Qytetet minerare në Rumani i varin shpresat te lojërat e fatit - Business Magazine Albania

Qytetet minerare në Rumani i varin shpresat te lojërat e fatit

Në qytetet minerare në Luginën Jiu në Rumaninë jugperëndimore, shumica e njerëzve vishen me të zeza. Disa dekada më parë, kur vendasit po gërmonin për qymyr dhe e digjnin atë për të mbajtur në punë industrinë socialiste, rrobat e errëta përdoreshin për të fshehur blozën. Tani që shumica e minierave janë mbyllur dhe ajri është më i pastër, rrobat e errëta janë thjesht një kujtesë e atyre kohëve dhe një pjesë e mjedisit të zymtë. Megjithatë, jo të gjitha gjërat janë të zeza. Ngjyrat e shndritshme dhe dritat verbuese të qendrave të lojërave të fatit bien shumë në kontrast me blloqet komuniste gri mbi to dhe ndërtesat industriale të braktisura afër tyre. Ato duket se ofrojnë premtimin për një të ardhme më të ndritur.

Industria e lojërave të fatit ka lulëzuar këtu gjatë dekadave të fundit, ashtu si ka ndodhur në shumicën e zonave të varfra të Rumanisë që kaluan trazira ekonomike dhe sociale. Një ish-minator thotë që në Luginën Jiu – ku ekziston ende nostalgjia për kohën e minierave të qymyrit – slotet kanë ekzistuar “si një mënyrë jetese” që nga fillimi i viteve 1990. Andrei, djali i një ish-minatori, është një nga ata që ka rënë pre e joshjes së sloteve. “Nuk do të luaj më me to! Në dreq të shkojnë!” i thotë vetes. Por Andrei (emri i tij është ndryshuar me kërkesën e tij) e njeh aq mirë veten sa të kuptojë se gjërat nuk funksionojnë kështu. Pas një farë kohe – mbase një muaj, mbase gjashtë – do t’i hipë përsëri dëshira dhe ai do të fillojë të luajë përsëri. I përhumbur nëpër drita dhe tinguj, ai nuk do të dëgjojë më askënd përreth tij.

Rreth dy muaj më parë, në lokalin ku u takuam, Andrei kishte humbur 8,000 lei (1,650 euro) në bixhoz – afërsisht totali i dy muaj punë – brenda një ore. Ai thotë se luan vetëm kur dikush e gënjen. Thotë se kjo e zemëron shumë dhe se ai nuk mund t’i kontrollojë emocionet e tij. Atë ditë një bashkëpunëtor e kishte gënjyer. Ata u takuan në bar më vonë dhe kjo e kishte zemëruar. Andrei u ngrit nga tavolina dhe filloi të luante në slote. “Nuk më pëlqen të më gënjejnë.” Andrei është 31 vjeç dhe jeton në Petrila, një qytet në Luginën Jiu. Ai fillimisht nisi të luante në slote në një pikë lojërash fati kur ishte 12 vjeç. Ajo ishte afër shkollës dhe ai shkonte me djem të tjerë pas mësimit. Zonja pas banakut nuk u tha kurrë se nuk mund të luanin. “Dhe ju e dini si është, fati i fillestarit.” Andrei kujton se herën e parë që luajti fitoi 30 lei (6 euro).

LEXO: Rikthehen lojërat e fatit në qendër të Tiranës

Në moshën 16 vjeçare, ai filloi punë duke vendosur dyer apartamentesh. Në fund të çdo dite pune, ai kishte rreth 100 lei (20 euro) për të shpenzuar. As që shqetësohej të shkonte në shtëpi për të ndërruar rrobat, por shkonte direkt në slote dhe luante aty rreth 80% të parave të tij. Me pjesën tjetër blinte dy birra dhe një paketë cigare. Për një ose dy ditë, Andrei fitonte dhe dyfishonte ose trefishonte paratë e tij. Por gjatë ditës së tretë ai do t’i humbte të gjitha paratë brenda gjysmë ore. E pyeta nëse e kishte menduar ndonjëherë të kërkonte ndihmë. Ai heshti për një moment, pak i befasuar. Më tha se nuk ka probleme me kumarin, sepse nuk luan çdo natë, siç bëjnë të tjerët. Dhe ai nuk shet gjëra nga shtëpia për të luajtur, siç bëjnë të tjerët.

Çfarë i shtyn njerëzit si Andrei të vazhdojnë të luajnë bixhoz dhe ku shkojnë ata kur humbin gjithçka? Çfarë burimesh, nëse ka, ka komuniteti për t’i ndihmuar ata? Dhe me ardhjen e pandemisë dhe mbylljen e atyre pak vendesh pune në luginë, lind një pyetje e re: çfarë do të ndodhë me këta njerëz, jeta e të cilëve rrotullohet rreth bixhozit dhe sloteve?

Nga hero në zero

Gjatë epokës komuniste, minatorët portretizoheshin si heronj që mbanin ndezur zjarrin e industrisë. Statujat, mozaikët dhe basorelievët i përshkruanin ata me krahë të stërmëdhenj dhe me një shikim të vendosur, si krijesa mitike të gatshme për të lëvizur malet. Shteti i paguante ata me rroga të mira për punën e tyre të vështirë, nëntokë, si edhe u siguronte pushime dhe trajtime në resortet malore. Njerëzit vinin nga e gjithë Rumania për t’iu bashkuar radhëve të njerëzve që punonin në Luginën Jiu dhe për të siguruar qymyr për vendin. Kapitalizmi u solli atyre një lloj tjetër shpërblimi. Gjatë muajve të parë të demokracisë, në Luginën Jiu u hapën shumë pabe. Një artist vendas, Ion Barbu, bëri një regjistrim të vendeve që papritmas u shfaqën në rrugën kryesore që kalon në qendër të Petrilas, një nga qytetet minerare në Luginë Jiu. Totali ishte 42. “Pastaj, ne jetonim ende me iluzionin se jemi të pasur”, tha Ina Berar, e cila është nga Petrila dhe punon si psikologe në Petrosani.

Lugina Jiu ishte vendi i përsosur ku biznesmeni i ri Sorin Constantinescu të testonte slotet e reja që ai kishte sjellë nga Jugosllavia pasi punoi atje si punëtor ndëtimi. Në atë kohë, në Rumani nuk kishte asnjë ligj që rregullonte lojërat e fatit, kështu që pronarët e këtyre pajisjeve nuk duhej të paguanin për licenca ose leje. Duhej thjesht një njeri, slotet e tij dhe oreksi i madh i njerëzve për çdo gjë të re dhe me shkëlqim. Constantinescu po kërkonte një vend në Luginën Jiu dhe nuk iu desh shumë kohë për të gjetur një lokal të gatshëm për të akomoduar slotet. “Nuk kishte kompjuter, kështu që pronari i lokalit grisi një flet nga një fletore për fëmijë. Përgatitëm kontratën, u ulëm, pimë nga një birrë dhe biseduam. Vendi ishte plot me minatorë. Gjatë kohës që ishim atje, për rreth tre orë, nxora koston e të gjitha pajisjeve të mia. Ua nxora paratë.”

Slotet u integruan shpejt në peisazhin argëtues lokal. Dhe me paratë që bëri në Luginën Jiu, Sorin Constantinescu vazhdoi të blinte gjithnjë e më shumë slote të tjera, duke e përhapur biznesin e tij në të gjithë vendin. Ai fitoi shumë para, drejtonte kazino dhe u bë një nga njerëzit më të njohur në industrinë e lojërave të fatit. Nga ana tjetër, në Luginën Jiu gjërat nuk shkonin dhe aq mirë. Në fillim, ishin të ashtuquajturat “Mineriades”, të cilat ishin hakmarrje qeveritare kundër protestave të opozitës në Bukuresht në fillim të viteve 1990, të cilat përdorën punëtorë nga Lugina Jiu si një milici të armatosur. Imazhet e minatorëve që vinin në Bukuresht me trena, me uniformat dhe helmetat e tyre dhe duke rrahur njerëzit shpejt zëvendësuan idealin që përfaqësonte minatori gjatë kohës së komunizmit. Gjatë viteve të ardhshme, fuqitë e reja politike i shpërblen minatorët me paga të mira dhe i mbrojtën ata nga efektet më të këqija të kolapsit ekonomik, edhe pse prodhimi i qymyrit kishte rënë me gati 50% nga periudha komuniste.

Por në vitin 1997  Lugina Jiu përjetoi një tronditje të madhe ekonomike: midis vitit 1997 dhe 1999, pothuajse 20,000 minatorë humbën punën, nga një total prej 45,000 të tillë. Për të shmangur një katastrofë shoqërore, autoritetet u ofruan minatorëve midis 12 dhe 20 paga kompensuese, në varësi të vjetërsisë së tyre, dhe shumë u larguan vullnetarisht. Pagesat e kompensimit dukeshin si “para falas” dhe shumë nuk dinin çfarë të bënin me shumat e mëdha që morën, kujton kryetari i bashkisë së Vulcanit, Gheorghe Ile. Një pjesë e parave, në mënyrë të pashmangshme, përfunduan në slotet e lojërave të fatit. Psikologia Ina Berar kujton: “Kishte paga kompensuese që u zhdukën në këtë mënyrë.”

Pastaj minierat filluan të mbyllen. Nga 14 që prodhonin qymyr në Luginën Jiu në 1990, sot operojnë vetëm katër, por edhe këto janë drejt mbylljes/ Sipas një projektvendimi qeveritar të nxjerrë për debat publik disa muaj më parë, miniera e Loneas, në Petrila, duhet të mbyllet në fund të këtij viti. Ajo në Lupeni – një qytet tjetër në Luginën Jiu – do të mbyllet nga mesi i vitit 202. Përshëndetja tradicionale e minatorëve “Paç fat”, e cila dikur shkruhej në hyrjen e pothuajse çdo miniere, tani përshtatet po aq mirë në hyrjet e qendrave të reja të lojërave të fatit.

Asnjë rinovim, vetëm nostalgji

Luginën Jiu e ka pushtuar nostalgjia e minierave. Kjo është mëse e kuptueshme duke pasur parasysh që vendasit kanë jetuar duke punuar nëpër miniera këto 200 vitet e fundit, pa ndonjë plan rezervë. Në qytetet më të rëndësishme në zonë – Petrosani, Vulcan, Lupeni, Petrila, Uricani dhe Aninoasa – tani ka rreth 130,000 njerëz që jetojnë atje. Që nga viti 1992 – kur industria minerare ishte akoma e fortë – këto lokalitete kanë humbur rreth 20% të popullsisë së tyre, me shumë ish-minatorë dhe familjet e tyre që largohen për të jetuar dhe punuar në rajone të tjera të Rumanisë ose diku tjetër në Europë. Shpresat e shumë prej atyre që qëndruan pas janë zbehur njësoj si grija e peizazhit post-industrial. Gjatë viteve të ardhshme, Lugina Jiu dhe provinca Oltenia janë në radhë për të marrë 757 milionë euro në fonde europiane të pa rimbursueshme, për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të rajoneve pas mbylljes së minierave të fundit. Megjithatë, ato para kushtëzohen nga ekzistenca e projekteve të zhvillimit në zonë, dhe përvoja e 30 viteve të fundit tregon se projekte të tilla janë të vështira për t’u zhvilluar dhe për t’u zbatuar në praktikë.

Alex Kelemen është një koordinator programi në “Caritas Petroșani”, një OJQ që gjithashtu ofron këshillime dhe udhëzime arsimore për të rinjtë në Luginën Jiu. Kelemen vlerëson se do të duhen rreth dy breza që njerëzit ta kapërcejnë këtë moment dhe të fillojnë ta formësojnë të ardhmen e tyre në drejtime të tjera. Qytetet në Luginën Jiu rreshtohen përgjatë luginës së formuar nga uji midis katër masiveve malore dhe në sfondin e tyre ndodhen kulla të ndryshkura dhe pajisje minierash ose ato që kanë mbetur prej tyre. Kryetarët e bashkive gjithmonë përmendin turizmin si një mundësi për zonën, por ata e bëjnë këtë pa shumë bindje.

Miniera e Petrila, e cila u mbyll në vitin 2015 pas 156 vitesh në punë, ka lënë pas ndërtesa dhe pajisje të vjetra në periferi të qytetit. Ion Barbu, artisti vendas, dhe një grup që ai mblodhi rreth tij u përpoqën të shpëtonin trashëgiminë industriale të minierës përmes projekteve kulturore, por veprimet e tyre ishin pre e burokracisë mbytëse, indiferencës dhe vjedhjeve. “Po mendoja për fatin e Petrilas”, tha Barbu për BIRN. “Është një vend ku nuk ndodh asgjë dhe çdo ditë është njësoj. Nuk ka kinema, nuk ka teatër… Autoritetet e kthyen stadiumin në një park që tani është plot me barëra të këqija. Praktikisht, e gjithë industria e argëtimit nuk ekziston. Pra, çfarë mund të bësh?”

E gjithë jeta e Petrilas duket se është përqendruar në rrugën kryesore. Ka dy radhë ndërtesash me tulla me dyqane me rroba t përdorura, farmaci, pastiçeri, shumë bare dhe, natyrisht, vende me makina lojërash fati. Në murin e një ndërtese dikush ka shkruar: “Paraja flet dhe mban gjallë ëndrra të vogla”. Nga 24,000 banorë, sipas statistikave, rreth një e treta punojnë jashtë vendit. Shumë kanë dalë në pension në moshë të re, nëse e kanë pasur këtë mundësi, dhe kanë pensione të mira, shumë kohë të lirë dhe pak për të bërë. Si në shumë vende të tilla, të rinjtë largohen sapo të mbarojnë shkollën e mesme ose më herët.

Fola me Darius Negoi, një 18-vjeçar nga Petrila, disa ditë para se ai të kalonte provimet e maturës.  Ai po mendonte të studionte psikologji në Timishoara. “Është më mirë të shkoj diku ku mund të krijoj një të ardhme për veten time sesa të punoj këtu për një pagë minimale”, tha ai. Ka ende disa miniera të tjera, por nuk do të vonojë shumë derisa të zhduken të gjitha. “Pas kësaj, mendoj se Lugina Jiu do të marrë fund”, psherëtiu ai.

Një komunitet i varfër si ky është një dhuratë nga perëndia për industrinë e lojërave të fatit, tha Kelemen. “Nuk mendoj se kompanitë llogarisin se sa i varfër ose i pasur është një komunitet, por se sa lehtë njerëzit do të heqin dorë nga disa para me shpresën për të fituar disa të tjera shpejt. Pra, ato krijojnë hapësira sociale aty ku njerëzit nuk kanë mundësi.”

Shtimi i makinerive të lojërave të fatit

Në vitin 2019 në Rumani kishte 77,913 slote lojërash fati. Numri i tyre është rritur vazhdimisht që nga viti 2004, kur kishte 16,021 njësi të tilla. Institucioni që autorizon, kontrollon dhe monitoron të gjithë industrinë është Zyra Kombëtare e Lojërave të Fatit (ONJN), ose Rombet, e cila mbikëqyret nga qeveria. Në Qarkun Hunedoara, ku ndodhet Lugina Jiu, ka 1,726 pajisje lojërash fati. Të dhënat nga bashkia e Petrilas tregojnë se vetëm këtu tani ka 27 vende me pajisje të tilla – bare ose dhoma speciale. Duke marrë një mesatare prej pesë pajisjesh në një dhomë (një llogaritje e bazuar në të dhëna të disponueshme në shkallë vendi), ne mund të vlerësojmë se në Petrila ka një pajisje për çdo 177 banorë, pavarësisht nga mosha. Për krahasim, në nivel kombëtar ka një slot për çdo 248 banorë.

Shteti rumun e lë problemin e varësisë nga lojërat e fatit në duart e industrisë, siç tregohet nga një investigim i publikuar nga BIRN në 2016. Një ligj në vitin 2015 detyron kompanitë të mbështesin një “fondacion me interes publik”. Një shoqatë e quajtur “Joc Responsabil” (Shoqata Përgjegjëse për Lojërat e Fatit), e cila operon në këtë formë që nga viti 2018, mbështetet nga tre shoqatat kryesore në industri dhe ofron, ndër të tjera, një shërbim vetë-testimi për lojtarët, një linjë ndihme falas, një shërbim çati të disponueshëm gjatë gjithë kohës, mundësinë për të marrë pjesë në pesë seanca terapie falas në një nga qendrat në Bukuresht, Iasi ose Cluj, ose mundësinë për të përjashtuar veten nga vendet e lojërave të fatit, një zgjidhje që përfshin lojtarin i cili i kërkon operatorëve të mos e lejojnë atë të hyjë. Nuk dihet se sa njerëz e kanë përdorur atë mundësi, sepse kompanive nuk u kërkohet të japin shifra.

Deri më sot, shoqata nuk ka publikuar ndonjë raport mbi numrin e lojtarëve që kanë qasje në shërbimet e saj dhe nuk ka publikuar ndonjë studim duke përdorur të dhënat e mbledhura. Shteti rumun bën pak për ata që kanë varësi. Kostoja e trajtimit për varësi të ndryshme mund të mbulohet, por vetëm brenda tre konsultave në ditë për një psikolog, në një klinikë që ka një kontratë me Shtëpinë Kombëtare të Sigurimeve Shëndetësore, e cila kufizon numrin e personave që mund të trajtohen falas. Qendra Kombëtare e Shëndetit Mendor dhe Kontrollit Anti-Drogë, e cila ekziston si pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht nuk ka ndonjë program ose projekt që i referohet varësisë nga lojërat e fatit.

Autoritetet jo vetëm që nuk ofrojnë ndihmë të vazhdueshme për të varurit nga lojërat e fatit, por ata vendosin t’i ndëshkojnë ata. Disa bashki në Luginën Jiu filluan vitin e kaluar të ndërprisnin ndihmën ekonomike për ata që, kur kërkojnë ndihmë, nuk përmendin se kanë gjeneruar të ardhura nga lojërat e fatit vitin e kaluar. Me “të ardhura”, zyra lokale e taksave nënkupton çdo shumë të vogël të regjistruar nga salla e lojërave si një fitore: për shembull, nëse dikush fiton 10 euro, ata do të regjistrohen si fitues, edhe nëse humbin 50 euro orë më vonë. Vetëm në qytetin Vulcan, 26 familje mbetën pa ndihmë ekonomike në 2017 dhe 2018 sepse kishin marrë të ardhura nga lojërat e fatit dhe nuk arritën t’i deklaronin ato. Bashkia e Petrosanit zbuloi edhe 27 përfitues të tjerë të paligjshëm.

Kur njerëzit kuptojnë se një anëtar i familjes ka një problem me lojërat e fatit, ata nuk kanë ku të drejtohen. Nuk ka shërbime të dedikuara, madje as një grup mbështetës për çdo lloj varësie në Luginën Jiu, ankohet Alex Kelemen nga Caritas Petrosani. Në mungesë të ndonjë ndihme tjetër, familjet i drejtohen Kishës Ortodokse për të hequr qafe “pasionin për lojërat e fatit”. Tre priftërinj nga Lugina Jiu thanë për BIRN se rastet kur gratë u japin atyre lista lutjesh për burrat ose djemtë e tyre që ata të heqin dorë nga lojërat e fatit janë shumëfishuar. Iulian Selaje, një prift në Petrosani, tha se ai po përpiqet të flasë me të prekurit dhe beson se ata kanë nevojë për “një program shumë serioz lutjeje”. Ka 40 kisha ortodokse në Luginën Jiu, por nuk ka asnjë klinikë për të trajtuar varësinë.

Përballja me të ardhmen

Andrein, 31-vjeçarin nga Petrila, e takova gjatë verës në tarracën e lokalit ku kishim folur për herë të parë. Nën çadrat e mëdha, mes arkave me birrë, me gjelbërim përreth dhe muzikë të butë në radio, vendi dukej po aq i sigurt sa brenda. Bari brenda është i mbyllur për shkak të pandemisë, por slotet janë të hapura. Kështu që mund të ulesh brenda për të luajtur, por nuk mund të pish një birrë atje. Ndërsa numri i rasteve me COVID-19 filloi të rritet në muajt e fundit, autoritetet rumune kanë miratuar kufizime në varësi të incidencës në zona të caktuara. Për shembull, aty ku kishte më shumë se 1.5 raste për 1,000 banorë, hapësirat e brendshme të restoranteve, kafeneve dhe sallave të lojërave të fatit janë mbyllur. Më 13 tetor, ndërsa ky prag u arrit në Petrila dhe 36 lokalitete të tjera në rajon, vendet e lojërave të fatit u mbyllën përkohësisht. Në vend të kësaj, numri i lojtarëve në internet filloi të rritet në të gjithë Rumaninë. Në muajt e parë të pandemisë, platformat e lojërave të fatit raportuan një rritje prej 15-20 për qind më shumë përdorues, tha Sorin Constantinescu, drejtor ekzekutiv i një kompanie konsulence në industri.

Andrei, gjithashtu, ka një llogari në internet në një faqe interneti ku luhet bixhoz, dhe gjatë muajve të fundit ai vazhdoi të merrte reklama me email, me të gjitha llojet e promovimeve, por ai nuk u tundua të luante paratë e tij. Ai nuk ka luajtur më në slote që kur këto vende u rihapën, por e di se në një moment në të ardhmen dikush do ta mërzisë dhe ai do ta gjejë veten përpara tyre. Dhe i përhumbur në zhurmën dhe dritat e tyre, ai nuk do të dëgjojë apo shohë asgjë tjetër.

Balkaninsight

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0