Universitetet historikisht janë cilësuar si burim për krijimin dhe përhapjen e dijes. Nuk përjashtohet mundësia që të rinjtë të futen për të siguruar një profesion, për të marrë një diplomë.
Por, sot studentët duhet të përgatiten për shumë pozicione, të cilat në të ardhmen do të transformohen nga automatizimi dhe dixhitalizimi.
Sondazhet tregojnë se shkalla e punësimit të të diplomuarve rritet në mënyrë të vazhdueshme me përfundimin e kursit bachelor.
Por, për të zhvilluar dhe aplikuar aftësitë e tyre në kontekstin profesional, të rinjtë kanë nevojë për eksperiencë dhe këshilla karriere, për motivim. Dhe kush më mirë mund t’i orientojë ata sesa vetë profesori.
Artikulli u publikua më parë në faqen 38 të numrit 21 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.
BusinessMag.al ka zhvilluar një anketë me studentë të universiteteve shtetërore dhe private në Tiranë, lidhur me profesorët motivues dhe risitë që sjellin ata. Anketa e zhvilluar online, përfshin studentë të fushave të ndryshme, madje edhe persona të diplomuar vitet e fundit. Pyetësori u plotësua nga 1700 të rinj nga i gjithë vendi dhe rreth 60% e tyre nga Tirana.
Në bazë të disa kritereve, ata votuan dhe përzgjodhën profesorin motivues bashkë me universitetin përkatës. Anketa tregon se profesorët shqiptarë janë mesatarisht motivues, ndërsa komunikimi cilësor është në shkallë të ulët.
Përmes saj, studentët tregojnë se pjesa më e madhe e profesorëve sjellin risi në orën mësimore dhe i orientojnë studentët me modele suksesi. Studenti krahasohet me kolegun në këndvështrimin e profesorit dhe kjo po i motivon më së shumti studentët. Ka edhe profesorë që vishet në petkun e studentit për ta lehtësuar rrugëtimin e këtij të fundit.
Fuqizimi i studentëve synon jo vetëm të bëjnë atë që duan, por edhe të gabojnë. Sa më shpesh të gabosh, aq më shumë gjëra të rëndësishme do të arrish të bësh. Kjo është një nga këshillat që këta pedagogë u japin studentëve shqiptarë.
Ju njohim me emrat më të votuar në sondazhin e BusinessMag:
Blerta Bodinaku, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, ku jep lëndë Psikologji Këshillimi. Ajo është diplomuar për Psikologji në Universitetin e Tiranës. Ka marrë titullin Doktore Shkencash në fushën e Psikoterapisë në Austri. Znj. Bodinaku ka mbi dymbëdhjetë vite eksperiencë në praktikën e këshillimit dhe atë të psikoterapisë si dhe dymbëdhjetë vite përvojë në mësimdhënie në degën e Psikologjisë.
Bodinaku është Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Shëndetit Mendor dhe është anëtare e Shoqatës Shqiptare për Psikoterapinë.
Besmir Kanushi vlerësohet si motivues nga studentët për metodën e tij të mësimdhënies. Ai është diplomuar në vitin 2014 në degën Informatikë – Ekonomike, si një ndër studentët më të mirë. Prej 5 vitesh punon si Asistent/Lektor (Pedagog) pranë Albanian University. Motivimi i brezit të ri që po përgatitet për tregun e punës është ndër objektivat e tij.
Drita Rira mendon se, nuk mund të ketë motivim të studentit pa kaluar fillimisht nga vetja, pa vendosur paraprakisht një marrëdhënie besimi mes dy palëve, marrëdhënie e cila buron nga përgjegjshmëria, korrektesa, disiplina dhe profesionalizmi, vlerat humane dhe ato qytetare.
Drita Rira është pedagoge në Fakultetitn e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, Departamenti i Gjuhës Frënge.
Doktore e Shkencave prej vitit 2015, nënë e tre fëmijëvë, fushat e saj të interesit lidhen me përkthimin, interpretimin, kërkimin shkencor në përkthimologji, leksikologji, terminologji si edhe me konsulencën në fushën e përkthimit, gjuhësisë dhe kulturës.
E angazhuar në projekte kërkimore ndërkombëtare ajo gjen kohën të jetë bashkëdrejtuese e Shkollave Verore të organizuara në Universitetin e Tiranës si edhe e Forumit të Gruas Frankofone në Shqipëri.
Është autore dhe bashkëautore e një sërë referimesh në konferenca ndërkombëtare si edhe të artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit.
Klodiana Gorica, është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës në 1994 për Merceologji. Ajo është Editoral Member/Reviewer në disa revista ndërkombëtare si dhe është autore/bashkëautore e 2 monografive dhe e disa cikle leksionesh. Ajo është pedagoge prej vitit 1996.
Cilësia e mësimdhënies është rritur nga punësimi i akademikëve të rinj në moshë dhe stafit të kualifikuar (si Prof, Prof. Asoc, Dr etj). Ata ftojnë studentët: përdorni potencialin, energjinë dhe dijen në shërbim të vendit.
Edukimi është i nevojshëm për politkanët, biznesmenët, artistët, fermerët, studentët, etj. që karriera e tyre të rritet. Disa nga mësuesit më të mëdhenj kanë qenë shkaku i revolucioneve politike dhe industriale në të gjithë botën. Roli i një mësuesi është të formësojë mendjet e gjeneratave të reja. Ky formësim duhet të jetë në linjë pozitive me zhvillimin shkencor, human dhe vetëdisiplinën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.