Pse Mark Zuckerberg ka dyshime mbi vlerën e arsimit universitar - Business Magazine Albania

Pse Mark Zuckerberg ka dyshime mbi vlerën e arsimit universitar

Pse Mark Zuckerberg ka dyshime mbi vlerën e arsimit universitar

Mark Zuckerberg është padyshim një nga sipërmarrësit më të suksesshëm të kohës sonë, pavarësisht polemikave të shumta që e kanë shoqëruar. Bashkëthemeluesi i Facebook dhe CEO aktual i kompanisë mëmë, Meta, ka një pasuri të vlerësuar mbi 230 miliardë dollarë. Produktet e Metës përdoren çdo ditë nga rreth 3.35 miliardë njerëz gati 4 nga 10 persona në të gjithë botën.

A do të thotë kjo se kur një figurë kaq ndikuese si Zuckerberg shpreh dyshime për industrinë e arsimit, duhet ta marrim seriozisht? Ndoshta po. Gjatë një interviste në podcast-in This Past Weekend me komedianin dhe yllin e televizioneve realitet Theo Von, Zuckerberg foli hapur për mënyrën se si universitetet po përgatisin të diplomuarit e rinj. Ai u shpreh qartë: “Nuk jam i sigurt që universitetet po i përgatisin njerëzit për vendet e punës që kërkohen sot.” Për më tepër, ai e konsideron këtë një problem serioz dhe shtoi se “çështja e borxheve studentore është vërtet shqetësuese.” Zuckerberg theksoi se arsimi i lartë është tepër i kushtueshëm dhe shpesh nuk ofron garanci për punësim të suksesshëm pas diplomimit. “Universiteti është shumë i shtrenjtë për shumë njerëz dhe pastaj, sapo diplomohet, një student ngel me borxhe të mëdha pa pasur garanci se do të gjejë një punë të mirë.” Sipas tij, hendeku mes asaj që ofron arsimi dhe asaj që kërkon tregu i punës është bërë aq i madh, sa është e pashmangshme një “përballje e madhe” në këtë drejtim.

Ai gjithashtu solli në vëmendje një debat të hershëm: “Ndoshta jo të gjithë kanë nevojë të ndjekin universitetin,” tha ai, duke theksuar se ka shumë profesione që nuk kërkojnë diploma universitare. Sipas tij, shoqëria po e kupton këtë më tepër sot sesa një dekadë më parë. Gjithsesi, Zuckerberg nuk e mohoi plotësisht vlerën e universitetit. Ai tha se eksperienca e kolegjit ka edhe avantazhe të tjera: “Është një mënyrë e mirë për të mësuar si të jesh i rritur para se të hysh në botën reale.” Për të, orët mësimore ishin “në rregull” dhe një pjesë “argëtuese” e përvojës, por më e rëndësishmja ishte se gjatë universitetit takoi persona kyç në jetën e tij, si bashkëthemeluesit e Facebook dhe bashkëshorten e tij, Priscilla Chan.

Lexo edhe:Njihuni me “superfuqinë” që i mungon shumicës së adoleshentëve, gjumi i mjaftueshëm

Në këtë debat për vlerën e arsimit të lartë, duhet kujtuar se shumë sipërmarrës të tjerë të njohur kanë ndjekur rrugën e Zuckerberg. Steve Jobs (Apple) dhe Elon Musk (Tesla, SpaceX) janë shembuj të njohur që nuk përfunduan studimet universitare. Por, nga ana tjetër, një studim i vitit 2012 tregoi se shumica dërrmuese e CEO-ve në industrinë e teknologjisë në SHBA kishin përfunduar arsimin e lartë dhe mbi gjysma kishin edhe diploma pasuniversitare. Pra, historia e “gjeniut që braktis shkollën dhe krijon një perandori” mbetet më tepër një mit.

Megjithatë, debati se çfarë aftësish të vlefshme ofron sot universiteti mbetet i hapur. Në epokën e inteligjencës artificiale, ku teknologjia po përparon me ritme marramendëse dhe AI po zëvendëson shumë procese, arsimi tradicional ndoshta nuk po i ndjek më zhvillimet me të njëjtin ritëm. Madje diskutohet nëse mësoni kodim në mënyrë tradicionale është ende e nevojshme, kur AI tashmë mund të kryejë shumë nga këto detyra.

Zuckerberg nuk e përmendi drejtpërdrejt AI-n në këtë intervistë, por ai ka qenë shumë i hapur për përdorimin e saj në Meta, madje edhe për zëvendësimin e disa zhvilluesve me inteligjencë artificiale.

Pse ka rëndësi kjo për ne? Sepse teknologjia po transformon fuqinë punëtore globale dhe rregullat e lojës po ndryshojnë çdo ditë. Megjithëse arsimi universitar ka ende vlera të rëndësishme, ndoshta është koha që në përzgjedhjen e punonjësve të mos fokusohemi vetëm te diplomat, por edhe te aftësia për të mësuar vazhdimisht dhe për t’u përshtatur me një realitet gjithnjë e më të ndikuar nga AI.

inc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0