Rezilienca: Aftësia ripërtëritëse që na ngre pas çdo vështirësie - Business Magazine Albania

Rezilienca: Aftësia ripërtëritëse që na ngre pas çdo vështirësie


Anisa Tahiri, Psikologe

Në një kohë kur çdo ditë po ndjekim hap pas hapi pandeminë covid19, kur kërcënohemi nga ky virus që punon pa reshtur, mund të ndihemi të pafuqishëm.

Ndaj këtë herë është koha të flasim për reziliencën.

Huazuar nga anglishtja, reziliencën mund ta shqipëronim si ‘aftësi ripërtëritëse’ apo ‘elasticitet’.

Rezilienca është aftësia ripërtëritëse për t’u adaptuar psikologjikisht, emocionalisht dhe fizikisht pas përballjes me një sfidë, kërcënim, a katastrofë natyrore.

Në fushën e psikologjisë, ky koncept është studiuar kryesisht si një veçori e individit. Por rezilienca nuk është vetëm karakteristikë e personit, por edhe veçori e një komuniteti, e një populli të tërë.

Rezilienca është kapaciteti i një sistemi të pësojë ndryshime të thella dhe sërish të ringrihet; është aftësia e një komuniteti për t’u ripërtërirë, për ‘ ta marrë veten’ pas një fatkeqësie natyrore apo edhe pas një pandemie.

Rezilienca është kapaciteti rindërtues pas ‘stuhive’, kapaciteti për të gjetur zgjidhje, për të minimizuar dëmet, për t’u rezistuar vështirësive, për të fituar aftësi të reja, për të ndryshuar, e mbijetuar.

Thënë ndryshe rezilienca është elasticitet; një komunitet mund të përulet përkohësisht nga një “e keqe” e përbashkët, por për hir të kësaj aftësie ripërtëritëse, e merr sërish veten dhe rikthehet në pozicionin fillestar. Por rezilienca nuk nënkupton që një sistem apo komunitet do të duket ekzaktësisht siç ka qenë përpara fatkeqësisë. Përkundrazi sistemit me shumë mundësi do t’i duhet të ndryshojë, por duke qenë rezilient do të adaptohet shpejt në situatën e re dhe do të mbijetojë.

A kemi mjaftueshëm nga kjo ‘aftësia ripërtëritëse’?

Lexo: Impakti i karantinës, çfarë mund të bëjmë

Ka disa faktorë që kontribojnë në reziliencë:

  1. Të pasurit akses tek të mirat materiale: pra të mos mungojë ushqimi, veshjet, strehimi dhe mundësitë e punësimit.
  2. Prania e marrëdhënieve suportuese; prezenca e këtyre marrëdhënieve brenda familjeve, komunitetit, shkollave, apo kolegëve të punës, lehtëson adaptimin me situatën e re pas-fatkeqësi.
  3. Sensi i pushtetit dhe kontrollit; kur individi ndihet në kontroll të jetës së tij, pra e ndjen që është ai që e ka timonin në dorë, atëherë ky sens ndikon pozitivisht edhe në aftësinë e ripërtëritjes, rezilencën.
  4. Identiteti personal; kur individi i di pikat e veta të forta e të dobëta, aspiratat e besimet, vlerat në të cilat bazon jetën dhe ka vetëvlerësim të lartë, atëherë ushtrimi i reziliencës bëhet më i lehtë.
  5. Aftësia e balancimit të interesave personalë me të mirën e komunitetit, të ndjerit pjesë e diçkaje më të madhe se vetja, angazhimi sipas kulturës dhe pritshmërive të komunitetit, pa e humbur sensin e identitetit është gjithashtu një faktor që kontribon tek rezilienca e individit.

Këto faktorë ushqejnë aftësinë ripërtëritëse dhe ndihmojnë rikuperimin.

Lexo: Kush e ka fajin për pandemitë?

Do të rikuperohemi padyshim, bota do të përdorë të gjithë aftësinë e saj ripërtëritëse dhe pas pandemisë që po kalojmë, normaliteti do të kthehet.

Jemi dëshmitarë të një kthese të fortë në historinë e njerëzimit. Pas covid19, komunitetet padyshim do të mbijetojnë, por do të pësojnë ndryshime. Do të shohim ndryshimet në marrëdhëniet brenda në familjes, po ashtu edhe në marrëdhëniet mes shteteve. A do rritet fryma nacionaliste? A do të marrin më shumë rëndësi kufinjtë? A do të mbyllet çdo shtet brenda guaskës së vet? Apo do të kujdesemi më shumë për njeri-tjetrin? A do të ndihmojmë më të varfërit? A do të kujdesemi më shumë për natyrën, për kafshët, për pemët? A do të kuptojmë që jemi më të ndërlidhur se kurrë…

Është herët akoma të thuhet.

Tani duhet të fokusohemi tek fitimi i luftës ndaj virusit covid19 dhe të besojmë në aftësinë tonë ripërtëritëse.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0