Ata që shpresonin të dëgjonin zërat joshës të asistentëve zanorë ChatGPT këtë verë, të cilat OpenAI njoftoi muajin e kaluar, do të duhet të presin edhe pak më shumë. OpenAI deklaroi se i duhet më shumë kohë për të “rregulluar” funksionin e tij “modaliteti i avancuar i zërit” për ta bërë gati për “lansim”
Ky funksion do të jetë i disponueshëm fillimisht për një grup të vogël përdoruesish, në mënyrë që kompania të marrë reagime. Më pas, do të ofrohet për të gjithë përdoruesit e ChatGPT që paguajnë një abonim. “Jemi duke punuar në përmirësimin e aftësisë së modelit për të zbuluar dhe refuzuar përmbajtje të caktuara. Gjithashtu, po përmirësojmë përvojën e përdoruesit dhe po përgatisim infrastrukturën tonë për miliona përdorues, duke ruajtur përgjigjen në kohë reale,” thuhet në profilin e kompanisë në rrjetin social X.
Zërat kanë qenë pjesë e ChatGPT që nga viti 2023, por muajin e kaluar OpenAI prezantoi një version të përmirësuar që dukej aq “njerëzor” sa u krahasua me zërin e Samantës, asistentes zanore nga filmi “Her” (2013). Rolin në film e luajti aktorja e famshme Scarlett Johansson, e cila disa javë pas prezantimit akuzoi OpenAI-n se kopjoi zërin e saj, pavarësisht se nuk kishte dhënë leje për këtë.
OpenAI pretendon se ende nuk ka vendosur se kur do t’u ofrojë zërat e rinj abonentëve, por kjo pritet të ndodhë gjatë vjeshtës. Përveç zërave, është vonuar edhe ardhja e një funksioni që lejon asistentin zanor të përdorë kamerën e celularit për të “kuptuar” botën përreth përdoruesit. “Afatet e sakta varen nga përmbushja e kërkesave të sigurisë dhe besueshmërisë,” tha kompania OpenAI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto