Plakja e popullsisë sfidon ekonominë e Shqipërisë, migracioni dhe teknologjia si zgjidhje - Business Magazine Albania

Plakja e popullsisë sfidon ekonominë e Shqipërisë, migracioni dhe teknologjia si zgjidhje

Një raport i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) nxjerr në pah se rënia e lindshmërisë dhe tkurrja e fuqisë punëtore po kërcënojnë ekonominë e Europës, përfshirë edhe vendin tonë.  Raporti analizon ndryshimet demografike dhe ndikimin e tyre të thellë në ekonomitë me popullsi të plakur, si dhe në ato me popullsi të re dhe në rritje të shpejtë.

Të dhënat tregojnë se në Europën në zhvillim, rënia e lindshmërisë dhe tkurrja e popullsisë me moshë pune pritet të ulin mesatarisht rritjen vjetore të PBB-së për frymë me rreth 0.4 pikë përqindjeje midis 2024 dhe 2050. Në krahasim, disa rajone të Azisë Qendrore dhe Mesdheut jugor e lindor ende përfitojnë nga një strukturë më e re demografike që mbështet rritjen afatshkurtër, por edhe këto rajone do të fillojnë së shpejti të plaken. Ndërkohë, Afrika nën-Sahariane, ku shkallët e fertilitetit po bien, mund të përfitojë nga një dividend demografik nëse fuqitë punëtore në rritje të shpejtë përdoren produktivisht.

Demografia nuk është fat i shkruar; mënyra se si ekonomitë përgjigjen është një zgjedhje,” tha Beata Javorcik, Ekonomiste Kryesore e EBRD-së. “Shoqëritë e plakura mund të inkurajojnë njerëzit të punojnë më gjatë, tërheqin dhe integrojnë punëtorë migrantë dhe të përdorin teknologjinë për të mbajtur rritjen. Ekonomitë e reja mund të investojnë në edukim dhe  nxisin sipërmarrjen për të shfrytëzuar potencialin demografik.”

Lexo edhe: BE synon bioekonominë për rritje konkurruese, si mund të përfitojë Shqipëria

Në shumë rajone ku është e pranishme EBRD-së, shkallët e fertilitetit kanë rënë nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua, për shkak të shtyrjes së lindjes, ndryshimeve në martesë, presioneve ekonomike dhe normave shoqërore. Pavarësisht masave pro-nataliste, si  stimuj monetar, kujdes i subvencionuar për fëmijët dhe leje prindërore e zgjatur, rritjet e qëndrueshme të lindshmërisë mbeten një sfidë.

Ndryshimet demografike po transformojnë edhe tregjet e punës. Në ekonomitë me popullsi më të plakur, punësimi po zhvendoset drejt roleve “miqësore ndaj moshës” që lehtësojnë fleksibilitetin dhe kërkojnë më pak përpjekje fizike. Përparimet në inteligjencën artificiale dhe automatizim po ndryshojnë kërkesën për aftësi, duke nënvizuar nevojën për rifreskim të vazhdueshëm të njohurive dhe mësim gjatë gjithë jetës.

Migracioni mbetet një instrument kyç politik, por kompensimi i plakjes së popullsisë vetëm përmes migracionit kërkon flukse të pazakonshme punëtorësh të huaj. Në ekonomitë më të reja, mbështetja e sipërmarrësisë dhe qasja në financa do të jenë thelbësore për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.

Plakja e popullsisë po ndikon gjithashtu në besimet shoqërore dhe politikën. Gjeneratat më të vjetra, që dominojnë zgjedhjet dhe pozicionet e lidershipit, ndikojnë në prioritetet e shpenzimeve publike dhe zgjedhjet politike, duke favorizuar shëndetësinë dhe pensionet, ndërsa të rinjtë theksojnë arsimin, strehimin dhe veprimet klimatike. Raporti nënvizon se kjo mund të krijojë polarizim politik dhe të vështirësojë reformat.

Mësime për Shqipërinë

Për Shqipërinë, e cila po përballet me plakjen e shpejtë të popullsisë dhe emigracionin e lartë, raporti sugjeron masa të ngjashme: zgjerimi i viteve të punës, integrimi i migrantëve dhe investimi në teknologji dhe edukim mund të ndihmojnë vendin të ruajë rritjen dhe qëndrueshmërinë fiskale. Politikat proaktive mund ta ndihmojnë Shqipërinë të shfrytëzojë potencialin e saj demografik dhe të përgatitet për sfidat afatgjata.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 30.8% e popullsisë së Bashkimit Evropian ishte nën 30 vjeç, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje i kalonte 40%. Kjo e vendos vendin mes shteteve me strukturë më të re demografike në rajon, krahas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ekspertët e ekonomisë e shohin këtë si një mundësi të rëndësishme për integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në tregun evropian të punës. Ndërkohë që Europa po plaket dhe ka nevojë për fuqi të re punëtore, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit përballen me emigracion të lartë, por mbajnë ende një potencial njerëzor të pashfrytëzuar. Integrimi gradual i vendeve kandidate mund t’i ofrojë BE-së një brez më të ri dhe më dinamik punëtorësh.

Në rastin e Shqipërisë, situata është e dyfishtë: nga njëra anë, vendi humbet të rinjtë më të arsimuar për shkak të emigracionit; nga ana tjetër, popullsia mbetet ende më e re se mesatarja evropiane. Nëse integrimi në BE shoqërohet me investime strategjike në tregun e punës, arsim profesional dhe teknologji, Shqipëria mund të kalojë nga roli i “eksportueses” së punëtorëve në atë të partnerit strategjik për fuqinë punëtore të Evropës.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0