Kompania amerikane OpenAI po shqyrton mundësinë e një kontrate me NATO, që do të lejonte përdorimin e teknologjisë së saj të inteligjencës artificiale në rrjetet “të paklasifikuara” të aleancës ushtarake.
Sipas raportimit të The Wall Street Journal, diskutimet kanë nisur vetëm pak ditë pasi kompania që zhvilloi ChatGPT arriti një marrëveshje me Pentagon për vendosjen e teknologjisë së saj në rrjetet e klasifikuara të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Lexo gjithashtu: Kur vendos AI, 95% e konflikteve përshkallëzohen në sulm bërthamor
Në një takim të brendshëm të kompanisë, drejtori ekzekutiv Sam Altman kishte deklaruar fillimisht se OpenAI synonte të vendosej në të gjitha rrjetet e klasifikuara të NATO-s. Megjithatë, një zëdhënëse e kompanisë sqaroi më vonë se bëhej fjalë vetëm për rrjete “të paklasifikuara”, duke e cilësuar deklaratën e Altman si një keqkuptim.
OpenAI, e mbështetur financiarisht nga gjigantë teknologjikë si Microsoft dhe Amazon, po zgjeron gjithnjë e më shumë praninë e saj në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Marrëveshja me Pentagonin erdhi pasi administrata e presidentit Donald Trump i kërkoi qeverisë amerikane të ndalonte bashkëpunimin me rivalin e OpenAI, Anthropic.
Kompania rivale ishte përfshirë në negociata për një kontratë të ngjashme, por bisedimet u bllokuan për shkak të shqetësimeve mbi mënyrën se si teknologjia e inteligjencës artificiale mund të përdorej nga ushtria. Drejtori ekzekutiv i saj, Dario Amodei, kishte shprehur kundërshtime ndaj përdorimit të modeleve të AI për mbikëqyrje masive ose për zhvillimin e armëve plotësisht autonome.
Nga ana e tij, Pentagoni ka deklaruar më parë se nuk synon përdorimin e inteligjencës artificiale për mbikëqyrje të qytetarëve amerikanë apo për armë që funksionojnë pa ndërhyrjen e njeriut. Në një deklaratë të fundit, OpenAI theksoi se sistemet e saj nuk do të përdoren qëllimisht për mbikëqyrje të brendshme ndaj qytetarëve amerikanë dhe se shërbimet e saj nuk do të shfrytëzohen nga agjencitë e inteligjencës si National Security Agency.
Megjithatë, drejtuesit e kompanisë pranojnë se bashkëpunimi me institucionet ushtarake mbetet një vendim kompleks. “Ishte një vendim i vështirë, me pasoja të mëdha për imazhin dhe marketingun e kompanisë në afat të shkurtër”, u shpreh Altman në një takim të brendshëm të OpenAI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto