Opinion/ Sa jetë njerëzish do të humbasin përpara se të ndalojmë AI-në e pakontrolluar? - Business Magazine Albania

Opinion/ Sa jetë njerëzish do të humbasin përpara se të ndalojmë AI-në e pakontrolluar?

Nga Peter G. Kirchschläger –  Më 28 shkurt 2024, Sewell Setzer III, një djalë 14-vjeçar nga Florida, i dha fund jetës, i nxitur nga një karakter virtual i krijuar nga platforma Character.AI – një sistem inteligjence artificiale që simuluar biseda reale. Kjo platformë, sipas raportimeve, strehon gjithashtu edhe “chatbot”-ë që promovojnë anoreksinë, duke nxitur sjellje të dëmshme mes të rinjve. Rasti tronditës e bën të domosdoshme marrjen urgjente të masave për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e AI-së.

Sigurisht, në aspektin etik, inteligjenca artificiale mbart potencial të madh për të përmirësuar shëndetin njerëzor, dinjitetin, edukimin dhe qëndrueshmërinë. Por premtimet për përfitime nuk mund të përdoren si justifikim për të anashkaluar rreziqet reale e etike. Çdo cenim i të drejtave të njeriut është i papranueshëm. Nëse një chatbot i krijuar me AI çon në vetëvrasjen e një adoleshenti, asnjë përparim në kërkimet mjekësore nuk mund të justifikojë atë humbje.

Rasti i Setzer nuk është i vetmi. Në dhjetor të vitit të kaluar, dy familje në Teksas ngritën padi kundër Character.AI dhe financuesit të saj, Google, duke pretenduar se chatbot-ët e platformës abuzuan seksualisht dhe emocionalisht me fëmijët e tyre, çka shkaktoi vetëlëndime dhe sjellje të dhunshme.

Një gjeneratë e tërë fëmijësh e adoleshentësh është tashmë viktimë e kompanive të rrjeteve sociale që përfitojnë nga varësia e përdoruesve. Vetëm gradualisht filluam të kuptonim dëmet sociale dhe psikologjike që sollën këto platforma. Tashmë, shumë vende po i ndalojnë apo kufizojnë ato, ndërsa vetë të rinjtë po kërkojnë rregullim më të ashpër.

Lexo edhe: Terapia me AI/ Kur chatbot-et që duam të na kuptojnë, mund të na kthehen në armik

Por me inteligjencën artificiale nuk kemi luksin të presim. Për shkak të sasisë kolosale të të dhënave personale që industria teknologjike ka mbledhur, krijuesit e platformave si Character.AI mund të ndërtojnë algoritme që “na njohin më mirë se vetja”. Kjo u jep atyre fuqi të jashtëzakonshme manipulimi – që nga ndikimi mbi dëshirat tona, deri te orientimi i votës sonë. “Chatbot”-ët që promovojnë anoreksinë janë thjesht shembulli më ekstrem. Nuk ka asnjë arsye që të mos ndalohen menjëherë.

Koha po mbaron, sepse modelet gjenerative të AI-së po zhvillohen më shpejt se parashikimet – dhe fatkeqësisht në drejtimin e gabuar. Geoffrey Hinton, nobelist dhe i konsideruar si “babai i AI-së”, vazhdon të paralajmërojë për mundësinë e zhdukjes së njerëzimit si pasojë e zhvillimeve të pakontrolluara të kësaj teknologjie: “Nuk besoj se ‘dora e padukshme’ do të na mbrojë. Vetëm rregullimi shtetëror mund të detyrojë korporatat të investojnë në siguri.”

Duke marrë parasysh dështimet e përsëritura të kompanive të mëdha teknologjike për të respektuar standardet etike, është e pamatur të presim që të vetërregullohen. Në vitin 2024, Google investoi 2.7 miliardë dollarë në Character.AI, pavarësisht kritikave të shumta. Prandaj, nevojitet një rregullim global, i mbështetur nga një mekanizëm ndërkombëtar siç mund të ishte një Agjenci Ndërkombëtare për Sistemet e të Dhënave (IDA) pranë Kombeve të Bashkuara – një propozim që kam hedhur edhe më herët.

Fakti që një teknologji është e mundur nuk do të thotë se duhet domosdoshmërisht të zbatohet. Është përgjegjësi e njerëzve të vendosin se cilat inovacione duhen përqafuar e cilat duhen kufizuar. Kemi për detyrë të krijojmë, përdorim dhe rregullojmë AI-në në mënyrë që të respektohen të drejtat e njeriut dhe të promovohet një e ardhme më e qëndrueshme për njerëzimin dhe planetin.

Sewell do të ishte ende gjallë nëse do të ekzistonte një rregullore globale që e detyronte inteligjencën artificiale të respektonte të drejtat e njeriut, si dhe një institucion ndërkombëtar për të monitoruar zhvillimet teknologjike në këtë fushë. Respektimi i të drejtave të fëmijëve kërkon mbikëqyrje të të gjithë ciklit të jetës së teknologjisë – nga konceptimi e prodhimi, te shpërndarja dhe përdorimi.

Tashmë që e dimë se AI mund të vrasë, nuk kemi më asnjë justifikim për të qëndruar pasivë. Çfarëdo përfitimi që mund të sjellë kjo teknologji, asgjë nuk do të mund të kompensojë humbjen që kanë përjetuar ata që donin Sewell-in.

 

*Peter G. Kirchschläger është profesor i etikës dhe drejtor i Institutit të Etikës Sociale në Universitetin e Lucernës, si dhe profesor i ftuar në ETH Zurich.

Copyright: Project Syndicate, 2025

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0