One Connect Hub quhet qendra e re e inovacionit pranë Piramidës së Tiranës, e konceptuar dhe e vendosur tërësisht në funksion të të rinjve, entuziastëve të teknologjisë, krijuesve të startupeve apo cilitdo që ka një ide novatore dhe do ta sjellë në jetë. E krijuar për afruar idetë, njerëzit dhe mundësitë, kjo hapësirë e veçantë ka filluar të mbushet me aktivitete që kanë bërë bashkë përfaqësues të sipërmarrjes dhe biznesit në Shqipëri me komunitetin.
Jonilda Filipi, Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në One Albania, na tregon më shumë për këtë hapësirë.
Jonilda, çfarë frymëzoi krijimin e One Connect Hub?
One Connect Hub lindi nga një ide e thjeshtë, por e fuqishme: të krijojmë një hapësirë ku idetë dhe njerëzit bëhen bashkë. Të rinjtë me ide te reja ose startup-et që sapo po nisin rrugëtimin e tyre, shpesh nuk kanë akses në një vend ku mund të ndajnë idetë e tyre apo të ndërveprojnë me aktorë të tjerë të ekosistemit. Kjo qendër është krijuar për të qenë pikërisht ai vend—një bazë për inovacionin dhe krijimtarinë, ku gjithçka, nga një bisedë e rastësishme deri te një event masiv, mund të çojnë drejt mundësive të larmishme.
Ajo që vit pas viti, por edhe nga të dhënat e Censit 2023 u evidentua është se emigrimi ka ‘gërryer’ një pjesë domethënëse të të rinjve të vendit. Ky fenomen; prezent në shumë vende të Ballkanit Perëndimor ku të rinjtë po largohen për të studiuar dhe punuar në Evropën Perëndimore dhe Veriore; vjen ndër të tjera edhe sepse ata nuk shohin një perspektivë në vendin tonë. Si kompania më e madhe e telekomunikacionit në vend, ne përpiqemi t’i qëndrojmë pranë kësaj grupmoshe duke i ofruar mundësi dhe alternativa, të cilat duhet pranuar që vite më parë ishin shumë të vështira për t’u siguruar. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund ta ndryshojmë këtë fenomen me një lëvizje të vetme, por mund të inkurajojmë të rinjtë të qëndrojnë, të eksperimentojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. One Connect Hub është një ftesë për të gjithë ata që kanë ide dhe projekte që duan t’i sjellin në jetë.
Çfarë aktivitetesh mund të organizohen pranë kësaj qendre inovacioni?
Në One Connect Hub, mundësitë janë të shumëllojshme. Kemi krijuar një ambient që i përshtatet çdo eventi, qoftë një prezantim produkti, një hackathon-i, apo edhe një podcast gati për t’u bërë viral. Studioja e podcast-it, e pajisur me teknologjinë më të fundit, po bëhet një pikë referimi për krijuesit e përmbajtjes në Shqipëri.
Në bashkëpunim me disa partnerë si: Albania Tech apo StartUp Albania, kemi mbajtur pranë One Connect Hub një mori mbledhjesh dhe takimesh për shkëmbim njohurish, mundësi për network si dhe zhvillim profesional. Vlen të përmenden disa evente lançuese të produkteve apo platformave të ndryshme si: PATOKO, Pigi: Edukim Financiar, VrapOn, KaKTu Albania etj. Së fundmi kemi mirëpritur edhe Klubin e Librit Bytes & Books, një organizim shumë i veçantë ku përzgjidhen për lexim dhe diskutim botimet më të mira që janë shkruar lidhur me zhvillimet teknologjike e ndikimin e tyre në shoqëri. Po ashtu, kemi bashkëpunuar për mbajtjen e eventeve edhe me kompani të mëdha si Raiffeisen Bank apo EasyPay Albania.
Me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike po punojmë për të sjellë aktivitete të dedikuara për cybersecurity. Gjithashtu, për fuqizimin e diskutimeve publike kemi iniciuar disa bashkëpunime me gazetarë të mirënjohur si Ervin Qafmolla apo Aurora Sulçe për studion e podcastit, të cilin e kemi përuruar me emrin “One Voice”.
LEXO EDHE:Zhvillohet takimi i parë i klubit të librit “Bytes & Books”
Më lart përmendët që ky ambient është i hapur për të gjithë aplikuesit. Si mundet një person i interesuar të rezervojë hapësirën e tij në One Connect Hub?
Fare lehtë: kushdo që ka një ide dhe do ta bëjë realitet, mund të rezervojë hapësirën e tij falas në www.oneconnecthub.al. Një kalendar interaktiv tregon datat e lira, kështu që mjafton të zgjedhësh orarin që të përshtatet, të plotësosh formularin dhe pas një procesi përzgjedhës personat e interesuar mund të përdorin sallën e eventeve apo studion e podcast-it. Qoftë për një event, një prezantim, apo një podcast të ri, procesi kryhet me zero burokraci dhe 100% i aksesueshëm për të gjithë.
One Connect Hub, si ‘produkt’ i One Albania, do të ketë edhe organizime të brendshme dhe aktivitete që mbajnë firmën tuaj. Çfarë keni planifikuar për të ardhmen?
Rrugëtimi i kësaj “shtëpie” të re për të rinjtë ka nisur dhe po vijon vrullshëm. Deri tani kemi organizuar evente në sinkron me ngjarjet ndërkombëtare si lançimi dhe pre-order i Samsung-ut më të fundit, fushatën “Përtej Zemrës” në ditën e dashurisë, dhe “Bëje si gratë”, një fushatë tribut për nxjerrjen në pah të historive frymëzuese dhe fuqizimin e zërave të grave në shoqëri. Por planet tona shkojnë përtej aktiviteteve tradicionale. Kemi projektuar disa workshop-e me realitet virtual, ku të rinjtë mund të përjetojnë teknologjinë e së ardhmes nga afër. Në planet tona parashikohen edhe kurse mbi teknologjinë, inovacionin dhe zhvillimin e aftësive të reja, për të ndihmuar të rinjtë të tejkalojnë hendekun mes teorisë dhe praktikës në tregun e punës. One Connect Hub nuk do të jetë vetëm një vend eventesh—por një qendër e mirëfilltë për komunitetin.
Kjo iniciativë është e para e llojit të vet edhe për grupin 4iG. Po konsiderohen projekte të ngjashme në kompanitë e grupit në shtetet e tjerë?
Po, One Connect Hub ka nisur një përvojë që mund të përhapet edhe më gjerë. Grupi 4iG, si një nga kompanitë më të mëdhaja në sektorin e teknologjisë dhe telekomunikacionit, është i angazhuar me energji të plota për të ndërtuar komunitete më të forta përmes inovacionit.
Ky projekt ishte një test fillestar, por po shihet si një model suksesi jo vetëm per Shqipërinë, por edhe për rajonin. Gjithashtu, në afatgjatë, investitorët tanë po përfshihen me anë të investimeve financiare dedikuar inovacionit dhe zhvillimit të komunitetit, duke ofruar mbështetje konkrete për startup-et, edukimin teknologjik dhe projekte të tjera që e çojnë rajonin në një nivel tjetër.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.