Riciklimi do të thotë biznes: Vende pune, aftësi të gjelbra dhe një Shqipëri më e pastër - Business Magazine Albania

Riciklimi do të thotë biznes: Vende pune, aftësi të gjelbra dhe një Shqipëri më e pastër

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Për shumë vite, menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është parë si një detyrim administrativ. Diçka që duhet bërë. Jo domosdoshmërisht një mundësi për t’u zhvilluar. Episodi i tretë i podcastit mbi ekonominë e gjelbër e sfidon këtë perceptim me një tezë të qartë: riciklimi nuk është vetëm çështje mjedisi, është çështje ekonomie.

Modeli i Beratit: nga familja te ankandi publik

Në fokus të episodit ishte rasti i Beratit, ku Bashkia ka implementuar prej tre vitesh një sistem të trajtimit të mbetjeve që nis në burim, tek qytetari dhe përfundon në përpunim dhe tregtim.

Ervin Ceca, Kryetar i Bashksë Berat, shpjegoi modelin me një logjikë të thjeshtë, por efektive: ndarja fillon në familje. Në qytet janë vendosur kosha të dedikuar për plastikë, letër, karton dhe qelq. Mbetjet mblidhen nga kompania publike e pastrimit dhe transportohen në pikën e grumbullimit pranë landfillit.

Aty bëhet seleksionimi final. Materialet e riciklueshme përgatiten për treg dhe shiten përmes ankandeve publike tek bizneset e interesuara, ndërsa pjesa e mbetur depozitohet në landfill.

Ky sistem është ndërtuar në bashkëpunim me SIDA, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, me mbështetjen financiare të qeverisë suedeze, duke sjellë ekspertizë dhe know-how ndërkombëtar në nivel vendor.

Rezultati? Mbetjet nuk janë më thjesht kosto. Janë burim të ardhurash dhe mundësi punësimi.

Nëse funksionon në Berat, pyetja që ngrihet natyrshëm është: a mund të shndërrohet ky në një model kombëtar?

Lexo edhe: “Riciklimi do të thotë biznes”/ Si të fitoni duke…

Parku i ekonomisë qarkulluese: teori që ndërtohet me “dru të ripërdorur”

Nga modeli institucional, episodi kaloi te iniciativa private. Lulzim Baumann nga Circular Economy Park Albania prezantoi një tjetër qasje: krijimin e një Parku të Ekonomisë Qarkulluese pranë aeroportit të Tiranës.

Ideja nuk ishte të shpikej diçka e re, por të ndërthureshin praktika ekzistuese europiane në një model konkret që mund të shihet, preket dhe replikohet.

Fokusi i parë i parkut është edukimi, por jo me prezantime teorike. Edukim praktik. Mure ekologjike të ndërtuara me materiale të riciklueshme. Dysheme me dru të ripërdorur. Suvatime me baltë lokale. Një hapësirë që demonstron se ndërtimi ekologjik nuk është koncept abstrakt, por realitet i zbatueshëm.

Parku nuk është një biznes që “përdor” ekonominë qarkulluese si marketing; ai është krijuar për vetë ekonominë qarkulluese.

Aftësitë e gjelbra: kyçi i transformimit

Dimensioni i tretë i episodit u fokusua tek tregu i punës. Erka Caro nga Swisscontact, në kuadër të programit Skills4Jobs, theksoi se aftësitë janë elementi kyç i këtij transformimi.

Sipas saj, nuk po flasim për aftësi krejtësisht të reja, por për riaftësim dhe transformim të aftësive ekzistuese. Investimet në energji të rinovueshme, energji diellore, energji e erës, hidrocentrale, si dhe në sektorin e riciklimit, kërkojnë profesionistë të përgatitur.

Dhe tregu po përgjigjet. Investimet, si vendase ashtu edhe ndërkombëtare, po përkthehen në kërkesë për punë dhe për profile të reja profesionale. Ekonomia e gjelbër po krijon tregje të reja, dhe tregjet kërkojnë aftësi.

Nga detyrim në zhvillim

Mesazhi i episodit të tretë ishte i qartë dhe optimist: riciklimi nuk është një barrë buxhetore, por një strategji zhvillimi.

Ai krijon vende pune. Gjeneron të ardhura. Kërkon aftësi të reja. Forcon bashkëpunimin mes pushtetit vendor, biznesit dhe sistemit të formimit profesional.

Në fund të diskutimit, u bë evidente se ekonomia qarkulluese në Shqipëri nuk është më një narrativë periferike. Ajo po ndërtohet përmes modeleve konkrete, në bashki, në parqe inovative dhe në programe riaftësimi.

Dhe çdo shishe e ndarë në burim, çdo material i shitur në ankand, çdo i ri i trajnuar në aftësi të gjelbra, është një hap drejt një ekonomie më konkurruese dhe një Shqipërie më të pastër.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0