Një letër drejtuar nxënësve - Business Magazine Albania

Një letër drejtuar nxënësve

Të dashur nxënës,

Kam dëshirë t’ju shkruaj këtë letër për të shprehur se si ndihem. Do përpiqem të jem sa më e thjeshtë dhe e sinqertë me ju.

Këto ditë që po kalojmë janë ndryshe. Na është kërkuar të kemi durim dhe të ndjekim disa rregulla që për ne janë të reja. Për kombin tonë pak më shumë të vështira për t’u ndjekur, sepse ne shprehemi shumë me veprime. Kështu jemi rritur dhe mësuar t’i shprehim emocionet dhe mendimet. Përqafimet, shtrëngimi i duarve, prekja te supi apo përplasja e pëllëmbëve (hi5) kur nxënësi bën një punë të mirë. Mund të ndalesha e të jepja shumë shembuj, janë pa fund.

Dikur edhe unë kam qenë e vogël sa ju… Edukatorja ime e parë ka qenë gjyshja ime. Atë e donin të gjithë te kopështi ku mësova hapat e para. Më mësoi se me durim dhe dashuri kapërcehen të gjitha vështirësitë dhe se duhet punuar shumë për të arritur gjërat në jetë.

Kur u bëra pak më e madhe bëra zgjedhjen time të parë, doja të udhëtoja rreth botës dhe të ndihmoja njerëzit në nevojë. Kur mësuesja pyeti fëmijët e tjerë ata u shprehen: “dua të bëhem doktoreshë si mami, avokat si babi…”. Mua më quajtën “ndryshe” sepse une nuk u shpreha si të tjerët. Kur shkova në shtëpi, ime më (mami) më tha, “ti sapo bëre zgjedhjen tënde të parë” dhe më përqafoi. Forca e dashurisë që më përcollën duart e saj dhe buzëqeshja e ëmbël gdhendi thellë në shpirtin tim atë që unë jam dhe sot.

Ashtu si ju, edhe unë ndihem e ngarkuar dhe po përpiqem të ruaj qetësinë, balancën e jetës personale dhe profesionale, distancën dhe të gjej një formë shprehje se sa shumë ju kam përzemër. Këtë që bëj e bëj me shumë dashuri. Rruga ime ka qenë e gjatë dhe me shumë përpjekje. Rrugën e mësimdhënies e zgjodha vetë. Lashë fakultetin e mjekësisë për të ndarë me ju atë që bota e artit të mëson dhe aftëson.

Lexo: Puno fort dhe me pasion. Mesazhi i Suzana Numanit për të rinjtë

Gjatë këtij rrugëtimi prej 10 vitesh mësimdhënie kam kuptuar sa shumë ka ndihmuar arti një pjesë të mire tuajën që të shprehen, sidomos kur gjuha ka qene një pengesë, kur vini nga kombësi të ndryshme. Kur fjalët janë të vështira, vizatimet dhe pikturat janë forca juaj shpirtërore, punimet tuaja janë plot mesazhe, mesazhe ndaj botës, ndaj prindërve, ndaj mësuesve dhe ato kanë nevojë të shikohen dhe vlerëson me po të njëjtën ndjeshmëri dhe përkushtim që jeni përpjekur. Krijimet tuaja ju kanë mësuar të shprehni vetveten, ndërtoni personalitetin tuaj dhe të ndiheni me plot besim në veten tuaj.

Kur hymë në karantinë, fillova të mësoja disa gjëra ndryshe si p.sh. të japësh mësim online gjithë ditën, të krijoja video me realizimet e punimeve artistike hap pas hapi që të ishin të thjeshta për ju. M’u bë një pyetje nga shkolla, “si ndihesh gjatë kësaj periudhe?” Në të vërtetë përgjigja e kësaj pyetje ishte e thjeshtë, ngarkesa ime ishte kur unë të kthehesha sërish në shtator në shkollë. Seri pyetjesh vërshuan drejt meje: A do t’ju përqafoj më? Kur të keni nevojë për ndihmë, sa centimetra  do t’ju afrohem? Do më dëgjoni kur të kem maskën? Do ta kuptoni kur qesh apo po ju tërheq vëmendjen për t’u përqëndruar? Kur të rrëzoheni duke luajtur në oborrin e shkollës…

Rregullat për t’i ndjekur janë njësoj të vështira edhe për mua. Nuk ndiej vështirësi,

ndiej dhimbje në shpirt që nuk mund t’ju përqafoj dot dhe t’ju shpreh se sa shumë ju kam përzemër. Disa prej jush i kam parë të rriten dhe tani ju jeni dyfish më të gjatë nga unë.

Nxënësit e mi të dashur, nëpërmjet kësaj letre dua t’ju shpreh se sa shumë kam mësuar, jam rritur dhe përmirësuar. Kam ndjekur ëndërrat e mia për të qenë e lumtur, për t’u treguar se sa shumë e rëndësishme është që ju të jeni vetvetja, të punoni dhe t’i pranoni disa gjëra siç janë, një pemë është një pemë, nuk mund të bëhet një re, ndoshta në art po… Mësoni dhe punoni, dëgjoni dhe respektoni, ndiqni ato që zemra ju thotë, shkruajini në një letër dhe kur të rriteni realizojini. Mësoni tua komunikoni ato që doni: prindërve, miqve, të tjerëve. Mos mendoni se gjithmonë do të bëhet ajo çka duam ne. Ndonjëherë kam kuptuar që më mirë që disa dyer janë mbyllur sepse më kanë drejtuar drejt rrugës që dua më shumë.

Me shumë dashuri, mësuesja juaj

Blerta Meta, mësuese e arteve figurative, vullnetare në ndihmë të shoqatave të ndryshme dhe artiste.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0