Në dhjetor të vitit 2000, kur Dr. Tadataka Yamada u emërua drejtues i kërkimit dhe zhvillimit në GlaxoSmithKline (GSK), ai u trondit kur mësoi se kompania e tij ishte paditëse në një proces gjyqësor kundër qeverisë së Afrikës së Jugut dhe Nelson Mandelës. GSK ishte një nga 39 kompanitë farmaceutike që akuzonin qeverinë për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe mbrojtjes së çmimeve, në përpjekjen e saj për të siguruar akses më të lirë në terapitë kundër HIV/AIDS. Në atë kohë, afro 25% e popullsisë me ngjyrë në Afrikën e Jugut jetonte me HIV/AIDS dhe ilaçet antiretrovirale kushtonin rreth 1000 dollarë në muaj, më shumë se një e treta e pagës vjetore mesatare në vend, çka i bënte ato të papërballueshme për shumicën.
Pasi u konsultua me ekipin e tij, Yamada kuptoi se nuk ishte i vetmi që e kundërshtonte këtë paditje. Shumë prej studiuesve të tij ndanin të njëjtin shqetësim moral, por ndiheshin të pafuqishëm për të ndikuar në drejtimin e kompanisë. Yamada, ndryshe nga ata, nuk e pranoi këtë si një realitet të pandryshueshëm. Ai zhvilloi takime individuale me anëtarët e bordit drejtues, duke theksuar përgjegjësinë morale që kishte GSK për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ai theksoi paradoksin: “Ne nuk mund të prodhojmë barna që shpëtojnë jetë dhe njëkohësisht t’ua mohojmë ato njerëzve.”
Në prill 2001, pas presionit publik dhe protestave të vazhdueshme globale, të 39 kompanitë farmaceutike hoqën dorë nga padia. GSK dhe të tjerat ulën çmimet e barnave antiretrovirale me mbi 90%. Por Yamada nuk u ndal këtu. Ai transformoi një nga laboratorët kryesorë të GSK në Tres Cantos, Spanjë, në një qendër jofitimprurëse të përkushtuar për sëmundjet që prekin botën në zhvillim si malaria dhe tuberkulozi. Me ndikimin e tij, kompania riorientoi burimet për të mbështetur aksesin e përballueshëm në trajtime dhe për zhvillimin e terapive të reja.
Ky orientim i ri ndikoi edhe në drejtuesit e ardhshëm të kompanisë: Andrew Witty, që u bë CEO i GSK në 2008, dhe më pas Chris Viehbacher, që drejtoi Sanofi. Të dy bashkëpunuan me Fondacionin Gates për nisma globale të shëndetit.
Por çfarë e bëri të mundur këtë transformim rrënjësor? Intervistat tona me Dr. Yamada zbuluan katër qasje thelbësore që nxisin ndryshimin:
1. Fuqia e individit
Një person me ndërgjegje të qartë dhe guxim për të folur mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Kontributi për të mirën e përgjithshme është një nevojë thelbësore njerëzore. Kur një lider, edhe në një pozicion të mesëm sjell një vizion të qartë dhe qëndrueshmëri, të tjerët e ndjekin. Zëri i Yamadës u bë jehona e shumë të tjerëve dhe krijoi një rrugë të re për një të ardhme më të drejtë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto