Strategjia e CEO-s së ri që synon të shpëtojë Starbucks - Business Magazine Albania

Strategjia e CEO-s së ri që synon të shpëtojë Starbucks

Strategjia e CEO-s së ri që synon të shpëtojë Starbucks

Kur CEO-ja i Starbucks, Brian Niccol, mori drejtimin e zinxhirit global të kafesë në muajin shtator, inflacioni ishte në rritje, ndërsa trafiku dhe shitjet në dyqane në rënie.

Të mërkurën, drejtuesi 50-vjeçar detajoi planin e tij për të rikthyer Starbucks në pozitat e dikurshme. Modeli i ri i kompanisë, i quajtur “green apron service model”, i fokusuar në mikpritje dhe efikasitet, do ta diferencojë Starbucks nga konkurrentët dhe do të nxisë rritjen e shitjeve, deklaroi Niccol në një intervistë për “Squawk on the Street” në CNBC. “Fatkeqësisht, Starbucks ka qenë e menaxhuar keq për disa vite,” u shpreh ai. “Por jemi me fat që kemi një markë kaq të fortë dhe elastike, ndaj besoj se do të rikuperohemi me programet dhe strategjitë e duhura.”

Javën e kaluar, Starbucks nisi trajnimin e baristëve për modelin e ri të shërbimit, i cili përfshin:

  • uljen e numrit të orëve të punës për çdo dyqan me staf minimal;

  • një sistem “smart queue” që synon dorëzimin e porosive brenda katër minutash;

  • ndërveprime më të personalizuara mes klientëve dhe punonjësve;

  • si dhe prezantimin e artikujve të rinj në menu.

Lexo edhe:Nga refuzimi te një perandori 648 miliardë dollarëshe – Historia frymëzuese e Sam Walton, themeluesit të Walmart

Fokusi i ri në shërbimin ndaj klientit është pjesë e strategjisë “Back to Starbucks”, të cilën Niccol e nisi menjëherë pas emërimit në krye të kompanisë. Të dhënat e publikuara për tremujorin e fundit ishin zhgënjyese, me rënie të shitjeve në dyqanet ekzistuese për të gjashtin tremujor radhazi, një prirje që nisi gjatë mandatit të ish-CEO-së, Laxman Narasimhan. Sipas Niccol, rikthimi tek “themelet operacionale” të biznesit do të shërbejë si bazë për një rimëkëmbje më të shpejtë se sa parashikohet. Disa analistë të Wall Street-it shprehin besim në këtë strategji. “Fokusi në tremujorin e tretë fiskal nuk ishte te rezultatet (që ishin nën pritshmëritë), por te sinjalet që sugjerojnë një ritëm premtues të rikuperimit,” shkruan analistja Sharon Zackfia nga William Blair në një shënim për klientët. Ndërkohë, analisti Andrew Charles nga T.D. Cowen u shpreh optimist në një tjetër analizë se shitjet e Starbucks do të rriten falë një “agjende më agresive të inovacionit”. Niccol njihet për aftësinë e tij për të transformuar kompani në vështirësi. Ai ishte CEO i Chipotle për gjashtë vite para se të kalonte në Starbucks. Gjatë drejtimit të tij, kompania u rikuperua shpejt nga skandalet e sigurisë ushqimore, përmirësoi ndjeshëm shitjet dhe aksionet e saj u rritën me 773%, një rekord për kompaninë. Më parë, gjatë viteve 2015-2018, Niccol ishte në krye të Taco Bell, ku solli risi si porositë përmes aplikacionit në mbarë SHBA-në dhe slogani i njohur i markës “Live Más”. “Jemi pa dyshim përpara pritshmërive në drejtim të rikthimit te baza operacionale,” theksoi Niccol të mërkurën. “Kjo strategji, në fund të fundit, do të sjellë një Starbucks më të mirë.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0