Një kirurg në Londër ka realizuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar një operacion robotik në distancë, duke operuar një pacient që ndodhej rreth 2,400 kilometra larg, në Gjibraltar.
Operacioni u krye nga profesori i njohur i kirurgjisë robotike urologjike, Prokar Dasgupta, i cili realizoi heqjen e prostatës tek një pacient me kancer duke përdorur një robot kirurgjik të kontrolluar nga Londra. Ai tha se përvoja ishte aq e saktë sa “ndihej pothuajse sikur ishte fizikisht në sallën e operacionit”.
Pacienti, Paul Buxton, 62 vjeç, pranoi të merrte pjesë në këtë procedurë eksperimentale dhe u shpreh se ishte një vendim i lehtë, pasi kishte mundësinë të bëhej pjesë e një momenti historik për mjekësinë.
Buxton, i cili jeton në Gibraltar prej më shumë se 40 vitesh, tha se nëse nuk do të kishte marrë pjesë në këtë operacion në distancë, do t’i duhej të udhëtonte në Londër për trajtim dhe të qëndronte atje për disa javë. Sipas tij, kjo teknologji mund t’i kursejë pacientëve në të ardhmen kohë, para dhe udhëtime të vështira për trajtime të specializuara.
Lexo edhe: Google ndryshon mënyrën e kërkimit në Evropë për të shmangur gjobat miliardëshe
Operacioni u realizua nga The London Clinic, duke përdorur sistemin robotik Toumai, i cili është i pajisur me një kamerë 3D me rezolucion të lartë dhe katër krahë robotikë. Kirurgu i kontrollonte lëvizjet përmes një konsole në Londër, ndërsa roboti ndodhej në spitalin St Bernard’s në Gjibraltar.
Lidhja mes dy vendeve u bë përmes kabllove me fibër optike, me një vonesë sinjali prej vetëm 0.06 sekondash, ndërsa një lidhje rezervë 5G ishte gjithashtu aktive për siguri. Një ekip mjekësh në Gibraltar ishte në gatishmëri gjatë gjithë operacionit në rast të ndonjë problemi teknik, por procedura u zhvillua pa ndërprerje.
Ekspertët besojnë se kjo teknologji mund të transformojë mënyrën se si ofrohet kujdesi shëndetësor, sidomos për pacientët që jetojnë në zona të largëta ose në vende me akses të kufizuar në specialistë. Profesori Dasgupta theksoi se kirurgjia në distancë mund të lejojë që kirurgët më të mirë të operojnë pacientë kudo në botë pa qenë e nevojshme që pacientët të udhëtojnë.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar po rritet përdorimi i kirurgjisë robotike dhe synimi është që deri në vitin 2035 të realizohen rreth 500,000 operacione në vit me ndihmën e robotëve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto