Reinaldo Pipiria për regjistrin e ri të taksave vendore: “Transparenca është çelësi për tregun e pasurive të paluajtshme” - Business Magazine Albania

Reinaldo Pipiria për regjistrin e ri të taksave vendore: “Transparenca është çelësi për tregun e pasurive të paluajtshme”

Reinaldo Pipiria për regjistrin e ri të taksave vendore: “Transparenca është çelësi për tregun e pasurive të paluajtshme”

Nga Eni Muça- Ka disa ditë që bashkitë në gjithë vendin janë detyruar të mbajnë një regjistër elektronik të taksapaguesve dhe detyrimeve të tyre vendore, sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financave që hyri në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Ky hap synon të adresojë një problem të kahershëm: fragmentarizimin e të dhënave mes bashkive, të cilat deri më sot kanë pasur sisteme të ndryshme, që nuk ndërveprojnë me njëra-tjetrën apo me tatimet qendrore. Sipas Ministrisë, regjistri i ri do të krijojë bazën për një administrim më efikas të taksave vendore, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e raportimit fiskal.

Regjistri i detyrueshëm për çdo bashki do të përfshijë:

  • Llojet e taksave dhe tarifave vendore në fuqi për çdo vit buxhetor;

  • Bazën dhe nivelin e secilës taksë;

  • Listën e individëve, tregtarëve, ambulantëve dhe entiteteve juridike me detyrime tatimore;

  • Përjashtimet dhe lehtësimet fiskale për kategori të caktuara;

  • Të ardhurat e planifikuara dhe ato të mbledhura sipas kategorive të taksapaguesve;

  • Detyrimet e prapambetura, gjobat dhe kamatëvonesat.

Regjistri do të mbahet në formë elektronike dhe do të sigurojë standardet më të larta të sigurisë dhe privatësisë, duke ofruar mundësi kërkimi, filtrimi dhe raportimi statistikor. Për ta përditësuar dhe menaxhuar, bashkitë do të bashkëpunojnë me një sërë institucionesh kombëtare si Drejtoria e Tatimeve, QKB, Kadastra, OSHEE, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve e të tjera. Bashkitë do të jenë të detyruara të dërgojnë raportime statistikore në Ministrinë e Financave të paktën një herë në vit. Mosdërgimi i këtyre të dhënave do të konsiderohet shkelje administrative dhe do të gjobitet sipas ligjit për financat vendore.

Lexo edhe: “Stabilitet, rritje dhe teknologji e avancuar” – Reinaldo Pipiria na tregon të ardhmen në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri për 2025!

Krijimi i këtij regjistri nuk lidhet vetëm me administrimin fiskal, por pritet të ketë ndikim edhe në sektorë të ndjeshëm si tregu i pasurive të paluajtshme. Sipas Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i NAREA, kjo nismë është një hap drejt transparencës dhe funksionimit më të parashikueshëm të tregut. “Kudo ku ka regjistrim kombëtar, transparenca dhe qasja publike janë gjëja e duhur. Sa më të qarta të jenë të dhënat për pronat , kush i zotëron, a janë shtetërore apo private, çfarë destinacioni përdorimi kanë dhe çfarë tatimesh mbartin,  aq më e lehtë bëhet të zhvillohet biznes mbi bazën e informacionit real dhe të parashikueshëm,” – shprehet Pipiria.

Sipas Pipirias, nëse regjistri shoqërohet edhe me një skemë të drejtë taksimi, duke mbështetur shtresën e mesme përmes lehtësive për shtëpinë e parë dhe banesën parësore, do të shfaqen dy efekte të dukshme:

  1. Dalja e pronave të pashfrytëzuara në treg – Pronat e bllokuara aktualisht do të inkurajohen të jepen me qira ose të shiten, sidomos nëse masat shoqërohen edhe me procesin e rivlerësimit. Kjo do të rrisë qarkullimin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe do të sjellë më shumë transparencë.

  2. Rritja e ngarkesës te përdoruesi final – Nga ana tjetër, tatimet dhe tarifat e reja do të ndihen në xhepat e qiramarrësve, pasi barra fiskale shpesh kalon tek ata që përdorin pasurinë.

Në planin afatgjatë, regjistri i unifikuar pritet të ndihmojë shtetin të ndërtojë politika fiskale më të balancuara, të ulë evazionin dhe të shmangë praktikat e paqarta që kanë karakterizuar deri më sot administrimin e taksave vendore. Për qytetarët dhe bizneset, transparenca mbi detyrimet dhe lehtësitë fiskale do të thotë më shumë siguri ligjore dhe më pak hapësira për abuzim. Megjithatë, sfida qëndron tek mënyra si do të implementohet: kapacitetet teknike të bashkive, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave mbeten elementë kyç që do të përcaktojnë suksesin ose dështimin e kësaj nisme.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Ndonjëherë nuk e sheh veten tënde qartë, deri kur e sheh me sytë e të tjerëve.”
— Ellen DeGeneres
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0