Pasuri, Lumturi?! Apo të dyja bashkë? - Business Magazine Albania

Pasuri, Lumturi?! Apo të dyja bashkë?


Nga Anila Bashllari, trajnere e zhvillimit personal

Tema e lumturisë është një nga më të diskutueshmet në ditët e sotme. Pyetja se “kur ndihemi të lumtur” duket sikur nuk ka marrë përgjigje deri tani. Pse mendoj kështu?

Sepse mendimtarë, studiues dhe individë të ndryshëm e masin lumturinë sipas treguesve të ndryshëm. Për disa është fama, për të tjerë pasuria, një karrierë e suksesshme apo një shëndet i mirë. Duket sikur lumturia ndjek suksesin. Nëse je i suksesshëm në një fushë të caktuar, atëherë duhet të jesh edhe i lumtur. Kjo bën sens por jo të gjithë njerëzit e suksesshëm janë të lumtur. Ndihen të tillë për një farë kohe dhe më pas i kap apatia apo mungesa e adrenalinës deri në një moment kur vendosin të ndjekin një endërr apo pasion tjetër që i çon ose jo drejt suksesit.

Pavarësisht arritjes apo jo të suksesit, vetë proçesi dhe progresi i bën të ndihen të lumtur. Kujtoni herën e fundit që jeni përfshirë në diçka të re dhe do të më jepni të drejtë…

Por, le të hulumtojmë pak në lidhje me suksesin. Earl Nightingale, që njihet edhe si babai i fushës së zhvillimit personal, e përkufizon në këtë mënyrë suksesin: “Një arritje e vazhdueshme e një ideje me vlerë”. Pra, sukses do të thotë: të ndjekësh një ide apo qëllim me vlerë dhe të arrish PROGRES të vazhdueshëm.

Kur ne kemi arritje të vazhdueshme ndihemi të realizuar dhe ndjejmë kënaqësi, e cila çliron dopaminë në tru dhe na motivon për më shumë. Arritjet në vazhdimësi në fushën personale dhe profesionale na bëjnë të ndihemi të plotësuar dhe si rrjedhojë sjellin lumturi. Kur punojmë me veten dhe shikojmë dimensione të reja për të ardhmen, ndjejmë besim tek vetja dhe motivohemi për më tepër… Apo kur kemi një performancë të lartë dhe vlerësohemi nga të tjerët ndihemi mirë me veten dhe të motivuar për më shumë… Apo kur japim vlerë dhe kontribut për të tjerët. Një lumturi që zgjat…

Por a ndihesh i lumtur kur je i pasur? Opinionet apo koshienca kolektive deri tani ka besuar që njerëzit e pasur nuk janë të lumtur! A është e vërtetë kjo? Le t’u referohemi kërkimeve të bëra nga Universiteti i Çikagos. National Opinion Research Center, e cila studioi përgjigjet e pjesëmarresve në një studim dhe 98% të të anketuarve u përgjigjën që ishin të lumtur me të ardhura vjetore mbi 150.000 $ në vit dhe vetëm 2% prej tyre ishin jo të lumtur. Ndërsa të anketuarit me të ardhura < 12.500 $ në vit ishin 74% të lumtur dhe 26% jo të lumtur.

Unë mendoj që pasuria ndikon pozitivisht në lumturinë e njerëzve dhe u krijon mundësi jo vetëm të ndihen mirë vetë por edhe të kontribojnë në mirëqënien e të tjerëve. Ajo që është e rëndësishme dhe që lidhet me lumturinë është mënyra se si përdoren të ardhurat dhe paratë, pra qëllimi i përdorimit të tyre.

Pasuria financiare duhet të jetë në harmoni me të qënit i/e pasur. Dikush mund të ndihet i/e lumtur kur ka të gjitha të mirat materiale që dëshiron, kur për shkak të pritshmërive të ulëta realizon objektivat që i ka vënë vetes apo kur ka sfiduar veten mjaftueshëm dhe ia ka arritur qëllimit. Por kjo lloj lumturie zgjat pak pasi truri ynë është tahmaqar dhe dëshiron më shumë, më shumë… Truri ynë nuk ndihet i lumtur me atë çfarë kemi arritur, përveçse kur rritemi personalisht dhe jemi të qëllimshëm dhe mirënjohës për çdo arritje.

Koncepti im për lumturinë është ky: Krijimi i një mendësie përmirësimi të vazhdueshëm në ato fusha që janë prioritetet tona duke pasur parasysh që si qënie njerëzore ne funksionojmë mbi 4 binarë të pa-negociueshëm: Shëndeti dhe fitnes, Intelekti, Emocionet dhe aspekti Shpirtëror. Nëse ndihemi në harmoni në këto aspekte, jemi të motivuar dhe të angazhuar për marrëdhënie më të mira në planin personal apo profesional, karrierë të arrirë apo biznes të suksesshëm dhe si pasojë të ndihemi të lumtur.

Nëse nuk jemi të vetëdijshëm dhe vrapojmë vetëm pas parave si qëllim në vetvete pa u ndërgjegjësuar mbi mënyrën e përdorimit të tyre atëherë fjalët e Steve Jobs në momentet e fundit të jetës së tij mund të na shërbejnë për të reflektuar tani: “Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria. Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta mar me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”.”

Këto janë fjalët e atij që ka provuar se çdo të thotë të jesh i pasur. Çdokush meriton dhe ka mundësi për të qënë i/e lumtur. Por, duhet të rritemi profesionalisht dhe personalisht.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0