Nëse të ka ndodhur të zgjohesh pak minuta para alarmit, nuk është rastësi. Sipas specialistëve, kjo lidhet me një mekanizëm natyror të trupit të quajtur ritmi cirkadian, i cili rregullon ciklin e gjumit, zgjimit dhe funksionet bazë të organizmit.
Lexo gjithashtu: Musk dyfishon pasurinë, asetet vlerësohen në 839 miliardë dollarë me vlerë neto
Kur një person ndjek një orar të qëndrueshëm gjumi, truri fillon ta “mësojë” këtë rutinë dhe krijon një lloj ore të brendshme shumë precize. Me kalimin e kohës, organizmi fillon të përgatitet për zgjim edhe para se të bjerë alarmi.
Pak minuta para zgjimit, trupi nis të rrisë nivelin e kortizolit, hormon që ndihmon në rritjen e vigjilencës. Në të njëjtën kohë, rritet temperatura e trupit dhe aktivizohet gradualisht sistemi kardiovaskular, duke e nxjerrë trupin nga gjumi i thellë.
Ky proces ndodh më lehtë te njerëzit që kanë një rutinë të rregullt, pra që flenë dhe zgjohen në të njëjtën orë çdo ditë. Në këto raste, ora biologjike bëhet më e saktë dhe më e parashikueshme.
Megjithatë, edhe stresi apo ankthi mund të ndikojnë. Kur mendja është e shqetësuar, gjumi bëhet më i cekët dhe trupi mund të zgjohet më herët sesa duhet.
Në fund, specialistët theksojnë se gjumi cilësor mund ta bëjë trupin një “alarm natyral”, duke reduktuar nevojën për pajisje të jashtme. Në shumë raste, nuk është alarmi ai që të zgjon, por vetë organizmi që e di saktësisht kur është koha për t’u ngritur.