil investimi të caktuar, etj.

Fondi “Albsig Selective Equity ETF-s” do të funksionojë në monedhën euro dhe do të investojë vetëm në aksione. Elton Korbi, Drejtor i Përgjithshëm i Shoqërisë Albsig Invest thotë se përdorimi i ETFs është rritur shumë kohët e fundit sepse ofrojnë një gamë shumë të gjërë mundësish për tu ekspozuar në segmente specifike të tregut me një kosto shumë të ulët administrimi në krahasim me fondet e zakonshme të investimit.

“Për shembull, nëse shqetësimi i një menaxheri portofoli është rritja e inflacionit, ai mund të përzgjedhë disa ETFs që përfitojnë apo mbrohen specifikisht nga rritja e çmimeve. Kostot më të ulta të administrimit dhe qartësia se nga vjen e ardhura e portofolit janë faktorët kryesorë që kanë shtyrë investitorët që të përdorin ETFs. Fondi ETF mund të jetë një alternative shumë e leverdisshme përsa i përket komisioneve dhe kostove që shoqërojnë investimet në tregjet e aksioneve si pasojë e karakteristikave të favorshme që ka ndërtimi i një portofoli me ETFs në krahasim me investimet individuale në aksione,” shprehet ai.

Lexo edhe: Bitcoin u lançua 13 vjet më parë. Ju sjellim 8 momente historike nga viti i kaluar

Sipas tij, kostot e ulta të ETFs adresojnë problemin kryesorë të investimit në tregje e huaja nga Shqipëria, i cili karakterizohet nga kosto të larta tregtimi dhe administrimi në monedhën Euro. ETFs nuk janë krijuar vetëm për të ulur kostot por dhe për të ofruar një mënyrë më eficente për të arritur objektivat e investimit.

“Kjo metodë është një mënyre efikase e ndërtimit të një portofoli pasi kursen kohë duke eliminuar procesin  e vlerësimit dhe rivlerësimit të menaxherëve apo të titujve specifike. Në këtë mënyrë menaxheri i portofolit ka më shumë kohë për tu fokusuar në pjesët e portofolit që ofrojnë më shumë të ardhura. Një ndër përfitimet kryesore është arritja e diversfikimit me një numër të kufizuar ETFs në krahasim me një numër shumë të lartë investimesh individual në tituj që do të duheshin për të arritur këtë diversifikim.

ETFs përbëhen nga një gamë e gjerë titujsh dhe ndihmojnë në uljen e riskut që vjen nga investimi drejtpërdrejt në tituj të caktuar. Një ndër çelësat e një kompozimi sa më të suksesshëm të portofolit është identifikimi sa më i qartë i riskut. Ndërtimi nëpërmjet ETFs të jep më shumë kontroll ndaj riskut të portofolit. ETFs janë transparente dhe të drejtpërdrejta në objektivate e tyre të investimit. Të gjitha letrat me vlerë që përbëjnë një ETF janë të shfaquara publikisht,” thotë z.Korbi.

Në vitet e fundit, tregu i fondeve të investimeve në Shqipëri po tenton të zhvillohet dhe diversifikohet drejt instrumenteve të reja, sidomos për fondet në valutë të huaj. Kjo tendencë pasqyron nevojën për të diversifikuar portofolet aktuale dhe për të siguruar kthime më të larta nga investimi. Megjithatë, duhet pasur parasysh se fondet që investojnë në aksione dhe instrumente financiarë më të sofistikuar përgjithësisht kanë shkallë më të lartë rreziku dhe luhatshmëri më të lartë në kohë. Për shembull, fondi i parë i investimeve në aksione në Shqipëri, WVP Top Invest, në fund të 2021 kishte një performancë ose kthim nga investimi me bazë vjetore (year to date) 20.5%, ndërsa në fund të muajit shkurt performanca ka pësua rënie në vlera negative, me -6.25%/ Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0