“Të nderuarit Muhamet Malo, me vlerësimin e mirënjohes për Korporatën për Shërbimin Kombëtar dhe Komunitar si dhe nderimin nga zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, me Çmimin e Presidentit për Arritjet Gjatë Jetës në angazhimin e tyre gjatë gjithë jetës për të ndërtuar një vend më të fuqishëm me anë të shërbimit komunitar”.
Pasi e uron për çmimin dhe e falenderon që ndihmoi në adresimin e nevojave urgjente “në komunitetin tuaj dhe vendin tonë”, Presidenti Obama në letrën e tij thekson se në një fjalim përurues ai ka deklaruar që “ne kemi nevojë për një epokë të re të përgjegjësisë, një pranim nga ana e çdo amerikani që ne kemi detyra ndaj vetes, shtetit tonë dhe botës. Këto janë detyra që ne nuk i pranojmë me qejf, por i pranojmë me nder, të vendosur në njohjen se nuk ka asgjë të kënaqshme për shpirtin se të japim çdo gjë tonën në një detyrë të vështirë. Shërbimi yt vullnetar dëshmon llojin e angazhimit për komunitetin tuaj, që e shtyn shtetin amerikan një hap më afër premtimit të madh. Vendi ynë po përballet me krizën më të vështirë ekonomike të historisë së tij. E vetmja mënyrë që ne mund të ripërtërijmë shtetin amerikan është të punojmë të gjithë së bashku. Individët, sektori privat dhe qeveria duhet të kombinojnë arritjet e tyre për të bërë një ndryshim real dhe të qëndrueshëm, që çdo person të ketë mundësinë për të përmbushur potencialin e tij ose të saj. Ndërkohë qeveria mund të hapë më shumë mundësi për ne, për t’i shërbyer komunitetit tonë dhe është në dorën e çdokujt prej nesh që t’i kapi këto mundësi. Ju falenderoj për përkushtimin tuaj në shërbim, dhe që po bëni çdo gjë që mundeni për të krijuar një të nesërme më të mirë”.
Këto janë pak a shumë rreshtat e firmosura nga presidenti Obama, dërguar z. Muhamet Malo, biznesmenit të sukseshëm shqiptar. Malo është njeri që e njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe jetën politike shqiptare, demokrat i lindur, familjar i devotshëm, për të cilin familja përbën thesarin më të shtrenjtë të jetës, kampioni i mundjes që gruan e konsideron shoqe të mirë, fëmijët i edukon me një sjellje princore, të urtë e të ditur, të bindur ndaj ligjit dhe rregullit. Metit i qesh fytyra kur dëgjon për arritje të mira në vendin e vet, kur sheh lëvizje patriotike që i dalin zot fateve të atdheut dhe është ndër ata patriotë që e duan me zemër flamurin kombëtar, që e duan Shqipërinë. Ka lexuar mjaft libra dhe e njeh historinë e vendit të vet, i dhimbset Çamëria, gëzohet për arritjet në Kosovë dhe mezi pret të realizohet bashkimi i trojeve shqiptare.
Shpresonte që me rastin 100-vjetorit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila copëtoi trojet arbërore, shqiptarët të shpreheshin për bashkimin e trupit të prerë dhe të kërkonin një Londër të dytë. I qesh fytyra dhe zemra kur dëgjon për projekte dhe lëvizje në dobi të Shqipërisë dhe i nxit ato me dëshirën që bota ta kuptojë se ky vend ka zot. Dhe siç thotë Meti, duhet të punojmë ditë e natë, pasi Shqipëria duhet bërë dhe do të bëhet. Ai e sheh Shqipërinë si i vetmi vend ku i pëlqen të jetojë dhe ku ndjehet i qetë. Balta e këtij vendi është më e dashur, sepse aty prehen eshtrat e të parëve, se nuk ka thënë kot Çajupi “Ku është balta më e ëmbël se mjalta? Në Shqipëri”.
Ka kaluar një jetë plot vështirësi. Ndonëse sot nuk i mungon ekonomia, përsëri jetën e bën të thjeshtë. Me bashkëshorten e tij, Mirandën, i gjen kudo në aktivitete humanitare, në ndihmë të jetimëve apo azilit të pleqve. Ndihmat që jep i burojnë nga zemra, dhe zemra e tij rritet e bëhet sa një mal kur sheh në sytë e njerëzve me halle një fije shprese, kur sheh buzëqeshjen e tyre, në këmbim të ndihmës që u afrohet. Kontributi i Muhamet Malos ka vazhduar me donacione për sportin në përgjithësi e në veçanti për dashurinë e tij të parë, sportin e mundjes. Në vitin 1996 u fut në tregun e lirë me kompaninë “Lloto Sport” dhe investimi u plotësua me kanalin e vetëm televiziv sportiv “Telesport”, që filloi në vitin 2001, një ndërmarrje që e ka lidhur pazgjidhshmërisht Metin me Sportin. Edhe Kompania “Dajti Expres” bën pjesë në investimet modeste të njeriut të mirë Muhamet Malo. Ndërsa kontributi i tij për Olimpikun Special shqiptar, është një nga kontributet më humane për njerëzit në nevojë.
/Shkruar nga Nuri Dragoj për gazetën Dita
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.