Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat? Evolucioni mund të japë përgjigje - Business Magazine Albania

Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat? Evolucioni mund të japë përgjigje

Gratë në mbarë botën jetojnë më gjatë se burrat dhe sipas një studimi të ri, kjo diferencë nuk lidhet vetëm me mënyrën e jetesës apo kujdesin për shëndetin, por mund të ketë rrënjë evolutive.

Sipas kërkimit të publikuar në Science Advances, fenomeni nuk kufizohet vetëm te njerëzit: femrat e shumicës së gjitarëve jetojnë më gjatë se meshkujt, ndërsa te zogjtë ndodh e kundërta, meshkujt shpesh jetojnë më gjatë se femrat. Në analizën e 1.176 specieve, përfshirë shimpanzetë, brejtësit, elkat dhe lloje të ndryshme zogjsh, studiuesit zbuluan se tek 72% e gjitarëve femrat jetonin mesatarisht 12% më shumë se meshkujt. Ndërkohë, tek 68% e zogjve, meshkujt jetonin rreth 5% më gjatë.

Një nga faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në këtë diferencë janë kromozomet seksuale. Tek gjitarët, femrat kanë dy kromozome X, ndërsa meshkujt një X dhe një Y, çka mund t’u japë femrave një avantazh mbrojtës ndaj mutacioneve gjenetike të dëmshme. Tek zogjtë, ndodh e kundërta: femrat kanë dy kromozome të ndryshme, ndërsa meshkujt dy të njëjta, duke u dhënë atyre përparësi mbijetese.

Megjithatë, sipas Johanna Stärk nga Instituti Max Planck në Gjermani, kromozomet janë vetëm një pjesë e historisë. “Te shumë shpend grabitqarë, femrat janë më të mëdha dhe jetojnë më gjatë se meshkujt. Kjo tregon se ka faktorë të tjerë që ndikojnë”, thekson ajo.

Lexo edhe: Shkencëtarët rishikojnë si mund të qaset mjekësia ndaj plakjes

Studimi sugjeron se një kombinim i faktorëve gjenetikë, strategjive të përzgjedhjes seksuale, përkushtimit prindëror dhe ndikimeve mjedisore formon këtë diferencë në jetëgjatësi, si te njerëzit, ashtu edhe te kafshët.

Në speciet monogame, diferenca në jetëgjatësi është më e vogël, ndërsa te ato ku meshkujt kanë shumë partnere dhe janë dukshëm më të mëdhenj fizikisht, vdekshmëria e tyre është dukshëm më e lartë. Edhe në kushte të kontrolluara si në kopshtet zoologjike, femrat vijojnë të kenë avantazh jetëgjatësie.

Sipas autorëve të studimit, fakti që ky model shihet edhe te shimpanzetë dhe gorillat tregon se diferenca është “e rrënjosur thellë në proceset evolutive”. “Për sa i përket mbijetesës sipas gjinisë, njerëzit nuk janë një përjashtim”, përfundojnë studiuesit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0