Në një raport të situatës së Covid-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar trendin e përhapjes së infeksioneve në rajone të ndryshme.
Sipas këtij raporti, transmetimi i infeksioneve në Shqipëri është përcaktuar si “Clusters of Cases” (grupe rastesh) që në shëndetësi nënkupton një grumbull të infeksioneve me përqëndrim më të lartë vetëm në një ose disa zona të caktuara.
Nëse i referohemi statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, zonat me numër më të lartë të të infektuarve aktivë janë Tirana e ndjekur me një diferencë të theksuar nga Durrësi dhe Shkodra. Pra, Shqipëria nuk ka përhapje komunitare.
Përsa i përket Kosovës, raporti i OBSH-së e ka përcaktuar trendin e infeksioneve si “Community Transmission” (transmetim komunitar), pra transmetim që nuk ka një burim të qartë të vendit të origjinës së virusit në komunitet. Me pak fjalë, është e vështirë të identifikohet se kush infektoi kë.
Në një postim në Facebook, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti – i cili ka shërbyer më parë si koordinator projektesh në zyrat e OBSH-së në Shqipëri, është lektor në Univesitetin e Mjekësisë dhe shërben si komisioner shkencor në Institutin e Shëndetit Publik – shpjegoi:
“Pra, përmes një thjeshtimi epidemiologjik, mund të themi se në gjuhën e semaforit:
E gjelbër – raste sporadike me Covid-19 ose aspak raste;
E verdhë – Grupe rastesh me Covid-19;
E kuqe – Transmetim komunitar i Covid-19.”
Sipas Raportit te Situatës nr. 195 të OBSH (2 Gusht 2020), të bashkëngjitur:
Shqipëria – Grupe rastesh
Maqedonia e Veriut – Grupe rastesh
Mali i Zi – Grupe rastesh
Kosova – Transmetim komunitar
Serbia – Transmetim komunitar
Bosnje-Hercegovina – Transmetim komunitar
Po ashtu, si Grupe Rastesh paraqiten edhe vendet e BE-së fqinje si Italia, Greqia, Kroacia, Sllovenia.
Në postimin e tij, mjeku thekson se shtetet si Shqipëria që ende kanë grupe rastesh janë në gjendje të evitojnë përkeqësimin e situatës. Ai shton se Kosova duhet të tregojë kujdes të madh sepse situata ka dalë jashtë kontrollit epidemiologjik.
Pra, shtetet me grupe rastesh janë ende epidemiologjikisht në gjendje që të evitojnë përkeqësimin e situatës duke:
- Ruajtur distancën fizike (2 metra);
- Ruajtur higjienën e rregullt të duarve;
- Mbajtur maskën nëse nuk ruhet dot distanca fizike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.