Para Apple, para Mac-ut, para iPhone-it, para se bota të njihte emrin e tij, Steve Jobs ishte thjesht një djalë si gjithë të tjerët, që po përpiqej të kuptonte si të realizonte ëndrrat e tij.
Në moshën 19 vjeçare, Jobs ishte brilant, por edhe i paduruar.
I kishte lënë studimet në Reed College, ishte duke u thelluar në filozofinë Lindore dhe kishte një punë në Atari, ku ishte i njohur si një djalë i vështirë, por padyshim shumë i mençur.
Ai kishte ide të mëdha për revolucionin e kompjuterëve, ide të jashtëzakonshm, por kishte një problem të madh, ai nuk ishte inxhinier.
Lexo gjithashtu: Si një ‘‘mashtrim’’ prej 40 dollarësh e bëri Mark Cuban milioner?
Djaloshi që shihte të ardhmen
Në atë kohë, bota e kompjuterëve ishte e kontrolluar nga korporatat e mëdha. IBM bënte kompjuterë që kishin madhësinë e dhomave të tëra, dhe kompjuterët e hobistëve ishin të vështirë për t’u përdorur dhe të pazhvilluar.
Por Jobs shihte diçka tjetër. Ai besonte se e ardhmja u përkiste kompjuterëve personalë, makina që mund të gjendeshin në çdo shtëpi, të thjeshta dhe të përdorshme nga njerëzit e zakonshëm.
Ishte një vizion i madh.
Por kishte një problem të madh, nuk dinte si ta realizonte atë.
Takimi që ndryshoi gjithçka
Në këtë periudhë, Jobs u njoh me Steve Wozniak në një klub lokal kompjuterësh në Palo Alto. Dhe menjëherë, dy të rinjtë e gjetën veten të lidhur nga një ide e përbashkët.
Wozniak i tregoi Jobs një projekt që kishte zhvilluar në shtëpi. Ishte diçka tërësisht ndryshe, një kompjuter i vogël, mjaft i fuqishëm për t’u vendosur mbi një tavolinë.
Jobs nuk mund ta besonte atë që po shihte, vizionin e tij që bëhej realitet.
Dy shokë, dy aftësi të ndryshme, një qëllim i përbashkët
Për nga natyra, Jobs dhe Wozniak ishin një dyshe e çuditshëm. Por një dyshe që plotësonte njëri-tjetrin.
Wozniak ishte një inxhinier i pastër, një gjeni që krijonte për kënaqësinë e tij. Ai nuk kishte interes për të shitur kompjuterë, e donte thjesht procesin e krijimit dhe zgjidhjen e problemeve.
Jobs, nga ana tjetër, ishte vizionar. Ai e shihte tregun, mundësinë. Ai e shihte të ardhmen.
Jobs e shtyu Wozin të krijonin një kompani dhe të shisnin një version të kompjuterit që kishte ndërtuar Wozniak.
Në fillim, Woz ishte skeptik. Kush do të blinte një kompjuter personal? Pse do t’i duhet një njeri një kompjuter në shtëpi?
Por Jobs kishte një aftësi të veçantë, ai dinte ta shihte atë që të tjerët nuk e shihnin. E vizatoi një imazh aq të fuqishëm sa që Woz pranoi të bashkëpunonte.
Lexo gjithashtu: Bill Gates zbulon se cili profesion nuk do të zëvendësohet dot nga inteligjenca artificiale
Lindja e Apple
Wozniak ndërtoi një prototip dhe Jobs siguroi një porosi nga një dyqan lokal kompjuterësh. Pastaj një tjetër. Dhe një tjetër.
Apple lindi.
Në një moment, Jobs ishte thjesht një djalë me ide, por pa mundësi për t’i realizuar. Në momentin tjetër, ai kishte gjetur njeriun që mund ta bënte atë të mundshme.
Woz ndërtoi teknologjinë. Jobs ndërtoi kompaninë.
Një partneritet që ndryshoi botën
Pas suksesit të Apple I, Jobs e dinte se duhej një produkt më i madh. Dhe Apple II, që doli në vitin 1977, ishte ai produkt.
Wozniak, inxhinieri, ndërtoi një kryevepër teknologjike, Apple II kishte grafikë me ngjyra, një tastierë të integruar dhe memorie të zgjerueshme. Ishte një nga kompjuterët e parë të vërtetë të përdorueshëm.
Nëse do të ishte vetëm, Wozniak ndoshta do ta kishte krijuar dhe më pas do të kalonte në projektin tjetër.
Por Jobs, vizionari, kuptoi që nuk mjaftonte të krijoje një kompjuter të shkëlqyer, duhej ta paketosh dhe ta shitesh si një produkt konsumi.
Një gjenialitet i fshehur për marketing dhe shfaqje ishte ndoshta superfuqia e tij.
Çfarë mësojmë nga kjo histori?
Ja cila është e vërteta, pa njëri-tjetrin, Jobs dhe Wozniak ndoshta nuk do të ishin bërë kurrë ajo që bënë.
Ata kishin nevojë për njëri-tjetrin.
Dhe kjo është ajo që ndodh shpesh në botën e sipërmarrjes, zakonisht, duhet të gjesh Woz-in tënd, ose Jobs-in tend, atë person që aftësitë e tij plotësojnë ato të tuat.
Për shembull:
-Wozniak e bëri Apple II të funksiononte. Jobs i bëri ata të shiteshin.
-Wozniak e ndihmoi në inxhinierinë e produktit. Jobs e fokusoji në branding, marketing dhe financa.
-Wozniak kujdeset për produktin. Jobs kujdeset për përvojën.
Dhe sot? Sot, Apple është konsideruar si marka më e vlefshme në botë.
Të gjitha këto, falë dy shokëve të papritur që u bashkuan dhe lejuan njëri-tjetrin të bëjë atë që dinin më mirë.
Në botën e sipërmarrjes, ndonjëherë ajo që e ndan suksesin nga dështimi është gjetja e partnerit të duhur, atij që plotëson mangësitë e tua dhe së bashku, mund të krijoni diçka që ndryshon botën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.