Psikologjia e kulteve: Pse bëhemi pjesë e lëvizjeve të tilla - Business Magazine Albania

Psikologjia e kulteve: Pse bëhemi pjesë e lëvizjeve të tilla

Në vitin 1955 Xhim Xhons themeloi ‘Tempullin e njerëzve’. Pak do ta kishin parashikuar fundin e tmerrshëm të këtij kulti. Kjo lëvizje fetare fitoi shumë mbështetës, por në vitin 1977, kur dolën në pah abuzimet dhe shpëlarjet e trurit, Jones mblodhi qindra ndjekës dhe  u zhvendos në Gujana. Ajo që në fillim u duk si utopi dhe parajsë, shumë shpejt u kthye në një burg e ferr. Kur u inspektua nga delegatët shtetërorë. Xhons ekzekutoi planin final; me 18 nëntor 1978, 909 burra, gra e fëmië u vranë pasi u detyruan të pijnë ujë të helmuar.

Sot ndërsa flasim, ekzistojnë me qindra kulte në të gjithë botën. Sigurisht, jo të gjithë kultet janë fetare, ka kulte për përmirësimin e vetes, për terapi, apo edhe kulte politike. Por akoma ekzistojnë, janë mes nesh. Por pse sot në 2020, njerëzit vazhdojnë të gjejnë prehje dhe strehim në kulte? Pse njerëzit u bashkohen kulteve? Çfarë u ofrohet aty, që nuk e gjejnë në shoqëri?

Çfarë janë kultet?

Kultet mund t’i përkufizojmë si një grupim i njerëzve që angazhohen dhe bëhen pjesë e një ideologjie që vjen zakonisht nga një lider karizmatik. Megjithatë, pak prej kulteve predikojnë vetësakrificën apo vetëflijimin. Një ndër rastet më të rënda ishte ‘Porta e Parajsës’ e cila përfundoi në 1997 me një vetëvrasje masive të 39 personave.

Cilat janë karakteristikat e kulteve ?

  1. Të qënit pjesë e një kulti kërkon shumë kohë, mund dhe sakrifica. Kështu duke e fokusuar qëllimin e jetës në shërbim të të qënit pjesëtar shembullor i kultit, individi mundohet, bën sakrifica (shpeshherë të paimagjinueshme), dhe jepet ‘me mish e me shpirt’.
  2. Kultet kanë një hierarki strikte. Edhe më strikte se ç’mund të gjendet në botën e biznesit.
  3. Lideri i di të gjitha. Doktrina e kultit i ka të gjitha përgjigjet. Pse jetojmë? Pse jemi këtu? Cili është kuptimi i jetës? E shumë e shumë të tjera…
  4. Kulti përdor sisteme formale dhe joformale influence. Çfarë do të thotë? Lideri informohet shumë shpejt nëse ti nuk je një besimtar i devotshëm! Dhe sigurisht më pas vjen ndëshkimi jo vetëm nga ai vetë por edhe nga pjesëtarët e tjerë të kultit. Kjo përdoret si mënyrë për t’i detyruar pjesëtarët që t’u binden rregullave, sepse toleranca është e pakët dhe e kursyer për të pabindurit.
  5. Çdo kult ka ritualet e veta që i lidh individët me doktrinën. Zakonisht ritualet janë në grup, dhe kërkojnë pjesëmarrjen e individëve; duke shfrytëzuar kështu edhe presionin e të tjerëve.
  6. Indoktrinimi nis zakonisht me idenë se çdokush është ‘mëkatar’, ‘jo i mirë’ apo ‘fajtor’ dhe i jepet premtimi se nëse merr recetën e ofruar nga kulti e nëse e zbaton me përbërësit e gramaturën e duhur, atëherë do të mund të arrish shpëtimin, qetësinë, lumturinë, suksesin.
  7. Në përgjithësi kultet i mbajnë individët nën presion konstant e nën frikë. Individëve u rrënjoset ndjesia e fajit dhe e frikës se bota jashtë është e rrezikshme, dhe se vetëm brenda atij rrethi mund të ndihen të sigurtë, vetëm aty mund të kuptohen. Kjo sjell një mbyllje të individëve me të tjerët. Ata zgjedhin të mos flasin me ‘ata që nuk mund t’i kuptojnë’, dhe pushtohen nga vetmia. Shpeshherë këta individë që janë pjesë e një kulti të caktuar, shoqërohen vetëm me njëri-tjetrin dhe shkëputen madje nga të afërmit dhe njerëzit e dashur.

Kultet janë mjaft tërheqëse sepse i ofrojnë individit atë që ai ka më shumë nevojë në atë moment.

Je në depresion e ke nevojë për suport social? Mirëseerdhe!

Ke humbur personin e dashur dhe kërkon kuptimin e jetës? Mirëseerdhe!

Ke nevojë për ndihmë financiare dhe shteti nuk po të asiston? Mirëseerdhe!

Në këto situata njerëzit janë edhe më të prekshëm. Njerëzit kërkojnë qartësi, kërkojnë siguri, kërkojnë komfort. Kërkojnë të dinë se dikush do t’i suportojë, se në një ditë të zymtë do të dijnë ku të drejtohen dhe do të gjejnë mirëkuptim e mbështetje.

Nëse njihni dikë që ka nevojë për ndihmë, mundohuni t’i qëndroni sa më pranë. Mos mendoni se personave që u mungon inteligjenca, bëhen pjesë e kulteve. Përkundrazi kemi parë yje hollivudiane që kanë rënë pre e kulteve. Mos mendoni gjithashtu se ‘unë nuk do të bëhem kurrë pjesë e një kulti, fundja jam mjaftueshëm i zgjuar ta kuptoj’. Aspak! Sepse studimet shkencore kanë arritur në rezultatet që edhe ata që bëhen pjesë e kulteve, janë njerëz normalë, ata që askujt prej nesh nuk do shkonte mendja se do të bëheshin pre e mashtrimeve.

Kur shikojmë individë pjesëtarë të kulteve, gjëja më e lehtë që mund të bëjmë është t’i paragjykojmë ata e të mendojmë se ata ‘e meritonin’ diçka të tillë. Por mos të harrojmë se kultet ushqejnë frikërat tona më të errëta dhe shuajnë dëshirat tona më të thella. Ajo më e vështira dhe e duhura është të mundohemi t’i kuptojmë zgjedhjet e tyre dhe të kuptojmë sesi nën një sistem të tillë piramidal që ushqehet nga frika, ndoshta edhe ne do të vepronim si ata… Ndaj më shumë se gjithçka na nevojitet empati e mirëkuptim…

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0