Që prej fundjavës, kryeministri Edi Rama njoftoi se duke filluar nga dita e enjte (15 tetor) qytetarët duhet të jenë të pajisuar me maskë në çdo ambient të hapur dhe të mbyllur. Sot, përmes një deklarate, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht vendimin e marrë.
Mbajtja e detyrueshme e maskës edhe në rrugë, sheshe apo ambiente të hapura përveçse në bare dhe restorante, duket se vjen si pasojë e rasteve të shtuara me Covid-19 në vendin tonë dhe jo vetëm.
“Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit. Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit.
Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit”.- u shpreh deklaroi Ardi Veliu, drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit.
Sipas tij, një tjetër arsye për marrjen e një mase si kjo është shmangia e një mbylljeje të dytë si ajo e pranverës së këtij viti. Gjatë fjalës së tij, Veliu shtoi se patrullat policore do të kujdesen të monitorojnë ambientet dhe hapësirat publike, për të parë nëse vendimi i ri po zbatohet me përpikmëri.
Qytetarët që do të refuzojnë vendosjen e maskës, do të ndëshkohen në përputhje me ligjin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto