Presidenti në detyrë Donald Trump u ka bërë thirrje protestuesve të shkojnë në shtëpi. Deklarata erdhi pas konferencës për shtyp të Joe Biden, i cili i bëri apel Trump të thërrasë tërheqjen e protestuesve.
Autoritetet e sigurisë në Uashington DC nxorrën armët për të trembur e penguar protestuesit të depërtonin në godinën e Kongresit të njohur si Capitol Hill. Turma dhe personat e armatosur që u futën në Capitol Hill, kanë sjellë një bilanc të hidhur me 4 të vdekur dhe 13 të plagosur. Mbi 50 veta janë arrestuar pasi disa protestues u ngjiten në ndërtesë dhe hynë në ambientet e brendshme. Forca shtesë sigurie kundër protestave dhe Garda Kombëtare ndërhynë.
Thirrjet “Duam Trumpin” nga protestuesit, nënkuptojnë kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ata hynë në korridoret e Kongresit, ku gjendet Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senatit. Ligjvënësit e pranishëm u evakuuan në një vend të sigurt.
Protestuesit, disa prej tyre të armatosur, përshkuan Kongresin. Shumë prej tyre mbanin shenja ose flamuj me emrin e Trump.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden i bëri thirrje Trumpit përmes mesazhit të tij, “Kërcënimi i sigurisë së zyrtarëve të zgjedhur nuk është protestë, është kryengritje. Bota po na sheh. Si shumë amerikanë të tjerë, unë jam i tronditur dhe i trishtuar që kombi ynë, për kaq kohë rrezja e dritës dhe shpresës për demokraci, arriti në një moment kaq të errët. President Trump: Merr masa!”.
Menjëherë u shfaq Trump, i cili ftoi protestuesit të shkojnë në shtëpi.
“E kuptoj dhimbjen tuaj, e di që po vuani. Çdokush e di që zgjedhjet u vodhën. Edhe krahu tjetër. Por ju duhet të shkoni në shtëpi tani.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto