Me siguri keni dëgjuar që qentë mund të trajnohen për të nuhatur kancerin. Tani, startup-i izraelit SpotItEarly po shfrytëzon këtë aftësi të jashtëzakonshme , së bashku me teknologjinë më të fundit për të sjellë armën e ardhshme sekrete të mjekësisë. Kjo kompani bioteknologjike po zhvillon një test revolucionar për zbulimin e kancerit që mund të kryhet në kushte shtëpie, duke kombinuar fuqinë e qenushëve dhe inteligjencës artificiale.
Sipas Madar, qentë bëjnë diagnozën e tyre duke identifikuar nënshkrimet e erës së kancerit në përbërësit organikë të paqëndrueshëm (VOC) — informacion biologjik që gjendet në gjakun e mushkërive dhe del në ajrin që nxjerrim nga goja. Por magjia e vërtetë ndodh kur inteligjenca e qenve bashkohet me inteligjencën artificiale. “Ndërkohë që qentë tanë po nuhasin mostrat në laborator, ne përdorim platformën tonë të posaçme të AI-së, të quajtur LUCID, për të ndjekur dhe analizuar sinjalet e tyre fiziologjike dhe sjellore, duke mbledhur mijëra të dhëna për sekondë,” shpjegon Madar. “LUCID jep një rezultat pozitiv nëse në mostër identifikohet një nënshkrim kanceroz. Kjo ndërthurje e teknologjisë së avancuar me aftësinë e jashtëzakonshme nuhatëse të qenve bën që çdo mostër të analizojë për pak sekonda, duke e bërë këtë zgjidhje shumë të shkallëzueshme.” Qëllimi është të zbulohet kanceri në fazat e hershme, kur trajtimi është më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm. “Shumë shpesh, diagnozat e kancerit vijnë shumë vonë,” tha Madar. “Qëllimi ynë është të ulim numrin e rasteve të diagnostikuara në faza të vona dhe potencialisht fatale. Të dhënat janë të qarta: kur kanceri zbulohet herët, rriten ndjeshëm shanset për mbijetesë dhe përmirësohen rezultatet.”
Testi, që ndodhet në fazën përfundimtare të zhvillimit, pritet të dalë në treg në vitin 2026 me një çmim të përafërt prej 250 dollarësh. Ky është çmimi për çdo lloj kanceri veçmas, me zbritje të kombinuara për testime të shumta. “Ne synojmë të bashkëpunojmë me kompanitë e sigurimeve shëndetësore për të mbuluar kostot e testit dhe për të ulur barrën financiare për pacientët,” theksoi ai. “Pasi të jetë i disponueshëm për publikun, kjo do të jetë një nga përparësitë tona.”
Në një studim klinik të fundit, metoda e SpotItEarly për zbulimin e kancerit rezultoi me një saktësi prej 94%. Nëse funksionon, mund t’ju kursejë një vizitë te mjeku apo një procedurë të pakëndshme. “Shumë njerëz shmangin kontrollet rutinë për kancerin sepse janë të parehatshme apo invazive,” tha Madar. “Duke e thjeshtuar procesin në një test që bëhet vetë në shtëpi, ku mjafton të marrësh frymë në një maskë, ne ulim barrierat dhe nxisim testimin proaktiv.” Hulumtimet tregojnë se vetëm 14% e rasteve me kancer në SHBA diagnostikohen përmes testeve tradicionale. Edhe pse SpotItEarly nuk synon t’i zëvendësojë ato, Madar thekson se dëshiron “të përmirësojë sistemin e diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit, duke e zhvendosur atë nga kujdesi ndaj sëmundjes në kujdes të vërtetë për shëndetin.”
Dhe tani — të kthehemi te qentë. Ata punojnë për disa orë në ditë në ekipe dhe shpërblehen me ushqime dhe dashuri. Kur nuk janë në punë, ata luajnë jashtë, marrin përkëdhelje në bark dhe shumë vëmendje nga njerëzit. Dhe kur dalin në pension? Adoptohen në familje të dashura — shpesh nga vetë personat që kanë punuar me ta. “Qentë tanë nuk janë kafshë laboratorike; ata janë një pjesë e pandashme e ekipit SpotItEarly,” përfundon Madar. Dhe ndërsa për momentin fokusi është tek zbulimi i kancerit — sidomos duke qenë se rastet janë në rritje tek të rinjtë — Madar beson se kjo teknologji në të ardhmen mund të ndihmojë edhe për diagnostikimin e sëmundjeve të tjera si Parkinson-i apo infeksione të rënda. “Qëllimi ynë është që diagnoza e hershme të kthehet në normë, duke rritur në këtë mënyrë shanset për mbijetesë në shkallë të gjerë,” përfundoi ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.