OBSH: Shqipëria pa progres në Inteligjencën artificiale për shëndetin - Business Magazine Albania

OBSH: Shqipëria pa progres në Inteligjencën artificiale për shëndetin

Shqipëria ka boshllëqe të mëdha në politikat e inteligjencës artificiale (AI) për shëndetësinë, tregon një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që trajton përfitimet që kanë shërbimet shëndetësore nga përdorimi i AI.

Sipas OBSH-së, Shqipëria renditet ndër vendet me përparime minimale në ndërtimin e një kuadri të sigurt dhe funksional për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në shëndetësi. Dokumenti thekson se, ndërsa vendet e tjera po avancojnë me politika, certifikime dhe mekanizma mbrojtës për pacientët, Shqipëria ka vetëm një element të dokumentuar të këtij kuadri. Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka zbatuar vetëm procesin e certifikimit të sistemeve të AI në shëndetësi, një hap i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm për ndërtimin e besimit në teknologjitë që po transformojnë shërbimet mjekësore. Të gjitha fushat e tjera të vlerësuara nga OBSH rezultojnë pa politika ose procedura zyrtare.

Lexo edhe:Gjenerata X: Luks nuk janë më produktet, por liria dhe përvojat

Konkretisht, vendi nuk ka rregulla për prokurimin, zhvillimin ose përdorimin e sistemeve të AI në mjekësi, nuk ka politika që trajtojnë ndikimin e teknologjive në mjedis dhe nuk ekzistojnë mekanizma për auditimin dhe dokumentimin e rreziqeve që AI mund të sjellë për pacientët. Po ashtu, qytetarët dhe profesionistët e prekur nuk kanë një rrugë të përcaktuar ligjore për të paraqitur ankesa në rast të dëmtimit nga një sistem i AI.

Raporti vëren gjithashtu se Shqipëria ka kryer vetëm hapin e parë të angazhimit, konsultimin me palët e interesit, por mungon progresi në fushat më të rëndësishme për ndërtimin e kapaciteteve të profesionistëve. Vendit i mungojnë programet e trajnimit për aftësi në AI për personelin shëndetësor, si para punësimit, ashtu edhe gjatë shërbimit. Po ashtu mungojnë role profesionale të specializuara në shkencën e të dhënave apo inteligjencën artificiale për sektorin e shëndetit.

Sipas ekspertëve, ky boshllëk rrezikon të çojë në përdorimin e pakontrolluar të teknologjive të AI në klinika apo struktura shëndetësore, pa standarde të sigurisë, pa transparencë dhe pa mekanizma mbrojtjeje për pacientët. OBSH rekomandon që Shqipëria të hartojë një kuadër të plotë rregullator, të zhvillojë standarde të prokurimit dhe auditimit, dhe të ndërtojë kapacitete profesionale për të përballuar integrimin e teknologjive të reja në sistemin shëndetësor.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po transformon shërbimet mjekësore në gjithë Europën, raporti paralajmëron se vendet që nuk veprojnë me kohë rrezikojnë të mbeten pas dhe të përballen me sfida serioze si për cilësinë e kujdesit, ashtu edhe për sigurinë e pacientëve. Shqipëria, sipas këtyre të dhënave, ka ende shumë punë për të bërë që të mos mbetet në periferi të këtij transformimi.

monitor

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0