Parashikimi i FMN-së për ekonominë globale është 3.5%. Kjo shifër është e ulët krahasuar me vitet para krizës globale, por më e lartë se 5 vitet e mëparshme. Në Europë, niveli i investimeve ngelet i vogël, rritja e produktivitet është e ulët dhe vetëm sektori i eksporteve po jep një kontribut minimal për rimëkëmbjen e ekonomisë europiane. Njëkohësisht rritja ekonomike aziatike është tkurrur. Më poshtë mund të gjeni faktorët kryesorë që do të përcaktojnë të ardhmen e situatës politike në arenën ndërkombëtare.
1. Populizmi politik
2016 mund të jetë një vit i populizmit politik. Aktiviteti ekonomik i brishtë dhe produktiviteti i ulët do të thotë që rrogat dhe konsumi nuk do të ndryshojnë shumë. Politikanë populistë si Alexis Tsipras, Marine Le Pen dhe Donald Trump po fitojnë terren nga ky stanjacion ekonomik. Një seri faktorësh po forcojnë populizmin dhe pakënaqësitë. Siguria e vendit të punës po rrezikohet nga konkurrenca globale, dixhitalizimi dhe robotizimi. Mundësitë e punës në të ardhmen do të ofrojnë kontrata afatshkurtra, kohë jo të plotë pune dhe vetpunësim pa sigurime shoqërore. Në një periudhë ku vendet më të zhvilluara kërkojnë qeveri të forta për të zbatuar reformat, njerëzit po votojnë për zgjidhjet afatshkurtra të problemeve.
2. Pasiguria globale dhe kriza e refugjatëve
Zgjedhjet presidenciale Amerikane do të jenë një event i rëndësishëm në botën politike. Bazuar në një perspektivë globale, problem kryesor i presidentit të ardhshëm do të jetë rikthimi i SHBA-së në një forcë që do të garantojë stabilitet dhe paqe.
Europa do të ndeshet me vështirësitë që ka sjelle kriza e refugjatëve sirianë. Ngjarjet tragjike të Parisit kanë krijuar një koalicion midis SHBA-së, Francës, Britanisë dhe pjesërisht Rusisë për të ndalur shtetin Islamik. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 1 milion njerëz kanë kërkuar azil në Europë. Shtetet më të prekura nga kjo valë emigrantësh janë: Gjermania, Suedia, Hungaria, Austria dhe Italia.
3. Referendumi Brexit
Një faktor që do të ndikojë në arenën politike Europiane do të jetë padyshim referendumi që do të mbahet për të ardhmen e Britanisë në BE. Ngjarjet e paparashikueshme mund të sjellin rezultate të papritura. Referendumet gjithmonë sjellin rezultate të pasigurta. Parashikim më i mirë është që Britania do të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen. Izolimi i Britanisë do të vërë në pikëpyetje rolin e saj në Europë dhe pasojat ekonomike-politike do të jenë të rënda.
4. Roli i Rusisë
Një tjetër faktor i rëndësishem në mbarëvatjen politike ndërkombëtare do të jetë dhe roli i Rusisë. Ndërhyrja e Rusisë në Siri ka forcuar më shumë pozitat e Presidentit Al-Assad, se sa ka dëmtuar shtetin Islamik. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ngelet akoma i hapur. Në planin afatgjatë fuqia e Rusisë do të bjerë nën kontrollin e këtij regjimi. Numri i ulët i lindjeve, vdekja e parakohshme e shumë të rinjve nga përdorimi i alkolit dhe një ekonomi që bazohet vetëm në burimet natyrore dhe jo në inovacion do të pengojë zhvillimin real të Rusisë në të ardhmen.
5. Pasiguri në tregun financiar
Rritja ekonomike globale do të jetë e vogël këtë vit dhe kjo do të ndikojë në një pasiguri në tregjet financiare. Një rritje e avashtë në ekonominë Amerikane dhe Europiane kombinuar me një ngadalësim në Kinë mund të sjellë turbulenca në tregjet financiare. 2016 mund të jetë një vit i rëndësishëm për transformimin dixhital . Shumë sipërmarrje të reja ose start-up kanë një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm në arenën ndërkombëtare.
6. Reformat Kineze
N.q.s ekonomia kineze do të marrë vendimet e duhura për të ribalancuar ekonominë nga një ekonomi investuese në konsumuese, kjo mund të jetë një hap i mirë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe optimist për Kinën. Qeveria kineze ka deklaruar shpeshherë, jo vetëm në takimin e Davos-it dhe Dalian-it, ambicien për të shtyrë përpara reformat për një ekonomi të hapur. Rreziku është se si do të priten këto reforma nga grupet e interesit që përfshijnë kompani shtetërore dhe forca konservatore brënda shtetit Kinez.
Është e rëndësishme të analizojmë të mirat që po i sjell ekonomisë botërore globalizimi. Sipas FMN-së në vitin 2016 do të ketë më shumë se 3.4 miliard njerëz që jetojnë në shtete me një rritje ekonomike mbi 6 %. Një rritje ekonomike mbi 6 % do të thotë një trefishim i ekonomisë për dy dekada. Nëse ky vit do të sjellë një zhvillim ekonomik në tregjet ndërkombëtare apo do të jetë një vit zhgënjyes është një pyetje e hapur. Rritja ekonomike po zgjerohet, pas rikthimit të ekonomisë Amerikane dhe vendeve të zhvilluara, por populizmi, rreziqet gjeopolitike dhe turbullirat e tregjeve mund të hedhin hije dyshimi mbi optimizmin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.