Rekrutimi: Ana tjetër e medaljes. Rregullat e mia për të dalluar një punëdhënës të keq - Business Magazine Albania

Rekrutimi: Ana tjetër e medaljes. Rregullat e mia për të dalluar një punëdhënës të keq


Nga Klodiana Malko
Marketing Communications

 

Nuk ka pse të jenë vetëm intervistuesit ata që do të marrin vendimin nëse kandidati përfaqëson zgjedhjen e duhur për pozicionin vakant në një kompani. Edhe kandidati mund të vendosë nëse ajo kompani ia vlen, apo është një humbje kohe dhe energjish e rradhës (përveç rrogës në fund të muajit).

Ky është shkrimi im i parë profesional në Linkedin. Më e veçanta, është që kam vendosur të shkruaj për një temë që nuk lidhet me profesionin tim. Me kohën kam arritur të kuptoj që më objektivët janë ata profesionistë që gjykojnë për një fushë të ndryshme nga ajo e profesionit të tyre. Kam përshtypjen që kjo vjen krysesisht ngaqë gjykimi bazohet mbi racionalitetin dhe jo pasionin për atë fushë, apo skematizmin apo edhe më keq subjektivizmin. Në rast se nuk vlen gjykimi, të paktën le të vlejë opinioni i një profesionisti….

Kohët e fundit më ka rastisur shpesh të lexoj artikuj të përkthyer nga interneti të tipit “10 gjërat që nuk duhet ti thoni gjatë një interviste”, “5 mënyrat për një intervistë impresionuese”, “Si të sillemi në një intervistë” etj. Këto artikuj unë i quaj “amerikanizma në formë manuali” të dedikuara për njerëzit shabllonë. Nuk kam lexuar asnjë artikull me këshilla të vlefshme të cilat lidhen me tregun lokal të punës dhe jo me atë Evropian apo Amerikan. Dhe mbi të gjitha shumë pak shkrime i referohen rasteve konkrete, duke u larguar nga supozimet teorike të shkencës së Burimeve Njerëzore. Le të jemi pak më praktikë dhe vetëm për një moment ti harrojmë citimet e Konfucit, Maya Angelou, Steve Jobs, teorive rreth Lidershipit, etj., etj.

Në këto 12 vite eksperiencë në fushën e marketingut kam realizuar shumë intervista pune. Nga kjo dyzinë intervistash mbaj mend vetëm një intervistë mjaft impresionuese për nga profesionalizmi: këtu nuk i referohem rezultatit final, por mënyrës së intervistimit… Shumica prej tyre kanë qenë dështime të realizuara me sukses dhe kjo, me meritën kryesore të palës intervistuese dhe sigurisht natyrës time rigoroze dhe shumë detajiste.

Më poshtë kam renditur disa raste ku paraqiten tipologji të ndryshme intervistash ku padyshim shumatorja e të gjithë elementëve të thotë “JO, është vendi më i keq për të investuar eksperiencën dhe talentin tënd!”

1. Nëse gjatë intervistës pala rekrutuese i referohet një formulari skematizues (pra asnjë pyetje nuk bëhet jashtë asaj skeme), kjo do të thotë që përpara jush keni një punëdhënës po aq skematik sa dhe letra që mban në dorë. Konsiderojeni si një sinjal për një ambient pune që i përmbahet skemave dhe nuk motivon. Ose ne rastin me te keq i kane marre pyetjet nga interneti.

2. Në rast se ju kërkojnë një CV në Shqip, pasi atë që keni paraqitur në Anglisht nuk e kupton dikush nga vendimarrja!!!! Ky me siguri është rasti ku do të pendoheni që keni ardhur…

3. Në rast se gjatë intervistës ju jeni duke folur dhe pala tjetër ju ndërpret dhe ju thotë se “ai/ajo është shumë i/e zënë dhe duhet të shikojë postën elektronike”. Ju lejon të kuptoni për një punëdhënës fodull që nuk do t’ju dëgjojë asnjëherë përveç rasteve kur opinion juaj është i njëjtë me të të tijin.

4. Në rast se ju keni rradhën për të folur dhe pala intervistuese i mbivendoset zërit tuaj, duke mos ju lënë të flisni. Të jeni të sigurt se kjo është praktika e tij e punës.

5. Zakonisht intervistuesit nuk i pëlqejnë kandidatët që flasin keq për kompanitë për të cilat kanë punuar më parë. Por ka nga ato raste ku ndodh e kundërta…Pra ju jeni duke folur mirë për një kompani ku keni punuar më parë ose jeni duke marrë një shembull pozitiv duke përmendur emrin e një kompanie dhe pala tjetër përpiqet të errësojë sfondin e eksperiencave tuaja… Kjo tregon jo vetëm për mbivlerësim të vetes që bën pala tjetër, por edhe për një kulturë egoizmi që nuk pranon filozofonë krahasuese me tregun.

6. Rasti më i keq është kur gjatë intervistës Administratori flet keq për stafin e tij. Të jeni të sigurt se pasi ju të filloni punë në atë kompani ai do të bëjë të njëjtën gje me ju, ndaj veprimi më i drejtë është ta refuzoni një ambjent të tillë pune që bazohet mbi konspiracinë dhe jo meritokracinë.

7. Në rast se ju kërkojnë që të paraqisni një propozim konkret pa ndonjë temë të caktuar më parë, ose të jepni opinionin tuaj për një çështje rreth të cilës ju nuk keni mjaftueshëm informacion. Ky është një sinjal për një farë “dëshpërimi” dhe orvatje për të marrë ndonjë opinion falas…

Një punë e mirë nuk mund të perceptohet vetëm ajo punë ku rroga është e mirë, ende ka shume kompani qe operojnë në të zezë duke mos deklaruar pagat e punonjësve. Një punë e mirë po ashtu nuk është vetëm ajo ku mund të dalësh për kafe sa here të duash, ose krejt e kundërta të ndihesh si një i burgosur ku askush nuk komunikon me kolegët. Një punë e mirë nuk është ajo ku njerezit i kryejnë detyrat “me gojë”, sepse nuk dinë as të komunikojnë me e-maila, por jo dhe krejt e kundërta ku s’ka fare komunikim me gojë pasi edhe për gishtin që lëviz do të duhet të raportosh me e-mail dhe dikush do ta shikoje si e ke shkruar e-mailin.

Një punë mirë është ajo ku të lejohet socializimi, mendimi i lirë dhe i pavarur dhe balancimi mes stresit te punes dhe nevojave financiare dhe atyre për zhvillim.

Në rast se në ditët e para të punës ju konstatoni që askush nuk ju ka sjellë kontratën për firmë, apo dikush bërtet në zyrën ku ju do të punoni/drejtoni ndoshta më mirë ta mendoni dhe një herë vendimin që keni marrë.

 

Artikulli: Rekrutimi: Ana tjetër e medaljes. Rregullat e mia për të dalluar një punëdhënës të keq – u publikua së pari në LinkedIn nga Autorja dhe u ripublikua me lejen e saj në BusinessMag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0