Një teknikë e thjeshtë për të qenë më produktiv - Business Magazine Albania

Një teknikë e thjeshtë për të qenë më produktiv


Duke punuar si “Solopreneur”, shpesh jam tepër e ngarkuar dhe, – çuditërisht edhe mua, – ndonjëherë më ndodh të harxhoj shumë kohë duke u marrë me gjëra pa vlerë, sidomos në ditët e sotme ku kemi mjaft material, i cili na tërheq vëmendjen (rrjetet sociale, apps të ndryshëm, etj…)

Gjatë një trajnimi, pjesëmarrësit më pyetën rreth zvarritjes dhe nga këtu dolëm në një bisedë interesante, ku u dhashë mundësinë që ata vetë me njëri-tjetrin të shkëmbenin eksperiencat e tyre dhe çfarë ka funksionuar për njërin apo tjetrin në raste specifike. Por, cila metodë mund të ndihmojë ndoshta më shpejt në raste të tilla?

Natyrisht zvarritja fsheh shumë gjëra brenda vetes dhe burimi i brendshëm varet nga bota e brendshme dhe nga arsyet individuale. Gjithsesi, meqenëse edhe vetë jam ndeshur qysh në fillimet e mia me këtë sfidë, m’u kujtua një teknikë të cilën e njoh tashmë prej gati tetë vitesh, teknikë që më ka ndihmuar disa herë. E ndava me grupin e trajnimit dhe sot po e ndaj edhe me ju.

A nuk do ishte fantastike që edhe për ju të ishte më e thjeshtë?

Teknika Pomodoro

Kjo Teknikë është zhvilluar nga Francesco Cirillo në fundin e viteve 80-të dhe autori është nisur nga ideja e kohëmatësit që ai përdorte në kuzhinën e tij, i cili ishte në formën e domates.

Por si funksionon?

Ai mori përsipër një detyrë të vetme dhe vendosi të punonte pa ndërpreje për 25 minuta. Pas kësaj shkëputej për 5 minuta pushim dhe përsëri vendoste alarmin për 25 minuta, derisa të mbaronte detyrën apo atë pjesë të detyrës që i kishte vendosur vetes.

Unë personalisht në ato 5 minuta merrem me diçka komplet ndryshe nga ajo me çfarë bëj ato 25 minuta, si për shembull: nëse shkruaj, ashtu si tani këtë material, pas 25 minutash dal nga shtëpia dhe bëj një ecje të shkurtër, ose merrem pak me macen time, ose dal në ballkon, ose bëj ndonjë ushtrim, ose në mes bëj ndonjë telefonatë. Pra, nuk merrem as me lexim dhe me asnjë shkrim tjetër.

Por, ç’do të thotë kjo për ju në ditët e sotme ku stakimi nga një punë, nga një aktivitet, largimi nga rrjetet sociale etj., janë kthyer në një mision thuajse të pamundur?

Filloni hap pas hapi. Zgjidhni një detyrë, e cila kërkon pak intervale 25 minutëshe ose ndoshta vetëm një detyrë 25 minutëshe dhe pasi të shkëputeni nga email, të largoheni nga telefonat e të tjera, kushtojini 100% vëmendje vetëm asaj gjëje, qoftë kjo diçka në jetën tuaj personale apo atë profesionale. Kur të bjerë alarmi thjesht shkëputuni 5 minuta dhe bëni diçka tjetër që ju bën të ndiheni mirë. Ju garantoj që do të çuditeni se sa shumë mund të arrini në këto 25 minuta. Këtë rezultat e sjell fokusi. Nëse për një X arsye e ndërprisni atë 25 minutëshin, atëherë kur të uleni përsëri, fillojeni nga e para.

Gjatë ditës ju mund të zgjidhini disa “Pomodoro”, varet se çfarë projektesh keni për të mbyllur. Por, gjithmonë filloni me një Pomodoro të vetëm, pasi aktiviteti është më pak stresues. Kur të mësoheni me teknikën, atëhere praktikojeni atë duke kombinuar 2, 3… dhe më shumë, pra varet nga puna apo projekti juaj.

Me këtë teknikë të thjeshtë nuk keni nevojë të uleni para tavolinës 8 orë, gjë që shpesh ju streson. Me lëvizjet 5 minutëshe, ju i largoheni paksa rutinës dhe në fund rezultatet janë fantastike.

Kur ta kërkoni këtë teknikë online, do gjeni variante të ndryshme, gjithëssi orgjinalja e nga Francesco Cirillo është 25 minuta + 5 minuta. Unë ia kam përshtatur këtë 5 minutësh mundësive dhe hartës sime të brendshme. Ju natyrisht mund të provoni variantet tuaja dhe të gjeni atë që përshtatet me punën, mundësitë dhe hartën tuaj. Gjithsesi mendoj se nuk ka nevojë që ta komplikoni si teknikë.

Këtë shkrim p.sh. po e shkruaj duke përdorur teknikën Pomodoro. Nuk e di nëse do arrij të bëj gjithçka gati brenda 25 minutëshit, por pas alarmit unë çohem, sepse për mua dhe shëndetin tim kjo gjë funksionon më mirë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0