Përshtatja e termave të Teknologjisë në shqip. Autori i librit, Çano: “Nuk patëm mbështetje nga institucionet” - Business Magazine Albania

Përshtatja e termave të Teknologjisë në shqip. Autori i librit, Çano: “Nuk patëm mbështetje nga institucionet”

Në Panairin e Librit, në data 16 – 20 Nëntor mund të gjendet një botim i ri shqiptar. Ajo është puna e Dr. Erion Çano dhe profesorit Edmond Tupe. Një punë voluminoze dhe e para në llojin e saj, ku mund të gjeni të përshtatura në gjuhën shqipe fjalët e vështira teknike, të marra shpeshherë shabllon nga anglishtja.

Business Magazine ka zhvilluar një intervistë me një nga autorët e librit, Erion Çano. Ai rrëfen domosdoshmërinë e këtij libri dhe nevojën që ka vendi ynë për të përmirësuar fjalorin në epokën e Teknologjisë së Informacionit, në mënyrë që të mos humbasë identiteti dhe vlera e saj.

INTERVISTA

Erion përshëndetje! Si nisi puna për botimin e librit Fjalor i Teknologjisë së Informacionit?

Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë. Puna për këtë fjalor ka nisur 5 apo 6 vite më parë kur isha student doktorature në Itali. Në atë kohë kthehesha shpesh në Shqipëri dhe ndiqja prezantime të ndryshme nga teknologjia e informacionit. Pikërisht në prezantime të tilla fillova të vë re probleme të ndryshme në gjuhën e kësaj fushe. Mungesa e një fjalori ishte diçka e njohur, ndaj natyrshëm mendova që nuk mund të mjaftoheshim vetëm duke kritikuar gabimet, por duke gjetur zgjidhje dhe duke i pasqyruar ato në një fjalor. E nisa punën vetëm, por nuk kaloi shumë dhe e kuptova që duhej të bashkëpunoja patjetër me një gjuhëtar me përvojë. Mendova se Prof. Edmond Tupja ishte personi më i përshtatshëm për këtë bashkëpunim. Nisëm të komunikojmë kryesisht nëpërmjet postës elektronike (deri sot që flas mund të kemi qindra mesazhe të shkëmbyera) dhe duke u takuar në çdo rast që unë kthehem në Tiranë.

Cilat ishin disa nga vështirësitë që ju hasët gjatë punimit të librit? Sa e vështirë është përshtatja e termave teknikë të Teknologjisë së Informacionit në gjuhën shqipe?

Vështirësitë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta, sepse kjo punë nuk mund të quhet e përfunduar kurrsesi. Këto vështirësi vijnë në radhë të parë nga natyra e gjuhës angleze që është jo vetëm gjuha e teknologjisë së informacionit, por edhe gjuha ndërkombëtare. Është një gjuhë “pragmatike” dhe shumë “elastike” në fjalëformim. Fjalët teknike i krijon shumë lehtë, çka e bën mjaft të përshtatshme për drejtime si teknologjia e informacionit ku zhvillimet dhe ndryshimet janë shumë të vrullshme. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për gjuhët e tjerë, përfshirë edhe shqipen. Më konkretisht, vështirësitë qëndrojnë kur duhet të vendosim nëse ndonjë fjalë specifike duhet huazuar në mënyrë të plotë, duhet huazuar me njëfarë përshtatje apo duhet shqipëruar, pra zëvendësuar nga ndonjë fjalë e shqipes. Për këtë i jemi referuar kryesisht gjuhëve italiane dhe frënge të cilat unë dhe Prof. Tupja i njohim mirë.

A keni pasur kontakte me drejtues të institucioneve publike apo me Akademinë e Shkencave në lidhje me këtë botim?

Kemi kontaktuar disa herë Akademinë e Shkencave nëpërmjet postës elektronike për të diskutuar futjen e disa fjalëve (në gjykimin tonë gabimisht) te Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, botimi i vitit 2006. Nuk u përgjigjën asnjëherë, ndaj dhe nuk ka pasur komunikime të tjera.

Për njerëzit që shpeshherë e anashkalojnë, por edhe për profesionistët e fushës cila është rëndësia afatgjatë e përshtatjes në gjuhën shqipe të këtyre termave?

Kjo punë do të ketë vlerë dhe rëndësi afatgjatë nëse fjalori do të përdoret rregullisht nga autorët e teksteve të kësaj fushe (veçanërisht ata të teksteve shkollore), nga përkthyesit dhe në përgjithësi nga kushdo që shkruan rregullisht artikuj në internet. Besojmë se do të ndihmojë në krijimin e një norme gjuhësore të fushës së teknologjisë së informacionit, e cila të vlejë pikë së pari për ligjërimin libror të botimeve, por patjetër edhe për gjuhën e përditshme të specialistëve të kësaj fushe.

Shohim që sindroma e fjalorit të huaj në Teknologji ka përfshirë edhe gjuhë të tjera, si italishtja, frëngjishtja apo gjermanishtja. A mendoni se globalizmi është fajtori kryesor për këtë apo zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë?

Globalizmi është patjetër shkaku kryesor për këtë. Edhe zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë ka ndikim, për vet faktin që rolin më të madh në këtë fushë e kanë pasur firmat e mëdha amerikane.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0