Përshtypje rreth librit “Kthesa e madhe” të Sheki Useinit, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Albas
Albert Gjoka
Vitet e fundit ka pasur një rritje të interesit të lexuesve për librat e zhvillimit personal. Shtëpitë botuese po sjellin në shqip, jo vetëm autorët klasikë, por edhe ata më bashkëkohorët. Në morinë e botimeve të këtij lloji tashmë kanë dalë edhe autorët e parë shqiptarë që shkruajnë për këtë disiplinë të re. Mes tyre përmendim Mirela Sulën, Burbuqe Raufin, Vasil Naçin dhe disa autorë të tjerë. Botimi më i fundit që vjen para lexuesit është “Kthesa e madhe” i autorit Sheki Useini, i hedhur në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Albas”. Autori ka lindur në Maqedoni dhe jeton në Zvicër që nga viti 1986. Ai ka shkruar edhe dy libra të tjerë: “Kontrata me shpirtin” dhe “Kush je ti?”. Sheki është mjeshtër në artet marciale dhe në fushën e meditimit, pas kërkimeve shpirtërore dhe trajnimeve të shumta që ka marrë në këto fusha në qendrat më të specializuara në mbarë botën.
“Kthesa me madhe” sjell të gjithë pjekurinë e mendimit, rritjen shpirtërore dhe përvojën e gjatë të autorit në përcjelljen e teknikave të meditimit të qindra dhe mijëra njerëz në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, por edhe në Europë dhe shpalosjen e ideve për të njohur sa më mirë vetëdijen njerëzore. Krahas përvojës personale, për Sheki Useinin kanë shërbyer edhe leksionet e shumë autorë spiritualistë të mëdhenj apo ekspertë të fushës së zhvillimit shpirtëror, si Osho, Joe Dispenza, Depak Chopra, Anthony Robbins, Robin Sharma, por edhe autorët shqiptarë si Vasil Naçi apo Hetem Ramadani.
Libri është një rrugëtim i qenies njerëzore drejt vetëpërmbushjes, dhe si i tillë është i ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: Vetvetja – dashuria – meditimi – “kthesa e madhe”, në të cilën jepen disa nga këshillat kryesore për ata që duan të marrin në dorë fatet e jetës së tyre.
Afërmendësh, zhvillimi personal nis nga vetvetja, përmes një procesi të vështirë tek bota e brendshme, duke pranuar vetveten me të metat dhe veçantitë që ke. Prandaj, autori sugjeron që në këtë rrugëtimin tonë, së pari; të jemi të vetëdijshëm se çfarë jemi dhe më pas të nisim të ndryshojmë shprehitë tona në funksion të qëllimeve që kemi në jetë. Ne jemi ata që jemi përmes shprehive që kemi ndërtuar, prandaj Sheki na ofron zgjidhje sesi mund t’i ndryshojmë dhe përmirësojmë shprehitë tona. Në këtë këndvështrim, ky kapitull, por edhe vetë libri në përgjithësi është një leksion i fortë për të njohur më mirë veten tonë, për të kuptuar defektet tona, për të marrë në dorë vetveten dhe për të ndërmarrë kthesën e madhe të ndryshimit drejt suksesit.
Në kapitullin e dytë kushtuar dashurisë, autori sjell një optikë tejet interesante rreth saj dhe fuqinë jetëndryshuese që përmban. Qenia njerëzore kur është përballur me tjetrin, ka filluar të njohë dhe kuptojë dashurinë, e cila ka vlera të shumëfishta nëse të ndihmon që të lulëzohesh dhe të rritesh në jetë. Ajo është shenjë më domethënëse e bashkimit. Dashuria buron nga zemra dhe si e tillë ajo rrok vlerat emocionale, prandaj autori bën ftesë për falje, pranim, sinqeritet dhe përkushtim. Autori sugjeron që “njeriu duhet të mësojë të thotë atë që e shqetëson, por me butësi, respekt, sinqeritet, si dhe në kohën e duhur”.
Pjesa më e rëndësishme e librit është ajo kur flitet për meditimin, i cili sot konsiderohet një nga teknikat më të të njohura, falë të cilit arrihet mirëpërshtatja e qenies njerëzore me mjedisin përreth. Gjithçka është e lidhur me gjithçka dhe çdo gjë ka domethënie. “Gjithçka ndodh për një arsye të caktuar. Rastësia është vetëm një iluzion”. Ky është një parim universal dhe i gjithëkohësh, prandaj autori këshillon për “sinkronitet” me universin dhe këtu gjendet një ndër sekretet kryesore të përshtatjes shpirtërore. Meditimi është një mjet me vlera të shumëfishta, ku Sheki Useini ka bërë një trajtim të detajuar, të cilin e përfundon me një “formulë” gjithëpërfshirëse për vetërealizimin e individit. Çdokush, me përpjekje, dashuri dhe përkushtim, me përkushtim të përqendruar që me veprimin e duhur, në kohën e duhur dhe vendin e duhur, falë fatësisë dhe inteligjencës është në gjendje që të realizojë çdo gjë që e ëndërron dhe e dëshiron. Autori sjell përvoja dhe këshilla me vlerë edhe për mënyrat sesi të përmirësojmë aftësinë dhe inteligjencën.
Në kapitullin e fundit “Edhe kjo është për ty”, Sheki Useini projekton qenien e përmbushur në aksion: Lufto për ëndrrën tënde – mos u dorëzo; krijo memorie për të ardhmen; ji i duruar; qëndro në pritje aktive; ji mirënjohes, gjej mentorin tënd, certifikoje veten; mos ndalo; mos u pendo për veprimet që ndërmerr; dhe së fundi, lejoje veten të zgjedhë! Kështu nis kthesa e madhe, – jo me fjalë, por me vepra, – me fuqinë e brendshme që ka secili prej nesh për tu përmbushur në jetë.
Në ditët tona është e rëndësishme që krahas inteligjencës racionale dhe emocionale, të rrisim edhe inteligjencën shpirtërore. Përmes këtij libri, Sheki Useini, si një guru i mirë që ndan me lexuesit e tij nektarin e dijës së jetës së tij personale dhe të mendjeve më të njohura të botës shpirtërore, jep një ndihmesë të madhe për secilin prej nesh për ta rritur botëkuptimin shpirtëror dhe për të pasur një përqasje më të mirë në raport me gjithçka në universin që na rrethon.
Librin “Kthesa e madhe” të Sheki Useinit, botuar nga Albas, e gjeni në ofertë tek platforma më e madhe online e librit në Shqipëri, BUKINIST.AL
Bukinist ka kontratë ekskluzive me autorin për ta shpërndarë librin në rrjetin e librarive në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Për të gjithë librarët e interesuar, mund të kontaktojnë përmes e-mailit: [email protected]
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.