Revista BANKIERI – një dritare komunikimi profesional për bankat shqiptare dhe pjesë e dijes universitare


 

Z. Meka ka një eksperiencë mbi 16 vjeçare në fushën e tregjeve financiare, letrave me vlerë dhe bankave në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij profesionale ka punuar pranë disa institucioneve si: Banka e Shqipërisë (Departamenti i Emisionit, Divizioni i Operacioneve Monetar dhe, Departamenti i Bursës së Tiranës), Bursa e Tiranës sh.a. (Drejtor i Përgjithshëm), Shoqata Shqiptare e Bankave – AAB (Sekretar i Përgjithshëm) dhe Banka Emporiki – Shqipëri (Drejtor Financiar-CFO). Aktualisht është anëtar i bordit editorial të Revistës shkencore “ECONOMICUS”, të Fakultietit Ekonomik të UET.

Në një intervistë ekskluzive për Infoalbania.al, Meka nënvizon se revista “Bankieri”, në treg që në vitin 2011, shërben si një vitrinë autoritare, serioze dhe mekanizëm mirë-argumentues, nëpërmjet së cilës bankat artikulojnë qartë dhe në mënyrë racionale probleme të ndryshme të veprimtarisë së tyre, si dhe ofrojnë e propozojnë zgjidhjet përkatëse për to.

Sipas tij, revista i ka kaluar pritshmëritë…
, ajo ka tani një rol edukues, lidhur me trajtimin e aspekteve dhe problematikave të përditshme bankare dhe financiare, me synimin që, edhe publiku i gjerë, përveç bankierëve, të mund të përmirësojë njohuritë e tij ekonomike, financiare dhe ato bankare, si pjesë e edukimit financiar.

Revista është ofruar, që nga numri i parë, në dy versione, të printuar dhe dixhitale.

Si lindi ideja e krijimit të revistës BANKIERI?

Revista “BANKIERI” lindi në tetor 2011, si një botim tremujor dygjuhësh, në shqip dhe anglisht, i Shoqatës Shqiptare të Bankave, AAB. Gjithsesi, ideja për krijimin e një reviste profesionale për bankingun shqiptar është diskutuar që në fillimet e vitit 2008, por që u finalizua me sukses vetëm 3 vjet më vonë, në vijim të një diskutimi profesional dhe teknik për të përgatitur një revistë që do të synonte të përmbushte misionin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, lidhur me mbrojtjen, nxitjen dhe promovimin e interesave të bankingut në Shqipëri. Ndërkohë, që me botimin e kësaj reviste Shqipëria i bashkohej vendeve të rajonit dhe më tej të botës, lidhur me ofrimin e një publikimi të përkushtuar dhe profesional në fushën e bankingut.

Si ka ndikuar ky publikim te bankat dhe çfarë roli ka luajtur në veprimtarinë  e tyre?

Gjykuar nga profili dhe këndvështrimi thelbësisht i ngushtë rreth industrisë bankare, synimet dhe qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata të revistës do të ishin trajtimi dhe evidentimi sa më i plotë dhe realist i çështjeve dhe aspekteve problemore me të cilat përballej asokohe, por edhe në vijim i gjithë sektori bankar shqiptar, sidomos nëse kihet parasysh momenti i daljes për herë të parë të saj, që përkon me periudhën e efekteve të plota të goditjeve të marra nga ekonomia kombëtare, nga kriza globale ekonomike dhe financiare e vitit 2008. Nga ana tjetër, si një publikim i një organizate që mbron dhe promovon interesat e një industrie specifike, si ajo e bankingut, revista u projektua dhe mund të pohoj se ia ka arritur me sukses që të përmbushë edhe objektiva të tjera, si: unifikim dhe shpalosje qëndrimesh dhe opinionesh zyrtare ndaj autoriteteve dhe gjithë grupeve të tjera të interesit, medias etj. Në këtë mënyrë, revista shërben si një vitrinë autoritare, serioze dhe mekanizëm mirë-argumentues, nëpërmjet së cilës bankat artikulojnë qartë dhe në mënyrë racionale probleme të ndryshme të veprimtarisë së tyre, si dhe ofrojnë e propozojnë zgjidhjet përkatëse për to. Gjithashtu, nga formati i rubrikave që përmbahen në të, revista i ka ardhur në ndihmë edhe vetë bankierëve shqiptarë, për t’u njohur dhe me shumë aspekte, analiza dhe trajtime teorike e praktike të fenomeneve dhe mekanizmave që ndikojnë dhe lidhen drejtpërdrejt me profesionin e bankierit dhe bankën si veprimtari ekonomike.

A është informuar më shumë publiku rreth bankave nëpërmjët kësaj reviste?

Fillimisht revista filloi të shpërndahej kryesisht në tregun bankar, por jo vetëm, si një revistë e e profilizuar për bankingun dhe bankierët në Shqipëri. Megjithatë, ky ishte vetëm synimi afatshkurtër, pasi revista, siç tregoi dhe kjo periudhë mbi trevjeçare që nga botimi parë e në vijim, synoi dhe po përmbush edhe një rol edukues, lidhur me trajtimin e aspekteve dhe problematikave të përditshme bankare dhe financiare, me synimin që, edhe publiku i gjerë, përveç bankierëve, të mund të përmirësojë njohuritë e tij ekonomik, financiare dhe ato bankare, si pjesë e edukimit financiar.

Si do të mund të karakterizohej më mirë kjo revistë?

Duhet theksuar se, që në fillimet e saj revista u projektua si një investim cilësor dhe intelektual i AAB-së dhe bankave, jo vetëm në mbrojtjen e interesave të drejtpërdrejta të biznesit bankar, por më gjerë si një kontribuuese serioze dhe me peshë në shpalosjen e mendimit dhe praktikës ekonomike shqiptare, si dhe të bërit biznes në Shqipëri, në fushën e bankingut. Bankat dhe sistemi bankar janë dhe mbeten aktorë të mëdhenj, të pazëvendësueshëm dhe shumë të rëndësishëm, në mos vitalë, në jetën ekonomike, si dhe një mbështetës unik i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptarëve. Në këtë optikë, Revista BANKIERI ka qenë dhe do të jetë një dritare e përhershme komunikimi profesional për bankat shqiptare, në raport me gjithë pjesën tjetër të ekonomisë, qeverinë, partnerët e biznesit, qytetarët shqiptarë, etj. Nga ana tjetër, si një revistë dygjuhëshe, ajo shërben si një portal i drejtpërdrejtë informativ për të gjithë organizatat dhe organizmat e huaja rezidente në Shqipëri por jo vetëm, përfaqësitë diplomatike, etj, rreth asaj çka ndodh dhe debatohet brenda sistemit bankar shqiptar. Për më tepër, kjo rrit vizibilitetin e bankingut shqiptar dhe AAB-së në arenën ndërkombëtare, krahas simotrave të tyre në botë, që përkthehet në një rritje cilësore të imazhit të Shqipërisë në botë.

Si ka ndryshuar qasja në vitin 2015, ku teknologjia dhe komunikimi i bankave ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore?

Për sa i përket qasjes, revista është ofruar, që nga numri i parë, në dy versione, të printuar dhe dixhitale; kjo e fundit nëpërmjet faqes së internetit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, AAB[1]. Gjithashtu, ajo mund të lexohet dhe konsultohet në mënyrë komode edhe përmes platformës së publikimeve elektronike pa pagesë: ISSUU[2], që mundëson shfletimin e formatit dixhital të revistës nga çdo pajisje elektronike. Për më tepër, faqja e internetit te AAB-së ofron dhe mundësinë e shkarkimit pa pagesë të revistës në format PDF, duke i mundësuar të gjithë të interesuarve, sidomos studiuesve, kërkuesve, studentëve, etj, informacione, analiza dhe të dhëna të vlefshme rreth bankingut shqiptar dhe atij ndërkombëtar. Konkretisht, rrugëtimi i derisotëm i revistës paraqet grumbullimin e një interesi gjithnjë e më të madh për të, jo vetëm nga biznesi shqiptar, organizmat qeveritare e rregullatorë, vendase e të huaja, por edhe brenda akademisë, duke skalitur gjithnjë e më shumë profilin e saj në kontekstin e debatit akademik dhe punimet e kërkimet shkencore të stafeve pedagogjike, studentëve apo studiuesve të ndryshëm. Kështu, “BANKIERI” po shndërrohet dalëngadalë në pjesë e jetës dhe dijes universitare, që nënkupton një investim të çmuar në drejtim të përgatitjes së studentëve cilësorë, të cilët do të jenë më të përgatitur rreth bankingut në përgjithësi, e atij shqiptar në veçanti.

[1] http://www.aab.al/al/bankieri_magazine.php

[2] http://issuu.com/aabshshb/docs

Ky artikull është pjesë e publikimit online Business Magazine. Klikoni KETU për ta lexuar të plotë.

 

Must watch
Business Mag Nr. #22 - Dhjetor 2019

Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në ekonomi, e në veçanti ata që ne i quajmë gjeneratorët e kësaj ekonomie, sipërmarrësit privatë. Padyshim që sfidat janë të mëdha. Tregje të pa konsoliduara, konkurrencë e pandershme në shumë sektorë, pak mundësi për financim dhe investime në projekte të reja, Por ne kemi vërejtur gjithashtu një dinamikë e dëshirë të madhe për të ecur përpara.

Në Numrin 22 të Revistës së Businessmag, ju do të gjeni sipërmarrës të dhjetëvjeçarit të fundit, të cilët po shënojnë historinë e tyre të suksesit pa u ndier. Aktivë, energjikë, vizionarë dhe shumë të thjeshtë, ata mund të jenë një model shumë i mirë për t’u ndjekur. I tillë është Urani. Pasioni për perfeksionizëm e siguri nuk ia ul ritmin marramendës të ngritjes dhe zhvillimit të një biznesi. Ai sot ka ngritur një rrjet biznesesh të tija dhe administron edhe sipërmarrje të tjera.

Në brendësi të revistës do të gjeni edhe sipërmarrës të tjerë, nga Shqipëria dhe Kosova.

Ky numër u është dedikuar personazheve të suksesshshëm dhe zhvillimit të aftësive në shërbim të tregut. Ndaj i kemi dedkuar një paketë speciale artikujsh kapitalit njerëzor, rëndësisë së tij, sfidave dhe projekteve të vitit të arshshëm, të prezantuara në Shkollën Verore organizuar nga projekti zviceran “Aftësi për Punë”.

Mes personazheve ju sjellim Brizida Delvina, administratore e një hoteli në Tiranë, Ajo ka zhvilluar një karrierë ideale në fushën e hoteleri-turizmit. Edhe pse Brizida pëlqen të rrijë larg vëmendjes, ajo është një model frymëzues dhe një mentore e mundshme, tashmë edhe për ju që do …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale