Është prezantuar ditën e sotme në ambientet e e ”Innovation Hub” të Piramidës, platforma e re Start Up me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, si dhe prezencës virtuale të Ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale,Diella.
Platforma do të ofrojë mbështetje të sipërmarrjes së re, ideve inovative dhe kreativitetit të të rinjve. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij theksoi thjeshtimin e procedurave në sektorin e IT. Rama tha se platforma e Start Up do të lidhet me e-Albania nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.
“Shumë shpejt do të materializojmë atë që kemi pritur prej kohësh, Këshillin Kombëtar për Inovacionin, i cili do të jetë aktori kryesor në bashkëpunim me palët e interesit. Ky këshill do të propozojë ide dhe do të ofrojë zgjidhje konkrete. Me mbështetjen e ministres së Shtetit dhe Inteligjencës Artificiale, do të krijojmë një rrjet të fuqishëm që do të shërbejë si një urë lidhëse mes inxhinierëve të IT-së në sektorin publik dhe privat. Synimi ynë është t’u japim të gjithëve mundësinë për të punuar me të dhënat, duke ndjekur një praktikë të orientuar nga inteligjenca artificiale.
Jemi të vetëdijshëm se problemi më i madh i këtij komuniteti, kudo në botë, është burokracia. Ne do të ndërmarrim hapa konkrete për ta eliminuar atë, duke filluar nga dhënia e lejeve të qëndrimit dhe punës, si dhe të gjitha dokumenteve të nevojshme për të punuar brenda dhe jashtë vendit.Këto barriera nuk mund të kapërcehen vetëm nëse mbështetemi te burimet njerëzore të administratës publike. Duhet të punojmë të gjithë së bashku, për përfitimet e përbashkëta.”- tha z. Rama.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi se Agjencia për startup-e do të kthehet në versionin që duam të kemi, falë procedurave të mbështetura nga inteligjenca artificiale.
“Shumë shpejt, në platformë do të shtohet një modul për trajnime. Qëllimi ynë për katërvjeçarin e ardhshëm është të krijojmë ura lidhëse mes të rinjve dhe tregut.
Ne i shohim të dhënat si një aset që duhet përdorur dhe shfrytëzuar. Duam të kemi një shtet fleksibël, ku këto të dhëna të shfrytëzohen nga të rinjtë për të krijuar inovacion. Së shpejti do të publikojmë raportin për startup-et. Në këto dy vite kemi pasur një dyfishim të numrit të startup-eve. 37% e tyre janë themeluar nga gra, ndërkohë që mesatarja globale është vetëm 16%.”
Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale Diella përshëndeti nisjen e eventit, ndërsa tha se “inovacioni nuk ka të bëjë me zëvendësimin e njerëzve me makina; ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve për të bërë realitet atë që dikur dukej jashtë realitetit.”
Platforma Startup Albania (startupalbania.gov.al) është një hap i rëndësishëm në mbështetje të sipërmarrjes së re, që synon të ofrojë mbështetje përmes edukimit dixhital, promovimit të startupeve, ndërveprimit transparent e efikas, ndërkombëtarizimit dhe informimit mbi zhvillimet më të fundit—duke përfshirë bashkëpunimin me aktorë të brendshëm e të jashtëm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto