Sa kohë ka mbetur deri sa Inteligjenca Artificiale të mund të zëvendësojë rolin e drejtuesve të lartë të kompanive? A janë drejtuesit e sotëm të ndërgjegjshëm për atë që AI ende nuk mund të bëjë? Dhe më e rëndësishmja: a e kuptojnë rrezikun që vjen pikërisht nga nënvlerësimi i kësaj pyetjeje?
Kohët e fundit, dy drejtues të njohur të kompanive të teknologjisë – njëri nga platforma e njohur Zoom dhe tjetri nga kompania fintech Klarna – zgjodhën të përdorin avatarë të AI për të prezantuar raportet e tyre tremujore përpara aksionarëve dhe publikut. Ky veprim ndonëse teknologjikisht mbresëlënës, vë në pikëpyetje thelbin e rolit të një CEO-je: përfaqësimi, komunikimi dhe lidershipi njerëzor.
Në epokën kur çdo funksion i biznesit po përjetohet nën dritën e transformimeve teknologjike, është thelbësore të ndalet reflektimi mbi një pyetje themelore: çfarë e bën një CEO të pazëvendësueshëm? Pozicioni i drejtuesit të një kompanie, veçanërisht në botën e teknologjisë dhe startup-eve, nuk ka qenë kurrë i përkryer në sytë e publikut. Por në dekadën e fundit, ai është lëkundur më tej nga skandale që përfshijnë mashtrime financiare, gënjeshtra të mëdha dhe figura të glorifikuara më shumë për egon sesa për lidershipin. Nga kjo panoramë, dalin dy cilësi thelbësore që ndajnë drejtuesit e vërtetë nga ata që janë të zëvendësueshëm: empatia dhe parashikimi.
Në një kohë kur kompanitë krenohen për numrin e vendeve të punës që po zëvendësojnë me AI, harrohet një fakt thelbësor: ato deklarata nuk dëgjohen vetëm nga investitorët, por edhe nga punonjësit, familjet e tyre dhe komuniteti më i gjerë. Drejtuesit që lartësojnë automatizimin pa treguar ndjeshmëri për pasojat sociale, nënçmojnë jo vetëm fuqinë punëtore, por edhe perceptimin publik. Empatia nuk është dobësi – është kapital i paçmuar për një udhëheqës që synon qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.
Nëse AI mund të zëvendësojë inxhinierët, programuesit dhe madje edhe funksionet edukative – pse jo edhe CEO-t? Kjo është pyetja që shumë punonjës dhe qytetarë po bëjnë tashmë. Dhe është një pyetje e drejtë. Sepse nëse kompania ndërtohet mbi burime kompjuterike dhe jo burime njerëzore, atëherë është vetëm çështje kohe deri sa teknologjia të kërkojë edhe pozicionet e larta ekzekutive. Roli i një CEO-je nuk është të lëvizë me modën e teknologjisë për të bërë përshtypje, por të udhëheqë me vizion, të kuptojë ndikimin afatgjatë dhe të ruajë ekuilibrin mes përfitimit dhe përgjegjësisë.
Kur një drejtues në arsim sugjeron që në të ardhmen mësuesit do të jenë thjesht kujdestarë, ndërsa AI do të japë mësim – pason me të drejtë një valë reagimesh. E njëjta gjë vlen për çdo përfaqësues të biznesit që redukton rolin e njeriut në shoqëri, duke glorifikuar makinat. Ndaj, më shumë se kurrë, është koha që drejtuesit e kompanive të tregojnë kurajo për të thënë të vërtetën: AI është një mjet i fuqishëm, por është vetëm një mjet. Dhe vendimmarrja, udhëheqja, ndërtimi i kulturës organizative, nuk janë çështje formule, por përgjegjësi njerëzore. Nuk është çështja nëse AI mund ta zëvendësojë një CEO. Është më shumë çështje nëse vetë CEO-t do të lejojnë që vlera e tyre të zëvendësohet nga një algoritëm. Zgjidhja është më e thjeshtë se sa duket: t’i rikthehemi rolit të drejtuesit që udhëheq jo vetëm përmes rezultateve, por edhe përmes vizionit, integritetit dhe ndikimit njerëzor.
Sepse në fund të ditës, nuk është vetëm çfarë bën teknologjia ajo që ka rëndësi – por çfarë zgjedhim ne të bëjmë me të.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.