Mosha mesatare relativisht e re e popullatës dhe forca e punës në rritje është një “dhuratë demografike” që përbën një faktor të rëndësishëm të rritjes ekonomike. Por kjo duhet të shoqërohet me politika për të rritur produktivitetin e punës, që kjo dhuratë demografike të mos kthehet në një faktor pengues të zhvillimit ekonomik, sipas një vlerësimi nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Struktura e ekonomisë e për rrjedhojë edhe ajo e tregut të punës këto vitet e fundit ka pësuar ndryshime të mëdha. Kështu punëtorët e dalë të papunë nga sektorë të veçantë si bujqësia, miniera, tregtia etj., lëvizin për t’u punësuar në sektorët e rinj si: industria fason, shërbime financiare, telekomunikacion etj. Ky proces përshpejtohet nëse shoqërohet me arsim dhe kualifikim profesional të përshtatshëm dhe dinamik.
Në takimin e 9 të Këshillit e Investimeve*, u prezantua një studim i fokusuar në Disponueshmërinë e fuqisë punëtore në sektorët e shërbimeve të nënkontraktuara. Ky sektor, sipas statistikave, ka rreth 30,000 të punësuar, por me një potencial për të punësuar deri në 50,000 të rinj e të reja. Studimi nxori në pah gjetje që tregojnë për një mospërputhje të nevojave të këtij sektori për aftësi profesionale, me atë çfarë ofron aktualisht tregu i punës. Studimi tregoi se ky sektor ka mundësi për t’u zgjeruar dhe të punësuarit në cilin sektor kanë dëshirë të përvetësojnë aftësi të reja.
Investimet e Huaja Direkte (IHD) mbeten potencial i rëndësishëm për rritjen ekonomike, jo vetëm si burim financimi, por edhe si një faktor i modernizmit të ekonomisë nëpërmjet transferimit të njohurive dhe rritjes së produktivitetit. Por megjithëse trendi i IHD është në rritje, ecuria do të varet në mënyrë të konsiderueshme edhe nga ecuria e reformave dhe investimet në burimet njerëzore.
Përse duhet ligj i ri i AFP, në këndvështrimin e zhvillimit të biznesit dhe sipërmarrjes?
Referuar “Vlerësimit të nevojës për aftësi” realizuar nga ILO dhe INSTAT në 2014, dy nga shqetësimet e mëdha të bizneseve të shprehura përkatësisht nga 40% dhe 33.0% e numrit total të bizneseve ishin: i) Kultura e Punës dhe ii) Kualifikimi i Papërshtatshëm. Shumica e bizneseve që kanë shqetësimin në lidhje me “kualifikimin e papërshtatshëm të forcës së punës” dhe me “kulturën e punës” janë biznese në pronësi të të huajve dhe sipërmarrje të përbashkëta.
Niveli i papërshtatshëm i kualifikimit të forcës së punës përbën një shqetësim për pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, por ai përbën një shqetësim shumë të madh për sektorët e minierave, energjisë dhe gazit. Ky shqetësim është më i pranishëm në kompanitë e mesme dhe të mëdha. Mungesa e aftësive përkatëse te punonjësit aktualë duket relativisht shumë e lartë për sektorët e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve.
Profesionet ku vërehet mospërputhja e aftësive janë: industria e turizmit, ndërtimit dhe shërbimet. Më shumë se 95% e bareve dhe restoranteve, që përfaqësojnë rreth 10% të bizneseve të vogla në Shqipëri, kanë pritshmëri më të mëdha për sa u përket aftësive të punonjësve të tyre.
Ndaj nëpërmjet këtij ligji sigurohet lidhja në mënyrë institucionale e Arsimit dhe Formimit Profesional/ AFP posaçërisht me biznesin. Ky ligj mundëson që arsimi dhe formimi profesional të ndjekë vizionin dhe prioritetet kombëtare që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe specifikisht me zgjerimin e sipërmarrjes. Ligji krijon gjithashtu hapësirë ligjore për diversifikimin e ofertës së AFP-së (ofrimi i niveleve më të larta të AFP-së si p.sh. arsimi pas së mesmes si dhe ofrimi i kurseve afatshkurtra nga Qendrat Multifunksionale.
Eksperiencat botërore tregojnë që kompanitë e mesme dhe të mëdha kanë strukturën e tyre të trajnimit ose një lidhje organike me universitetet dhe institucionet e arsimit profesional. Në Shqipëri, sipas kësaj ankete, vetëm një e treta e tyre rezulton të kenë një linjë të veçantë buxhetore për trajnimin. Ndërsa, bashkëpunimi i bizneseve me sistemin ekzistues të AFP dhe veçanërisht me universitetet është shumë i dobët. Kemi shumë pak raste bashkëpunimi të biznesit me universitetet dhe pjesëmarrja e industrive në Bordet Rregullatore ku diskutohen çështjet e aftësive, nuk është e formalizuar.
Ligji i krijon mundësi lidhjes së biznesit me institucionet e AFP nëpërmjet fuqizimit të autonomisë së institucioneve në menaxhim. Për herë të parë në ligj është përfshirë Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve Profesionale, një instrument i cili ka mundësuar zgjerimin e listës së kualifikimeve dhe aftësive, sipas kërkesave specifike të biznesit për aftësi, njëkohësisht i harmonizuar me Kornizën Europiane të Kualifikimeve.
Në mënyrë absolute, pjesa më e madhe e punësimit në sektorët si; Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, Financës dhe Sigurimeve, aktivitetet e Pasurive të Patundshme, në ata profesionalë, shkencorë dhe teknikë, Shërbime Administrative dhe Shërbime Mbështetëse, Arte, Argëtim dhe Zbavitje është e përqendruar në Rajonin Qendror. Këta sektorë janë pothuajse inekzistentë në Rajonet e tjera.
Një parim i rëndësishëm i këtij ligji të ri do të jetë vijueshmëria e mobilitetit të nxënësve dhe mësuesve. Ligji krijon hapësirat e nevojshme që forcimi dhe rritja e cilësisë së AFP të shoqërohet me një diversitet drejtimesh e programesh në përputhje me zhvillimin tërësor të rajoneve tona.
*Studimi i kryer nga AVASANT në sektorin e shërbimeve të nënkontraktuara BPO tregoi se ky sektor ka mundësi për t’u rritur, dhe këtë e pranuan rreth 75% e të anketuarve. Studimi tregoi se 90% e të punësuarve në sektor kanë dëshirë të përvetësojnë aftësi të reja.
Më shumë se 55% e përfaqësuesve të BPO-ve të intervistuar pranuan se do të ofrojnë shërbime të reja gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe rreth 80% e tyre pranuan se do të zgjerojnë shërbimet ekzistuese. Por me gjithë pohimet entuziaste, punëdhënësit pranojnë se kanë një sërë problemesh të lidhura kryesisht me kapacitetet dhe aftësitë specifike profesionale të të punësuarve, mungesën e përvojës, si pasojë e mungesës së praktikave në punë dhe lidhjes së dobët të biznesit me arsimin profesional (i mesëm dhe i lartë).
Burimi: monitor.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.