Raporti i tranzicionit të BERZH. Sejko: ekonomia ka shënuar progres. Çmimet e rritura do të rëndojnë familjet dhe bizneset - Business Magazine Albania

Raporti i tranzicionit të BERZH. Sejko: ekonomia ka shënuar progres. Çmimet e rritura do të rëndojnë familjet dhe bizneset

Raporti i tranzicionit

Çmimet e larta kanë prekur ekonominë dhë familjet, ndërsa Raporti i Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim 2021-2022 flet për progres, veçanërisht në fushën e digjitalizimit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se mbajtja e këtij takimi me prani fizike përcjell një mesazh të rëndësishëm dhe tregon se ekonomia botërore po lë pas ditët më të këqija dhe pasojat më të rënda të pandemisë me të cilën ajo është përballur gjatë dy viteve të fundit.

“Megjithatë, në horizontin tonë si politikëbërës është shfaqur një sfidë e re, sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksionet e vendosura, të cilat kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të ushqimeve, të naftës, të produkteve energjetike dhe të lëndëve të para, në tregjet ndërkombëtare. Informacioni i disponuar sugjeron se këto çmime do të vijojnë të mbeten të larta, të paktën dhe gjatë pjesës së mbetur të vitit 2022”, tha Guvernatori.

Ndaj, sipas tij, rritja gjatë muajit të kaluar e normës bazë të interesit sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend.

Lidhur me  mesazhet kryesore të Raportit të Tranzicionit, ai tha se raporti evidenton progres të mëtejshëm, ndonëse gradual, të reformave strukturore në Shqipëri dhe në vendet e rajonit. Ky është një zhvillim inkurajues, për vetë faktin se progresi ka ndodhur gjatë dy viteve, në të cilat vëmendja dhe energjitë kryesore kanë qenë të përqendruara në tejkalimin e pasojave të pandemisë. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se vendet e rajonit kanë bërë progres të qenësishëm në zhvillimin e tregut financiar, me reforma specifike që kanë përmirësuar infrastrukturën e tregut, kornizën ligjore e rregullatore, diversifikimin e instrumenteve financiare, si dhe thellësinë e tregut.

Raporti gjithashtu vëren se përballja me pandeminë përshpejtoi trendin e nisur të digjitalizimit të shumë aspekteve të jetës dhe të punës. Guvernatori u shpreh se përfitimet nga digjitalizimi, në terma të rritjes së eficiencës e të produktivitetit, por edhe të rritjes së aksesit në financë, janë të mirëdokumentuara.

Lidhur me këtë, ai shtoi se raporti vë në dukje se ky proces ishte edhe më i shpejtë në rajonin tonë, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë, në ruajtjen e vendeve të punës përgjatë pandemisë dhe në shtimin e tyre pas hapjes së ekonomive.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0