Qeveria propozon ligjin për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive nga tërmetet - Business Magazine Albania

Qeveria propozon ligjin për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive nga tërmetet

Qeveria propozon ligjin për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive nga tërmetet

Qeveria shqiptare ka rikthyer vëmendjen në sigurimin e pronave nga fatkeqësitë natyrore. Me anë të një projektligji të hedhur për konsultim publik, qeveria propozon një ligj që do të përcaktojë rregullat dhe normat për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet në Shqipëri.

Për të adresuar ndikimin social dhe fiskal të tërmeteve, Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë hartuar projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, duke u mbështetur në përvojat e suksesshme të vendeve të tjera Turqia, Rumania, Filipinet. Në relacionin shoqërues thuhet se pas përvojës në vende të tjera, mbulimi efektiv i sigurimit pritet të rritet gradualisht në vite, pas miratimit të ligjit.

Lexo edhe: Çelësi për prosperitetin e Shqipërisë është klasa e mesme

Në nenin 5 të ligjit thuhet se pronat detyrohen të sigurohen nga tërmet çdo vit, ku përfshihen banesat sociale me qira, përfshirë ato në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Kjo është tentativa e dytë e qeverisë shqiptare për një ligj për sigurimin e banesave, pasi edhe më herët qarkulloi edhe një draft, fill pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 persona dhe u shkatërruan me qindra pallate dhe banesa private.

Ky projekt ligj i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore vjen vetëm pak muaj pas rekomandimit që ky institucion ndërkombëtar bëri në fillim të këtij viti ku ndër të tjera thuhej se Shqipëria përjeton mesatarisht 0.8 fatkeqësi natyrore në vit, dhe kosto mesatare e mediane përkatësisht prej 0.6 për qind të PBB-së dhe 1.3 për qind të PBB-së për ndodhi.

Raporti i Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende, bazuar në  kapacitetet përballuese,  e rendit Shqipërinë të parën në Evropë dhe  në vend të 61, në rang botëror.

Rreth 17.6 miliardë dollarë të aseteve tregtare, industriale dhe bujqësore të vendit janë në rrezik nga përmbytjet dhe tërmetet. Humbjet e mundshme në Shqipëri nga një fatkeqësi natyrore me një periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2.08 miliardë euro për tërmetet dhe 1.18 miliardë euro për përmbytjet.

EN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0