Një vit më parë, presidenti më i hapur pro-kriptomonedhave në historinë e Shteteve të Bashkuara ishte rikthyer në pushtet, pasi kishte joshur investitorë të vegjël e të painformuar dhe kishte siguruar mbështetje të fortë financiare nga figura të dyshimta të industrisë së kriptove. Rikthimi i Donald Trump-it u paraqit si një “agim i ri” për kriptomonedhat, ndërsa predikues të vetëshpallur të këtij sektori, të motivuar kryesisht nga interesat personale, parashikonin se Bitcoin do të kthehej në “arin digjital” dhe se çmimi i tij do të arrinte të paktën 200 mijë dollarë deri në fund të vitit 2025.
Ashtu siç kishte premtuar, Trump ndryshoi pjesën më të madhe të kuadrit rregullator për kriptomonedhat. Ai nënshkroi ligjin për stabilkoinët (GENIUS Act), shtyu përpara ligjin për “qartësinë” e tregut të aseteve digjitale (CLARITY Act), përfitoi personalisht nga marrëveshje të dyshimta kripto brenda dhe jashtë SHBA-së, promovoi një monedhë “meme” pa asnjë vlerë reale, fali figura problematike të industrisë së kriptove që dyshohej se kishin lidhje me financimin e organizatave terroriste dhe, për më tepër, organizoi darka private në Shtëpinë e Bardhë për “insiderë” të industrisë.
Në teori, kriptomonedhat duhej të përfitonin nga përkeqësimi i klimës makroekonomike dhe gjeopolitike: rritja e borxhit publik në SHBA dhe në ekonomitë e tjera të zhvilluara, dobësimi i dollarit dhe monedhave fiat, tensionet tregtare dhe përshkallëzimi i konflikteve me Iranin, Kinën e aktorë të tjerë. Në realitet, përfituesi i vërtetë i kësaj pasigurie globale ishte ari, i cili u rrit me mbi 60% gjatë vitit 2025.
Ndërkohë, “ari digjital” bëri pikërisht të kundërtën. Bitcoin shënoi rënie gjatë vitit 2025 dhe sot ndodhet rreth 35% poshtë kulmit të tij të tetorit, madje nën nivelin ku ishte në momentin kur Trump u rizgjodh. Edhe monedhat meme të lidhura me figurën e tij, $TRUMP dhe $MELANIA, kanë humbur rreth 95% të vlerës. Sa herë që ari rritej si reagim ndaj krizave tregtare apo tensioneve gjeopolitike, Bitcoin pësonte rënie. Kjo tregon se kriptomonedhat nuk funksionojnë si “strehë e sigurt”, por si asete të rrezikshme që lëvizin paralelisht me tregjet spekulative të aksioneve.
Ta quash Bitcoin-in apo kriptomonedhat “monedhë” ka qenë që në fillim një iluzion. Ato nuk funksionojnë si njësi matëse e vlerës, nuk janë mjet pagese i shkallëzueshëm dhe nuk ofrojnë ruajtje të qëndrueshme të vlerës. Edhe në El Salvador, ku Bitcoin u shpall zyrtarisht mjet ligjor pagese, më pak se 5% e transaksioneve reale kryhen përmes tij. Në thelb, kriptot nuk përbëjnë asete në kuptimin klasik të fjalës, pasi nuk gjenerojnë të ardhura dhe nuk kanë përdorim real industrial apo ekonomik, ndryshe nga ari apo argjendi.
Pas 17 vitesh nga krijimi i Bitcoin-it, i vetmi përdorim realisht funksional i kriptomonedhave mbeten stabilkoinët, pra, versioni digjital i parasë tradicionale. Bankat dhe sistemi financiar i kanë dixhitalizuar pagesat prej dekadash. Pyetja thelbësore nuk është nëse e ardhmja e parasë është digjitale, por nëse infrastruktura duhet të bazohet në blockchain apo në sistemet tradicionale bankare. Ironikisht, pjesa më e madhe e asaj që sot quhet “blockchain” është blockchain vetëm në emër: sisteme të centralizuara, private, të kontrolluara dhe të verifikuara nga aktorë të autorizuar, pra, shumë pranë mënyrës se si funksionojnë bankat.
Financa vërtet e decentralizuar nuk ka gjasa të arrijë kurrë shkallë globale. Asnjë shtet serioz, përfshirë edhe SHBA-në, nuk do të pranojë anonimitet total në transaksionet financiare, pasi kjo do të shndërrohej në një mjet të fuqishëm për krimin e organizuar, terrorizmin, trafikun e qenieve njerëzore, evazionin fiskal dhe aktivitetet e paligjshme të shteteve apo aktorëve armiqësorë.
Për më tepër, meqë kuletat digjitale dhe platformat e këmbimit janë të detyruara t’u nënshtrohen rregullave kundër pastrimit të parave dhe identifikimit të klientit (AML/KYC), nuk është aspak e sigurt që transaksionet përmes “blockchain”-eve private janë më të lira apo më efikase se ato bankare, veçanërisht tani që bankat po kalojnë në pagesa në kohë reale dhe sisteme më të shpejta pastrimi. E ardhmja e pagesave do të jetë një evolucion gradual, jo revolucioni i bujshëm që premtonte industria e kriptove.
Ligji GENIUS hap rrugën për një eksperiment financiar të rrezikshëm, të ngjashëm me modelin e “free banking” të shekullit XIX në SHBA, i cili përfundoi në kriza të rënda bankare. Stabilkoinët nuk trajtohen si banka të ngushta – ku depozitat ndahen nga kreditimi – dhe nuk gëzojnë mbrojtje nga bankat qendrore apo sigurim depozitash. Kjo do të thotë se mjafton një keqmenaxhim i fondeve apo dështimi i një institucioni për të shkaktuar panik dhe vrapim bankar.
Edhe përplasja mes bankave tradicionale dhe industrisë së kriptove rreth ligjit CLARITY tregon një keqkuptim të thellë të bazave të sistemit financiar. Bankat nuk janë thjesht “monopolistë të pagesave”; ato luajnë një rol thelbësor në krijimin e kreditit përmes transformimit të depozitave afatshkurtra në kredi afatgjata. Lejimi i stabilkoinëve që të paguajnë interesa do të minonte themelet e këtij sistemi.
Prandaj, ose duhet të reformojmë rrënjësisht arkitekturën financiare globale duke ndarë pagesat nga kreditimi, ose duhet të ndalohet që stabilkoinët të paguajnë interesa dhe të zëvendësojnë bankat. Ky është një debat thellësisht politik dhe me implikime serioze për stabilitetin financiar. Jamie Dimon ka të drejtë kur ngre alarmin për rreziqet, ndërsa qasja e Brian Armstrong për t’i relativizuar këto shqetësime është e papërgjegjshme.
Nëse Trump ka ende këshilltarë që nuk janë të ndikuar nga paratë e industrisë së kriptove, mbetet të shpresojmë se dikush do t’ia shpjegojë se si funksionon realisht sistemi bankar, përpara se interesat personale të politikës të minojnë themelet e stabilitetit financiar.
Copyright: Project Syndicate, 2026.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.