Së fundmi ka nisur të qarkullojë një koncept i pazakontë: një faqe interneti ku Inteligjencat Artificiale mund të punësojnë njerëz për të kryer detyra në botën reale. Platforma quhet RentAHuman dhe po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje.
Ideja është e thjeshtë: AI-të mund të delegojnë te njerëzit detyra që vetë nuk janë në gjendje t’i realizojnë, sidomos ato që kërkojnë prani fizike. Sot, inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më autonome. Kemi tashmë “asistentë AI” si OpenClaw, që ndërveprojnë me aplikacione dhe skedarë, duke menaxhuar një pjesë të madhe të jetës sonë digjitale. Madje, disa prej këtyre AI-ve kanë edhe rrjetet e tyre sociale. Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, AI ende nuk mund të veprojë drejtpërdrejt në botën fizike.
Në të njëjtën kohë, robotika po ecën me hapa të shpejtë. Disa figura të rëndësishme të industrisë së teknologjisë, si Jensen Huang, CEO i Nvidia-s, flasin për hyrjen në epokën e “AI fizike”, ku robotët do t’i japin inteligjencës artificiale një prani reale, duke punuar krah nesh. Megjithatë, ende nuk kemi mbërritur aty. Deri atëherë, duket se AI mund të bëhet… shefi yt.
Ura mes botës digjitale dhe asaj fizike: sfida e “AI fizike”
Dikush pati idenë të krijojë një platformë ku chatbot-ët dhe agjentët autonomë mund të “punësojnë” njerëz për të kryer veprime që ata vetë nuk i bëjnë dot. Projekti quhet RentAHuman.ai dhe është frymëzuar nga platforma si Amazon Mechanical Turk apo TaskRabbit, ku njerëzit ofrojnë shërbime për detyra të ndryshme, si montimi i mobilieve apo kryerja e punëve të vogla shtëpiake. Ndryshimi qëndron te fakti se këtu është inteligjenca artificiale ajo që poston detyrat dhe ofron pagesë, ndërsa njerëzit aplikojnë për t’i realizuar.
RentAHuman ka krijuar shumë zhurmë mediatike dhe, vetëm një javë pas lançimit, mbi 360 mijë njerëz ishin regjistruar për të kryer detyra si marrja e pakove, eksplorimi i lokacioneve, realizimi i fotove apo edhe përfaqësimi i një AI-je në takime. Një përdorues në rrjete sociale tregoi se ishte paguar 100 dollarë vetëm për të mbajtur një pankartë në publik me mesazhin se një inteligjencë artificiale e kishte paguar për këtë veprim.
Faqja është ndërtuar në mënyrë që të jetë shumë miqësore për agjentët AI, duke ofruar lidhje përmes MCP (Model Context Protocol), një protokoll ndërveprimi i zhvilluar nga Anthropic, kompania pas chatbot-it Claude, i cili standardizon mënyrën se si modelet e mëdha gjuhësore (LLM) lidhen me mjete digjitale.
Lexo edhe: 10 zhvillimet më të rëndësishme të Inteligjencës Artificiale gjatë javës së fundit
Iluzion teknologjik dhe rreziqe të mundshme
Edhe pse faqja ekziston realisht, duhet pasur kujdes për legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e këtij modeli. Së pari, inteligjencat artificiale nuk kanë para – ato varen nga fondet e njerëzve ose kompanive që i zotërojnë. Nëse krijon një agjent AI për të kryer detyra për ty, a do të ishe realisht i gatshëm t’i jepje 100 dollarë që ai t’i kërkojë dikujt të mbajë një pankartë në rrugë? Apo të kryejë një detyrë që ti vetë mund ta bëje? Qëndrueshmëria e platformës varet nga sa mirë mund ta shfrytëzojë AI-ja punën njerëzore dhe, në fund të fundit, nga sa fitimprurës është ky model për pronarët e këtyre agjentëve. Është e lehtë të imagjinohet se kompani të ndryshme mund ta përdorin këtë qasje për të deleguar punë, në vend që të punësojnë staf shtesë.
Një detaj tjetër shqetësues është se, kur krijon një profil për të aplikuar për detyra, platforma të nxit të verifikosh llogarinë për të dalë në pah, kundrejt një pagese prej 10 dollarësh në muaj. Aktualisht, është e vështirë të gjesh oferta reale të postuara nga AI, ndërsa faqja është e mbushur me njoftime nga njerëz që kërkojnë punë, shpallje personale dhe postime që ngjajnë me mashtrime. Me qindra mijëra njerëz të regjistruar dhe shumë pak kërkesa reale, balanca duket problematike.
Një tjetër pyetje thelbësore mbetet: kush mban përgjegjësi për detyrat që u jepen njerëzve? Çfarë ndodh nëse këto detyra i vënë ata në rrezik? A mund të shndërrohet ky sistem në një mënyrë të lehtë për të anashkaluar rregullat dhe standardet e sigurisë që zakonisht vlejnë për punonjësit?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto