Oktoberfest 2025, rregullat e fshehura që mund t’ju kushtojnë deri 600 euro gjobë - Business Magazine Albania

Oktoberfest 2025, rregullat e fshehura që mund t’ju kushtojnë deri 600 euro gjobë

Oktoberfest është sinonim i gëzimit, muzikës bavareze dhe birrës së bollshme, por shkelja e disa rregullave mund t’i kushtojë vizitorëve qindra euro gjoba apo edhe ndalime drastike.

Festivali i famshëm gjerman tërheq çdo vit mbi gjashtë milionë vizitorë, ndërsa edicioni i vitit 2025 do të mbahet nga 22 shtatori deri më 5 tetor në disa qytete të vendit.

Më tradicional mbetet Oktoberfest i Mynihut, me çadra gjigante birre, paradën e kostumeve dhe gjuetarëve, muzikën bavareze dhe birrën e servirur nga gjashtë birraritë kryesore të qytetit. Ndërsa në Berlin, atmosfera është më intime, me kopshtet e birrës në sheshe si Zentraler Festplatz apo Alexanderplatz, banda frymore dhe veshje tradicionale.

Por përveç argëtimit të zjarrtë, vizitorët duhet të tregojnë kujdes: shkelja e disa rregullave mund të sjellë gjoba deri mbi 600 euro. Kompania e transportit Hoppa ka listuar disa nga rregullat kryesore që çdo turist duhet të respektojë.

Shijoni birrën, por me kufi
Dehja publike nuk është vepër penale në Gjermani, por nëse sjellja juaj rrezikon të tjerët ose veten, krijon trazira apo ju lë të paaftë të kujdeseni për veten, mund të ndëshkoheni me gjobë deri në 500 euro. Urinimi në publik, përfshirë pas çadrave të birrës, sjell një gjobë shtesë prej 100 eurosh.

Edhe çiklizmi në gjendje të dehur është i paligjshëm dhe mund të përfundojë jo vetëm me gjoba të rënda, por edhe me një vlerësim psikologjik të detyruar.

Lexo edhe: Nevoja për pilotë shtyn pagat në qiell, ja kush fiton më shumë në Europë

Souvenir i rrezikshëm: gotat e birrës
Stein-ët e famshëm të Oktoberfest nuk janë suvenire falas. Çdo gotë është pronë e operatorëve të çadrave dhe roje sigurie qëndrojnë në hyrje për të parandaluar vjedhjet. Vizitorët e kapur duke marrë gota pa leje përballen me akuzë për vjedhje dhe një gjobë prej 60 eurosh.

Duhanpirja vetëm jashtë
Që prej gushtit 2010, ligji bavarez për mbrojtjen e shëndetit publik ndalon duhanpirjen në çdo ambient të brendshëm publik. Prandaj, në Oktoberfest, duhanpirësit dhe përdoruesit e cigareve elektronike duhet të dalin në zonat e caktuara jashtë çadrave. Shkelësit mund të përjashtohen menjëherë nga festa dhe në disa raste edhe të ndalohen përfundimisht, duke humbur shuma të mëdha që kanë shpenzuar për të marrë pjesë.

Pa fishekzjarre apo armë
Fishekzjarrët, armët dhe objektet e mprehta janë të ndaluara. Kapja me to sjell përjashtim nga festivali, konfiskim të menjëhershëm dhe, në varësi të rrethanave, edhe ndjekje penale për mbajtje të paligjshme të armëve.

Mos sillni birrën tuaj, mos u ngjitni mbi tavolina
Oktoberfest ka të bëjë me përjetimin e birrës lokale në gotat zyrtare të çadrave. Sjellja e pijeve apo gotave nga jashtë sjell përjashtim dhe ndalim rikthimi. Ngjitja mbi tavolina nuk ka gjobë të posaçme, por çdo sjellje e çrregullt është arsye e mjaftueshme për t’u nxjerrë jashtë.

Në një festival ku njerëzit shpenzojnë qindra apo mijëra euro për argëtim, respektimi i rregullave është mënyra e vetme për të mos e kthyer festën në një përvojë edhe më të shtrenjtë dhe të hidhur.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0